Uroj popullin vëlla të Republikës së Kosovës për votimet model të realizuara, jo vetëm për Ballkanin perëndimorë por dhe më larg se kaq. Shembull që një komb e do shtetin e vet është pikërisht demokracia, mundësia për tu zgjedhur dhe mundësia për të zgjedhur, në një atmosferë festive dhe lirie, kështu fillon urimin Haxhi Sulejmani, sekretar gjeneral i Partisë Demokratike në Ulqin.
Lëvizjes VETËVENDOSJE, fitueses së shumicës së ulëseve në Legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës, urime vëllazërore për suksesin, me dëshirën që mandatin politik ta zhvillojnë konform besës së dhënë dhe pritshmërive që ka populli i Kosovës. BE dhe SHBA janë dhe do të mbeten horizonte nga ku lind dielli i shqiptarëve, qeverisja e re e Kosovës uroj t’i çojë edhe më përpara këto vlera arbnore dhe rilindase shqiptare, vazhdon urimin Sulejmani.
Dua të kujtoj dhe njëherit falenderoj, pikërisht LVV-në, që në zgjedhjet e fundit parlamentare në Malin e Zi nuk u bë pjesë e valles që përkrahnin njërin koalicion shqiptar për të djegur tjetrin, por që me përgjegjësinë dhe obligimin kombëtar përkrahën të dy listat shqiptare në mënyrë të barabartë, me synimin që së afërmi shqiptarët në Malin e Zi të bëhen bashkë, si mënyra e vetme e përfaqësimit të drejtë të kërkesave dhe autoktonisë së shqiptarëve.
Ju priftë e mbara!
Dalshi faqebardhë!, përfundon urimin Haxhi Sulejmani, sekretar gjeneral i Partisë Demokratike në Ulqin
Haxhi Sulejmani, Sekretar gjeneral i Partisë Demokratike Ulqin, 15.2.2021.