Nga Prof.Dr. Naser FERRI

Në pjesën  malore  rrënzë Majes Popadia (2057 m.) afër Gucisë (mes Karaullës, Pyllit të Dobkut e Majës së Prehtë) në një lartësi prej 1700 metrash kanë qenë disa blloqe të gurëve një nga të cilët aktualisht është vetëm një me dimensione 200×170 cm. në të cilin janë të skalitura figura antropomorfe.Aty janë të paraqitura 10 figura nga të cilat 4 sosh kanë si duket simbole të gjenitalieve që mund të kenë lidhje me kultin primitiv të pjellorisë femërore. Figurat janë të paraqitura në mënyrë skematike me vija të thjeshta  në një skenë të përbashkët, e cila mund të paraqet pjesë nga  kultet e pjellorisë ose ndoshta nga ritet mortore.

Sipas disa të dhënave, figurat i përkasin periudhës së broncit (2000 deri 750 vite para erës sonë), por në bazë të karakteristikave që i kanë paraqitjet figurale, të  vendzbulimit dhe të disa veçorive të tjera, duket së  ka më  shumë  gjasa që i përkasin kohës së neolitikut (greqisht: neos-i ri, dhe lithos- gur, prej 6500 deri 3500 vite para erës sonë), respektivisht periudhës së vonshme të gurit, kur kishte filluar i ashtuquajturi “revolucion neolitik,” proces ky  i tranzicionit nga mënyra nomade e jetesës në atë sedentare  me vendbanime të përhershme dhe i fillimit të zbutjes dhe të kultivimit  të kafshëve dhe të kulturave bujqësore (gruri,elbi, bimët bishtajore).

Sipas gjasave në këtë vend mund të ketë qenë një vend kulti i banorëve të ndonjë vendbanimi në afërsi ku janë zhvilluar ritet e ndryshme magjike e religjioze.

Kërkimet dhe gërmimet arkeologjike në terren do të dokumentojnë më saktësisht domethënien e figurave të skalitura në gur dhe do ta përcaktojnë kohën cilës i përkasin, por sidoqoftë këto janë pa dyshim fakte të sigurta, të prekshme, të cilët dëshmojnë (bashkë me disa zbulime të tjera arkeologjike në disa lokalitete të kësaj trevë) ekzistencën e jetës nga parahistoria dhe vazhdimësinë e saj deri në ditët tona në rajonin e Plavë e Gucisë.

Në fund fare një apel publik për të gjithë banorët e Plavë e Gucisë që ta ruajnë këtë, por edhe lokalitetet e tjera arkeologjike deri në krijimin e kushteve për gërmime arkeologjike se janë pjesë e trashëgimisë tonë të çmuar  kulturore mijëravjeçare!

Photo credit: B.Rexhepagiq,Plavë

By admini