Me rastin e 75-vjetorit të Masakrës së Tivarit, studiuesi Nail Draga ka përgatitur për botim librin me titull “Masakra e Tivarit – gjenocid kundër shqiptarëve”.

Libri është përmbledhje e studimeve, artikujve, dëshmive, intervistave që janë lexuar në aktivitete të ndryshme apo janë botuar në shtyp, si dhe e recensioneve për botimet kushtuar kësaj ngjarjeje të dhimbshme për shqiptarët, mësohet nga një komunikatë e  SHAI “Art Club”.

Në parathënien e librit, Draga shkruan se “duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me vitin jubilar të 75-vjetorit të Masakrës së Tivarit, këtë ngjarje e përjetësojmë me këtë botim, që është një ndihmesë modeste në ndriçimin e saj e cila është planifikuar e realizuar nga pushteti jugosllav i kohës. Ishte kjo masakra më e madhe kundër shqiptarëve pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në ish-Jugosllavi, me mision politik për zvogëlimin e numrit të shqiptarëve, si dhe spastrimin etnik të hapësirës etnogjeografike shqiptare. Duke marrë parasysh se në kohën e monizmit kjo temë ishte e ndaluar të trajtohej, në rrethana të reja shoqërore hulumtimi dhe publikimi i të dhënave për këtë ngjarje tragjike është në favor të faktografisë shkencore, duke eliminuar paragjykimet dhe qasjen ideologjike, si kudo në botën demokratike”.

Redaktor i librit është dr. Nail Draga, lektor Sabri Halili, kurse redaktor teknik Gazmend Çitaku.

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, në kuadër të bibliotekës “Botime të veçanta”. Libri është botim cilësor me lidhje të fortë dhe është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Botimin e librit e kanë ndihmuar disa bashkëvendas të cilët jetojnë në Nju-Jork të ShBA-së.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 160 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

By admini