Besimtarët e fesë islame sot dhe për katër ditë me radhe festojnë Kurban Bajramin. Përveç urimeve për harmoni, solidaritet, begati për të gjithë dhe të na shërbejë si moment i vetëdijesimit tonë, që ta respektojmë njëri-tjetrin, dinjitetin dhe vlerat njerëzore kësaj radhe urohet edhe për shtimin e kujdesit dhe masave mbrojtëse kundër korona virusit.
Me këtë rast për këtë festë kanë uruar edhe udhëheqësit politik në qytetin e Ulqinit. Urimet për këtë festë te madhe i bashkohet edhe faqja Ulqini Online.
Më poshtë mund të lexoni urimet e udhëheqësve politik.
Urimi i kryetarit të Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq
Kryetari i Ulqinit Loro Nrekiqi , ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. “Gëzuar Kurban Bajramin!
Festën e Sakrificës. Zoti ju faltë mirësi , mbarësi dhe shëndet ju dhe familjeve tuaja.Në këtë ditë të shënuar të Kurban Bajramit duhet të jemi më të afërt me njeri –tjetrin.
Të jemi pranë atyre që kanë më shumë nevojë për tu përkrahur , për tu ndihmuar.
Uroj nga zemra mbarësi, mirëqenie dhe dashuri !
Urimi i Nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi dhe deputetit të koalicionit “Shqiptarët të vendosur” Genci Nimanbegu
I nderuari Reis Rifat ef. Fejziq
me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit Ju përcjell dëshirat më të përzemërta Juve personalisht, familjes suaj të nderuar, Bashkësisë islame në Mal të Zi dhe të gjithë besimtarëve islamë.
Flijimi në këto ditë të sfidave të mëdha dhe shpresës për të mirën, për mirëqenien e të gjithëve, si simbolikë e Festës së madhërishme e Kurban Bajramit le të jetë udhë rrëfim për të gjithë ne, për veprat e mira në dobi të njeriut dhe për hirin e Zotit.
Me respekt,
Genci Nimanbegu,
Nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi,
deputet i koalicionit “Shqiptarët të vendosur”
Urimi i kryetarit të Forcës së Re Demokratike Nazif Cungu
Urimet më të mira për festën e Kurban Bajramit! Shpresoj që paqja, mëshira dhe begatia e Allahut të jenë me ju dhe familjet tuaja në këtë ditë të shënuar. Shpresoj gjithashtu që kjo festë të sjelli harmoni, solidaritet, begati për të gjithë dhe të na shërbejë si moment i vetëdijesimit tonë, që ta respektojmë njëri-tjetrin, dinjitetin dhe vlerat njerëzore.
Uroj poashtu që kjo festë të jetë motiv për përforcimin e besimit tonë, forcimin e mendjeve dhe zemrave tona si dhe shtimin e kujdesit dhe masave mbrojtëse kundër korona virusit.
Me besimin në Zot dhe me kujdes, higjienë personale dhe distancë sociale do ia dalim që të mbrojmë me sukses veten dhe të afërmit tanë nga ky kërcenim global i pandemisë.
Urime Kurban Bajrami!
Me respekt,
Kryetar
Nazif Cungu
Urimi i kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve Faik Nika
Të dashur bashkëkombës,
Në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe në emrin tim personal, ju përgëzoj për festën e madhe të Kurban Bajramit. Qofshin këto ditë të mbara për ju, të shoqëruara me begati, besim, dashuri, tolerancë dhe qofshi përherë të rrethuar nga familjarët e miqtë e juaj më të sinqertë dhe më të afërt zemrës tuaj.
Kjo festë është simbol i bamirësisë dhe sakrificës së çdo gjëje të përkohshme, prandaj uroj që zemrat tona, dita ditës, ta aplikojnë më shumë aktin e ofrimit të ndihmës.
Shqiptarët janë të bekuar nga Zoti, sepse momentet e festave fetare i shndërrojnë edhe në festa kombëtare. Në raste të tilla, shqiptarët, pa dallim të përkatësisë fetare e krahinore, urojnë, përshëndesin, vizitojnë dhe i gjinden më pranë njëri-tjetrit, kjo na ka shërbyer për të ruajtur unitetin dhe identitetin tonë kombëtar.
Besimitarë kudo që ndodheni, uroj që të kaloni sa më mirë festën e Kurban Bajramit, me shëndet, harmoni, dashuri e begati për të gjithë Ju.
Zoti i bekoftë familjet Tuaja, Zoti e bekoftë kombin shqiptar!
Urime!
Kryetari,
Faik Nika
Urimi i kryetarit të Lëvizjes Perspektiva Amir Hollaj
Me rastin e festës së Bajramit, të gjithë besimtarëve mysliman i uroj shëndet, paqe dhe mbarësi! Uroj që kjo festë të sjell bekime në familjet tuaja. Bajrami shquhet si festë e respektit, afërsisë e kujdesit kur të gjithë i gëzohemi takimeve e vizitave tek familjarët e miqtë, por këtë vit tregojmë respektin e dashurinë më të madhe duke mbajt distancën e duke respektuar rregullat për të luftuar pandeminë.Uroj më të mirat për ju dhe familjet tuaja. Mirëqenia, toleranca dhe solidariteti mbizotërofshin çdo herë kudo që jeni!