Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënon sot 30-vjetorin e themelimit të saj. Ajo është themeluar më 28 dhjetor 1990, në fillimet e proceseve pluraliste, nga një grup i krijuesve të shquar të Ulqinit, Si e tillë është ndër organizatat më të vjetra të shoqërisë civile ndër shqiptarë dhe në tërë Malin e Zi.

“Art Club”-i lindi si një alternativë, i udhëhequr nga dëshira për të pasuruar dhe bërë diçka ndryshe në jetën kulturore, artistike dhe shkencore te shqiptarët në Malin e Zi. Që prej fillimit, misioni i “Art Club”-it ka qenë dhe ka mbetur i qartë – që përmes formave të ndryshme të artit, kulturës, shkencës etj. të ruajë dhe të promovojë identitetin kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi, thuhet në deklaratën për shtyp lidhur me këtë përvjetor nga SHAI “Art Club”.

Me veprimtarinë e vet aktive në pothuajse të gjitha fushat e krijimtarisë, “Art Club”-i theu tabutë dhe perceptimet e gabuara për kulturën shqiptare në Malin e Zi. Në mungesë të institucioneve kulturore kombëtare, “Art Club”-i ka luajtur rolin e një institucioni të tillë për shqiptarët në Malin e Zi.

Kontributi i “Art Club”-it për kulturën shqiptare gjatë këtyre tri dekadave është i papërshkrueshëm. “Art Club”-i është themelues i disa veprimtarive elitare me traditë, siç është “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, iniciator i Panairit të Librit në Ulqin, organizator i dhjetëra sesioneve shkencore dhe i qindra aktiviteteve kulturore etj. Vlen të veçohet veprimtaria botuese, ku “Art Club”-i ka botuar rreth 160 libra të gjinive të ndryshme, si dhe disa organe të shtypit.  

“Art Club”-i është përpjekur që ta shtrijë veprimtarinë në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi dhe më gjerë. Ai po ashtu ka vendosur bashkëpunim me shoqatat dhe institucionet më të rëndësishme kulturore e shkencore në Mal të Zi, Shqipëri e Kosovë.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm për shoqatën tonë dhe kulturën shqiptare në Malin e Zi është rasti të kujtojmë të gjithë ata themelues apo anëtarë të Shoqatës, të cilët nuk jetojnë më.

Po ashtu falënderojmë donatorët pa ndihmën e të cilëve nuk do të mund të realizoheshin shumë projekte dhe aktivitete me vlerë.

Kishim planifikuar që 30-vjetorin e “Art Club”-it ta shënonim me aktivitete disaditore, por për shkak të situatës epidemiologjike jemi të detyruar që ta shtyjmë për një kohë më të përshtatshme.

Përkundër vështirësive të natyrave të ndryshme dhe jo rrallëherë mungesës së mbështetjes financiare adekuate, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” është e vendosur dhe e përkushtuar për të vijuar edhe në të ardhmen punën në të mirë të kulturës shqiptare në Malin e Zi dhe më gjerë.

By admini