Shkrimtari Ibrahim Berjashi ka ardhur këto ditë para lexuesit me një përmbledhje të re me poezi për fëmijë, të titulluar “Varka me ninulla”. Libri përbëhet nga 53 poezi dhe është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, në kuadër të kolanës “Letërsi për fëmijë”.

Në vështrimin e saj, poetja Gladiola Jorbus thotë se Berjashi me të drejtë synon të meritojë emrin ikonë e letërsisë shqipe për fëmijë. Sipas saj, “poezia për fëmijë e këtij autori synon të edukojë dëgjimin dhe leximin e teksteve poetike, përmes të cilëve vocërrakët mund të zbulojnë aspektet fonetike dhe vizuale të poezive, të reflektojnë mbi kuptimin e fjalëve dhe lidhjen që qëndron mes tyre. Poezia shpreh emocione dhe ndjenja përmes një gjuhe origjinale, të përfshirë në tekst duke evokuar imazhe dhe tinguj familjarë në figura të dashura për ta si: delfini, deti, pelikani, varka etj.”

Redaktor i librit është Ismet Kallaba, recensente Gladiola Busulla – Jorbus, redaktor teknik Gazmend Çitaku. Libri është botuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën “Press Studio” – Ulqin.

Ibrahim Berjashi është autor i 15 veprave letrare, në poezi dhe prozë, për të rritur dhe fëmijë.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 160 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

By admini