Vendbanime të hershme ilire
Gjekë Gjonaj
Nga fundi i mijëvjeçarit të dytë dhe gjatë tërë gjysmës së parë të mijëvjeçarit të parë p.e.s., ilirët fillojnë dhe i vendosin vendbanimet e tyre në kodra të larta me pozicion dominues mbi zonën përreth, dhe gradualisht (i përforcojnë) i rrethojnë me mure të forta. Midis tyre ishin edhe Kalaja e Samoborit dhe Hotit, të cilat ndodhen pranë kufirit shtetëror të Malit të Zi dhe Shqipërisë. E para në territorin e sotëm të Malit të Zi, kurse e dyta në shtetin amë – Shqipëri.
Gjatë Luftës së Parë Botërore erdhën në Shqipëri arkeologët austriakë C. Praschniker e A. Schober të cilët filluan kërkimet nga veriu i Shqipërisë në drejtim të jugut dhe i kushtuan vëmendje edhe monumenteve e qendrave arkeologjike ilire (C. Praschniker-A. Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien 1919 ; C. Praschniker, Muzakia und Malakastra, Wien 1920). Këta studiues bënë një përshkrim të shkurtër, por mjaft të saktë të vendosjes së mureve rrethues dhe të tri kullave që kanë arritur t’i shohin në sipërfaqe. Krahas përshkrimit sipërfaqësor ata kanë botuar edhe dy fotografi të anës veriore të kështjellës.
Kalaja e Samoborit është një vendbanim ( qytezë) i vjetër ilir, i vendosur në një kodër, 178 metra të lartë, këndej kufirit malazezo-shqiptar , në pjesën verpore të Liqenit të Shkodrës , midis fshatit Bozhaj dhe Ploçë, afër burimit të njohur të Vitojës. Ky gadishull me lartësi afro 80 metra mbi nivelin e liqenit që kontrollon rrugën natyrore me bregun lindor të qytezës. Fortifikimi ( vendbanimi ) përfshin një terren të përshtatshëm për banim me sipërfaqe 1.5 ha midis dy majave shkëmborë. Njëra është më e lartë në perëndim, kurse tjetra është më e ulët në lindje. Më e larta veçohet nga një hark muresh dhe komunikon me një hyrje harkore të vendosur në një kënd të fortifikimit. Pjesa tjetër e vendbanimit që kap dhe rrugën e dytë bashkë me luginën ndërmjet ka një planimetri më të përpunuar me përdorimin e një këndi të drejtë në anën juglindore dhe të një kull gjatë brinjës nga lindja.
Studiuesit austriakë Kamilo Prashniker dhe Arnold Shober, shënojnë një dallim në teknikën e ndërtimit midis dy pjesëve të fortifikimit, por përshkruajnë vetëm murin lindor. Sipas tyre ai është ndërtuar me blloqe krejt të përpunuara, afërsisht katërkëndëshe të vendosura pa rregull dhe të plotësuara me gurë të vegjël.
Kjo kështjellë ilire, e cila sipas studiuesve Prashniker dhe Shober, është ngritur ( ndërtuar) rreth viteve 225-100 para Krishtit. Kësaj periudhe i përgjigjen dhe copat e qeramikës së grumbulluar nga vetë ata, pastaj edhe fragmentet e trasha të amforave dhe atyre të përdorimit të përditshëm, mes tyre edhe prodhimet lokale me ngjyrë të zezë nga pjekja, të lëmuara me dorë , sikurse edhe disa fragmente të tasave me me pareten fine si dhe kupa të lyera me vernik të zi mjaft të mirë. Këto gjetje të studiuesve austriakë dëshmojnë se vendbanimi daton në përgjithësi në të njëjtën kohë me vendbanimin ilir të Gajtanit, i cili shtrihet në juglindje të Shkodrës, midis fshatrave Guri i Zi e Rremcë.
Parashniker dhe Shober në librin e tyre “ Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi” , të botuar në gjuhën shqipe në Tiranë, në vitin 2003, në faqen 91-94, ndër të tjera shkruajnë : “ Në thelb është ruajtur vetëm muri rrethues që qarkon kalanë. Më mirë është ruajtur qoshja juglindore e fortifikimit, ku një trakt i vogël muri qëndron ende në këmbë mbi 2 m lartësi. Blloqet e gurëve janë lënë siç kanë dalë nga gurorja, herë me forma katrore deri në 1.60 m gjatësi, 0.60 m lartësi dhe 1 m thellësi, dhe ndonjëherë në formë shumëkëndëshe të vënë njëri mbi tjetrin pa ndonjë kujdes të veçantë. Hapësirat mes gurëve janë mbushur me gurë të vegjël. Askund nuk është ruajtur pjesa e sipërme e murit. Vende-vende, aty ku muri është zhdukur pothuajse tërësisht, vazhdimi i tij mund të dallohet përmes çakullit të shpërndarë të bërthamës së murit. Rreth 25 m në perëndim të qoshes ndodhet një portë, me sa duket porta kryesore e vendbanimit. Porta ndodhet në një kënd të dalë të murit, i cili me tërheqjen e tij formon një lloj kulle, që përforcon portën, në krahun e majtë të sulmuesit. Për fat të keq nuk mund të themi asgjë mbi gjerësinë dhe organizimin e portës për shkak të gjendjes shkatërruese të saj. Muri vazhdon më tej shumë i shkatërruar, me gjurmë shumë të pakta, përreth majës perëndimore, që kurorëzohet sot me një ledh mbrojtës primitiv i luftës së fundit ballkanike. Më buzën verore të majës, ai zbret drejt lugut ( luginës – shënimi im) dhe, i ruajtur në gjendje më të mirë, vazhdon përgjatë buzës veriperëndimore të tij deri tek maja lindore. Në krahun lindor muri është i ndërtuar me gurë të vegjël të thatë. Muri i ri është vendosur mbi një mur më të vjetër, të ndërtuar me gurë të mëdhenj. Ai duhet të jetë mur tarracimi, i ndërtuar në kohët e reja për të mbajtur dheun e grumbulluar në tokën bujqësore të lugut dhe që ndiqte një pjesë të linjës së murit të vjetër. Pak a shumë në mes të krahut gjatësor muri i vjetër ka pasur një kullë me faqe ballore jashtë murit, gjurmë të së cilës, prej gurësh të mëdhenj natyrorë në forma që i afrojnë kuadratikes. Ndërkaq duhet përmendur dhe një mur i cili, pasi shkëputet nga muri rrethues në krahun lindor të portës, ndjek shpatin lindor të majës perëndimore deri te krahu verior i kodrës, ku lidhet përsëri me murin rrethues. Me ndihmën e këtij muri, maja e lartë perëndimore ishte organizuar si një hapësirë e veçantë fortifikuese”.
Kalaja e Hotit po ashtu është një vendbanim i hershëm ilir, Kjo kështjellë shtrihet në pjesën perëndimore të ekstremit verior të Liqenit të Shkodrës, andej kufirit me shtetin amë. “Gërmadhat e kësaj kala janë të vendosur mbi një kodër të pjerrët, në pjesën perëndimore të esktremit verior të Liqenit të Hotit. Kodra 178 m e lartë, ka në pjesën e sipërme një rrafsh të rrethuar me 4 maja, në lindje ruhen gërmadhat e një muri rrethues në formë elipsoidale. Në faqen veriore duken tri kulla katërkëndëshe me faqe ballore të dalë jashtë murit. Muret e ruajtur në lartësi kanë faqe të brendshme dhe të jashtme të punuara me gurë të gdhendur dhe të lidhur me shtresë të trashë llaçi, ndërsa hapësira mes faqeve është mbushur me gurë të vegjël të thyer. Ne nuk kemi ndonjë pikëmbështetje për datimin e tij, sidoqoftë ky sistem fortifikimi zor që të jetë antik”, thuhet në veprën e cituar, faqe 178 , të Prashniker dhe Shober.
Këto vendbanime të rëndësishme në basenin e Liqenit të Shkodrës janë simbol i traditës dhe trashëgimisë së largët ilire. Prandaj në gërmadhat e këtyre objekteve do të ishte me interes që të kryhen gërmime të reja arkeologjike, studime e kërkime shkencore, sepse ato janë pasuri e jashtëzakonshme e trashëgimisë kulturore historike shqiptare.