
Kumtesë për opinion e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi
Pranvera e përgjakshme kosovare e vitit 1981, Pranvera studentore, apo demonstratat e marsit të vitit 1981, apo quajeni si të doni, paraqet një kthesë të madhe historike, ku përfundimisht u shëmben themelet e ish Jugosllavisë pushtuese në Kosovë. Kjo pranverë e njëmijëenëntëqindetetëdhjetëenjëshit ishte pranvera e zgjimit kombëtar, ku shpërthyen demonstratat e studentëve në Prishtinë dhe qytetet tjera të Kosovës, duke iu bashkangjitur edhe nxënësit e shkollave, punëtorët e ndërmarrjeve të ndryshme, me një fjalë krejt populli i Kosovës, në një revoltë të akumuluar breza me radhë, kundër varfërisë, padrejtësisë, pabarazisë, shtypjes, përsekutimeve, vuajtjeve, burgosjeve, diskriminimit, vrasjeve, dëbimeve e spastrimeve etnike nga politika e Serbisë mbi popullin e Kosovës.
Filluan më 11 mars, në menzën e studentëve, për të vazhduar më 26 mars, më 1 dhe 2 prill 1981. Në atë kohë studentët e guximshëm hartuan listën e kërkesave të shumta që filluan me ,,Kushte për studentët”, ,,Kushte për punëtorët”, ,,Duam punë”, ,,Poshtë robëria, rroftë liria”, ,,Lironi shokët tanë”, ,,Trepça është e jona”, për të vazhduar me ato më të fortat që e dridhnin sistemin e atëhershëm, si ,,Kosova kosovarëve”, ,,Kosova Republikë”, ,,Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”,. ,,Duam vetëvendosje”, ,,Të gjithë shqiptarët janë NJË”, ,,Jemi shqiptarë, s’jemi jugosllavë”, etj.!
Në këto demonstrata të stdentëve të Universitetit të Kosovës, shumë u përgjaken, disa u vranë e me qindra të tjerë u arrestuan, u burgosen dhe u dënuan me shumë vite burgim të rëndë. Demonstruesit ishin duarthatë, veç me forcën e shpirtit shqiptar, përballë policisë e armatës vrastare jugosllave e cila iu kthye me zjarr e hekur, me brutalitetin më të madh!
Pranvera e përgjakur kosovare pati jehonë dhe rrezatim të madh politik ndërkombëtar. Veç politika e Beogradit dhe disa politikanë shqiptarë të Kosovës, i dënuan, duke i quajtur ,,kundërrevolucion”, ,,demonstrata kundërrevolucionare”, e studentët ,,irredentistë”, ,,separatistë”, etj.
Është mirë që shënohen dhe përkujtohen ngjarje të tilla që lëvizën historinë shqiptare, që homogjenizuan popullin liridashës e paqëdashës të Kosovë, dhe jo vetëm, dhe pas dyzet vjetëve, me mburrje themi se edhe disa studentë shqiptarë nga Mali i Zi që studionin në Kosovë, morën pjesë në këto protesta gjithëpopullore, e disa nga ata, u arrestuan më vonë dhe dënuan me nga dy vjet burg!
Lavdi të rënëve për liri, Zoti i bekoftë studentët, mbarë popullin e Kosovës dhe shqiptarët kudo që ndodhën nëpër botë!
KRYETARI,
Saubih Mehmeti, ing. dipl. i tek.