Sulmi i paligjshëm politik i shumicës së re në Ulqin në Radio-Televizionin Ulqini
Rendi i ditës i mbledhjes së tretë të Seancës së Parë të Rregullt të Kuvendit të Komunës së Ulqinit është paralajmërim i një goditjeje tjetër politike në organet e qeverisjes lokale dhe shërbimet e saj. E paparë në praktikën parlamentare deri më tani, në ballinën e rendit të ditës së propozuar, janë pikat për shkarkimin e organeve udhëheqëse të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të themeluara nga Komuna e Ulqinit. Në mesin e këtyre pikave gjendet edhe propozimi për shkarkimin e Këshillit të Radio-Televizionit Ulqin, kështu fillon kumtesën për media ish kryetari i Kuvendit komunal të Ulqinit dhe zyrtar i lartë i Forcës së Re Demokratike, dr. Ilir Çapuni, transmeton Ulqini Online.
Duke mos u konsideruar aspak dëmin që do të bëhet me vendime të këtilla për të cilin besojmë se do të merret prokuroria, kjo shumicë tregon injorancë elementare të një ligji tjetër në Ligjin për Mediat Elektronike të Malit të Zi, si dhe mosnjohjen e parimeve themelore të informimit publik.
Informojmë publikun që nuk ka parakushte ligjore për shkarkimin e Këshillit të Radio-Televizionit Ulqin, i cili i kryen rregullisht obligimet e veta sipas ligjit, për dallim nga Komuna e cila përveç shkeljeve ligjore, as nuk kujdeset për këtë institucion, punonjësit e saj dhe për qytetarët, vazhdon reagimi.
Duke qenë se kjo është një shkelje serioze e ligjit dhe parimeve të pavarësisë së medias, sot për këto rrethana kemi informuar:
– Agjencinë për Mediat Elektronike të Malit të Zi
– Ministrinë e Administratës Publike, të Shoqërisë Digjitale dhe Medias
– Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi
– Zyrën e OSBE-së në Mal të Zi
– Ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi
– Ambasadën e SHBA në Podgoricë
– Ambasadën e Republikës së Gjermanisë në Mal të Zi
– Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Mal të Zi
– Sindikatën e Mediave të Malit të Zi
I bëjmë thirrje të gjithë këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Ulqinit që ta heqin këtë pikë nga rendi i ditës dhe të ndalin vetëshkatërrimin e vetëqeverisjes lokale dhe institucioneve të saj, përfundon reagimi i ish kryetari i Kuvendit komunal të Ulqinit dhe zyrtar i lartë i Forcës së Re Demokratike, dr. Ilir Çapuni.