Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se qëllimi i masave të fundit kufizuese të vendosura nga qeveria janë që të parandalohen grumbullimet e njerëzve pasi sipas tij shpesh kanë ndodhur tubimet ilegale në orët e natës.

“Me ndalimin e  lëvizjes do të jetë më e vështirë të bëhen këto grumbullime. Grumbullimet sidomos të rinjve zakonisht janë bërë në orët e mbrëmjeve nëpër kafiteri”, tha Hoti në RTV Dukagjini.

Hoti thotë se mbi 500 raste në ditë me coronavirus për një vend si Kosova është alarm sidomos për institucionet shëndetësore në menagjimin e pacientëve të hospitalizuar.

“Ka pasur raste si në nëntor kur në spitale kanë qenë të shtrirë mbi një mijë pacientë. Situata e tanishme është e managjueshme por nëse vazhdohet me këtë ritëm krijohet një lodhje kronike edhe për punëtorët shëndetësorë, pastaj kërkohen resurse shtesë njerëzore edhe financiare”.

“Tash për tash askush nuk e di a do të ketë vazhdim të këtyre masave apo do të ketë masa të reja pas datës 18 prill. Është ndoshta një periudhë e shkurtër por e mjaftueshme për të parë nëse këto masa do të mbesin në fuqi apo sipas nevojës do të ketë masa të reja”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë ka folur edhe për testet PCR që duhet t’i kenë qytetarët e vendeve tjera për të hyrë në Kosovë.

“Testet RT-PCR do të kërkohen për ato vende që Qendra Evropiane për Kontrollimin e Sëmundjeve i ka ranguar me numër të lartë të rasteve. Por në këtë rast do të vlejë edhe parimi i reciprocitetit. Pra vendet që nuk i Kërkojnë Kosovës teste të tilla, as Kosova nuk kërkon teste RT-PCR”.

Hoti ka thënë se qytetarët nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës nuk janë të detyruar të kenë teste RT-PCR dhe sipas tij e njëjta vlen edhe për qytetarët e Kosovës që shkojnë në këto vende.

“Me rëndësi është që ata ta dinë nëse ja vlen të udhëtohet dhe ta vlerësojnë vet gjendjen e tyre shëndetësore”, deklaroi ndër të tjera Faik Hoti.

By admini