Ditëve të fundit doli nga shtypi libri „Shqiptarët dhe pluralizmi në Mal të Zi (1990-2015)“, i redaktuar dhe përgatitur për botim nga dr. Nail Draga.
Libri është përmbledhje e materialeve nga tryeza e rrumbullakët, e mbajtur në Ulqin, më 9 dhjetor 2015, organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve „Art Club“ dhe Qendra e Kulturës – Ulqin me rastin e 25-vjetorit të zgjedhjeve të para pluraliste në Malin e Zi.
Autorët e prezantuar me kumtesat e tyre në libër paraqesin qasje të ndryshme për procesin e pluralizmit ndër shqiptarët në Malin e Zi, ngjarjet që kanë ndodhur dhe fenomenet e shfaqura përgjatë një çerekshekulli. Ata trajtojnë tema të ndryshme që lidhen me fillimin e proceseve demokratike në Mal të Zi dhe aspekte të tjera gjatë kësaj periudhe kohore. Ky libër pasuron fondin e botimeve që merren me pluralizmin ndër shqiptarët në Malin e Zi.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve „Art Club“, si pjesë e kolanës „Botime të veçanta“. Lektor i librit është Sabri Halili, kurse redaktor teknik Gazmend Çitaku.
Libri është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë, ndërsa botimi i tij është mundësuar nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 150 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.