Përgatiti: Gladiola Jorbus

INANNA është perëndesha më e rëndësishme sumere në panteonin mesopotam, nga ku e ka zanafillën kulti i saj. Kjo figurë është sendërtuar në një pikë referimi për teoritë feministe. Edhe pse në panteonin mesopotamik, shfaqej po aq e fuqishme sa pjesa tjetër e perëndive meshkuj, figura e saj është margjinalizuar në favor të këtyre të fundit.

Zotëruese e të gjitha emocioneve si dashuria, xhelozia, dhembja, ndrojtja, ekzibicionizmi, pasioni, ambicia, bujaria, Inanna mbetet përjetësisht e re; dinamike, sensuale, krenare, joshëse dhe e lirë. Ajo është mbretëreshë e qiejve, e tokës, e pjellorisë dhe e erotizmit. Perëndesha sumere konsiderohet hyjnesha e shiut dhe e mëngjesit, e shpirtit, e materies, e errësirës dhe e dritës, e shiut, e stuhisë, e bollëkut të tokës, e planetit Venus dhe e udhëheqjes hyjnore. Ajo njihet ndryshe dhe si ‘Bija e parë e Hënës’, ‘Ylli i mbrëmjes dhe i mëngjesit’.

Inanna, ndonjëherë e quajtur Mbretëreshë e Qiellit – etimologjikisht është kuptimi i emrit të saj – ishte mbrojtësja e Eannas e Urukut, perëndesha e luftës, e dashurisë dhe seksit, megjithëse i asocioheshin edhe drejtësia apo pushteti politik.

Legjenda e Inannës lindi nga një sërë poezish të shkruara në pllaka kuneiforme rreth vitit 3500 p.K. Perëndesha – Nënë gjen një farë në brigjet e lumit Eufrat, të cilën e mbjell dhe kujdeset derisa të bëhet Pema e Botës (Huluppu). Me drurin e kësaj peme, ajo dëshiron të ndërtojë një fron dhe një shtrat, si simbole të fuqisë dhe seksualitetit të saj.

Bijë e perëndisë hënore Nannar dhe e perëndeshës Ningal, zonjës së madhe të mitologjisë mesopotame. Për më tepër, perëndesha Inanna ishte motra e perëndisë Utu dhe perëndeshës së botës së nëndheshme Ershkigal. Prandaj, Inanna ishte më shumë sesa një perëndeshë sumere; ajo mbetet një perëndeshë nënë pan-mesopotamike.

Inanna shfaqet me të gjithë bipolaritetin e saj. Në mitologji përshkruhet edhe si shëruese, dhuruese e jetës, kompozitore këngësh e poete. Ajo shkroi poezi shumë të ndjera dashurie për të dashurin e saj Dumuzin, mbrojtës i bagëtive dhe i bimësisë. Ai vdiste dhe rilindte çdo vit.

Në kulturat dhe qytetërimet antike, kulti i Inannës sumere (perëndeshë e bukurisë, dashurisë dhe pjellorisë) është asimiluar nga asuro-babilonasit, grekët, romakët etj. Ndër atributet e saj më të njohura mund të përmendim se: ishte një perëndeshë nënë që krijonte jetën;  perëndesha e katër pikave të horizontit; përkrahësja e më të pafatëve; hyjnesha e ditës dhe natës; hyjnesha e erosit dhe mbrojtëse e natyrës.

Kafshët që shfaqen pranë saj janë luani, i cili përfaqëson ferrin; lopa, e cila përfaqëson tokën; dhe pëllumbi, i cili përfaqëson qiellin. Meqenëse Inanna ishte e lidhur me planetin Venus, janë thurur himne të ndryshme në të cilat ajo përfaqëson pikërisht këtë planet. Madje mendohet se disa nga mitet, që kanë si protagoniste perëndeshën mesopotame të dashurisë dhe të luftës, përfaqësojnë lëvizjet e Venusit në univers.

Miti më i famshëm i Inannës ka të bëjë me zbritjen e saj në botën e nëndheshme. Ajo u vesh me emblemat e saj, turbanin, paruken, gjerdanin lapis lazul, unazën e artë, fustanin e veçantë dhe u grimua. Rruga për në botën e nëndheshme përbëhej nga shtatë porta. Në secilën syresh qëndronte nga një roje që e urdhëronte hyjneshën të hiqte një nga një rrobat dhe ornamentet. Ndërkohë që ndodhej nëntoke, Inanna ishte krejtësisht e zhveshur dhe e privuar nga fuqitë e saj.

Arsyeja pse shkoi në tokën e të vdekurve nuk është plotësisht e qartë, por lënë të nënkuptohet, se ajo e ndërmori atë udhëtim, për të vizituar të motrën, mbretëreshën e botës së nëndheshme, Ereshkigal.

Inanna e dinte që bota e nëntokës ishte një vend nga i cili askush nuk mund të kthehej. Ndaj para se të largohej, ajo urdhëroi shoqëruesin e saj që të luste perënditë Enlil, Sin dhe Enki që ta kthenin pas, nëse ajo nuk do të ishte në gjendje të shpëtonte.

Nuk mund të lëmë mënjanë rolin e perëndeshës Inanna në poemën epike ‘Epi i Gilgameshit’. Pasi monarku sumer u kthye nga pylli i kedrit ku mundi Humbabanë, Inanna ra në dashuri me mbretin e Urukut dhe i ofroi një fron prej ari e lapis lazuli dhe sende të tjera të çmuara, por Gilgameshi e refuzoi. Ai e fajësoi për faktin se të gjithë të dashurit e saj kanë vdekur ose kanë pësuar gjymtime të shkaktuara nga vetë ajo.

Pak  më vonë Inanna do të shkaktojë vdekjen e Enkiduit, mikut besnik të Gilgameshit, duke i shkaktuar atij një sëmundje të tmerrshme. Kështu që ne verifikojmë karakterin hakmarrës dhe të pamëshirshëm të kësaj perëndeshe.

Inanna shfaqet si një hyjneshë e pavarur, e dashur dhe bën gjithçka që dëshiron. Ajo është kapriçioze, manipulon dhe magjeps njerëzit ose perënditë sipas dëshirës, ​​pa marrë parasysh pasojat që mund të shkaktojë kjo. Shpeshherë përpiqet t’i zgjidhë problemet që krijon duke joshur burrat.

Tekstet mesopotamike e konsiderojnë perëndeshën Inanna “zonja e parajsës”. Ajo është një grua e re, e bukur, e butë, sensuale dhe flirtuese. Por gjithashtu njihet si dinake, tekanjoze dhe vuan nga krizat e zemërimit, veti që e shndërrojnë perëndeshën e dashurisë, në një luftëtare të tmerrshme. Inanna ushtron dhe artin e magjisë, përmes të cilit kujdeset për të varfrit e të pastrehët.

Inanna identifikohet me emrat e njohur: Afërdita, Venera, Hathor, Ishtar, Isida, Neith, Brigit, Freya, por asnjëra prej tyre nuk e gëzon plotësisht potencialin dhe sharmin e saj. Ajo shfaqet përmes shumë aspekteve simbolike që kompletojnë arketipin femëror, i cili duhet kuptuar përtej funksionit të amësisë. Kjo figurë shumëplanëshe mund të konsiderohet mishërimi ideal i gruas moderne, thellësisht feminile, e emancipuar; gruaja ‘e zgjidhur’ që nuk ka frikë të takohet me hijen e saj.

By admini