Nga Sabri Halili

“Koha është tani” që shqiptarët të flasin të gjithë “Bashkë me një zë”. Me qëllim i bashkova në një fjali slloganet e dy kolonave të partive shqiptare të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit në Mal të Zi. Në fakt e mira e të gjitha të mirave do të ishte që prej këtyre dy kolonave të krijohej 1 (një) e vetme dhe në vend që tash këto dy kolona merren më shumë me njëra tjetrën, do të ishin marrë me kundërshtarin, përkatësisht kundërshtarët e vërtetë politikë, me partitë e ashtuquajtura “qytetare”. Këto “parti qytetare”, si gjithmonë deri tash, kanë nevojë për votat e shqiptarëve e jo edhe për shqiptarët. Për fat të keq edhe kanë gjetur terren, sepse “fukaraja blehet me pak”, thotë populli. Pikërisht politika e atyre partive “qytetare” i ka sjellë shqiptarët në këtë pozitë. Subjektet politike shqiptare të të dyja kolonave duhet të merren pikërisht me shkakun dhe pasojën, por edhe me perspektivën e zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve përmes institucioneve shtetërore. Kjo mund të arrihet duke deleguar njerëzit tanë në institucionet shtetërore, e jo ata të partive “qytetare”, sepse ata as nuk i dinë e as nuk i ndjejnë problemet tona, madje këto parti “qytetare” në bashkëpunim me disa elementë të caktuar, i kanë shkatërruar të gjitha resurset në trevat ku jetojnë shqiptarët. E, problemet e shqiptarëve janë të panumërt. Mos perspektiva e të rinjve tanë ka bërë që trojet tona të zbrazen. Po përmendi vetëm një fshat, fshatin Krythë në Anë të Malit. Në Krythë popullsia këto 30 vitet e fundit është përgjysmuar, e jam i sigurt që nuk është më mirë as në fshatrat e tjerë në Anë të Malit, në Ulqin, në Krajë, në Malësi, në Plavë, në Guci e në Rozhajë. Madje, sipas disa të dhënave, ndoshta është edhe më keq. Çfarë ka ndikuar që situata të jetë e këtillë? Pa hyrë në detaje, shkurt strategjia shumëvjeçare e pushtetit të mëparshëm, por si kontinuitet edhe i këtij të tashmit. Shkatërrimi i çdo gjëje në trojet etnike shqiptare rritën pakënaqësinë e popullatës dhe nxitën ikjen ose asimilimin e shqitarëve. Shpopullimi i trojeve është objektivi kryesor i subjekteve politike “qytetare”, por edhe i pushtetit.

“Koha është tani” që shqiptarët në Mal të Zi të flasin të gjithë “Bashkë me një zë”, për të ngadalësuar shpërnguljen dhe asimilimin, për të kthyer dinjitetin e humbur të disa personave, e në këtë mënyrë edhe për të përmirësuar pozitën e tyre në këtë shtet të cilit shqiptarët i kanë dhënë shumë, shtetësinë, por që si shpërblim kanë marrë përbuzjen e kërkesave për përmirësimin e pozitës së tyre.

“Koha është tani” që shqiptarët në Mal të Zi të flasin të gjithë “Bashkë me një zë”, për një të ardhme më të mirë. Më të mirë të ardhmen mund ta bëjmë vetëm të bashkuar, pa dallim feje, krahine e ideje. Më të mirë të ardhmen mund ta bëjmë vetëm nëse votohen dy listat e koalicioneve shqiptare, e që në një të ardhme të afërt do të bëhen një, sepse edhe objektivi i këtyre dy lista jam plotësisht i bindur që është i njëjtë.

“Koha është tani” që shqiptarët në Mal të Zi të flasin të gjithë “Bashkë me një zë”, edhe ata që një kohë kanë votuar partitë qytetare, ose që aderojnë në ato parti, të flasin “Bashkë me një zë” me dy listat shqiptare, sepse “Koha është tani”. Po, pikërisht tani, sepse shumë shpejt mund të bëhet vonë, shumë shpejt ndoshta do të flitet për Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe Hamza Kastriotin. Nipi dhe xhaxhai. Mund të bëhet vonë sepse ndoshta një ditë mund të thuhet ja i biri ose e bija, nipi ose mbesa e Hamzait. Unë do uroja që mos të jetë ashtu, por të thuhet i biri ose e bija, nipi ose mbesa e Gjergj Kastriotit Skenderbeut. Patrioti i madh Hasan Prishtina ka thënë se “Në vend të kolltukut me turp, zgjodha kryengritjen me nder”, kurse poeti i madh Gjergj Fishta: “O Perëndi a ndjeve, tradhtarët na lanë pa Atdhe, E Ti rrin e gjuen me rrfe, lisat n’për male kot?”

“Bashkë një zë” duhet të bëhemi të gjithë sepse pikërisht “Koha është tani”. Të paktën ne shqiptarët në Mal të Zi nuk kemi kohë për të humbur, sepse kemi humbur shumë deri tash, herë me dashje e herë pa dashje, herë me vetëdije e herë pa vetëdije, e shumë më shumë kemi humbur kohën sepse ashtu na e kanë imponuar kushtet e vështira dhe situatat shpesh të pashpresë. Shqiptarë, bashkohuni “Bashkë 1 za” në zgjedhjet e 30 gushtit sepse, vërtetë “Koha është tani”.

Edhe një herë për fund, i ftoj shqiptarët e të ashtuquajturave parti “qytetare” që edhe ata të votojnë listat e koalicioneve shqiptare, ndoshta jo për veten e tyre, por hir të fëmijëve të tyre, të fëmijëve të fëmijëve të tyre, pra për hir të nipave e mbesave, në mënyrë që ata t’i lëmë pa njolla, të shëndosh në aspektin njerëzor dhe atë kombëtar.

By admini