Redaksia në gjuhën shqipe e Radios së Malit të Zi dje kremtoi 55 vjetorin e punës së vetë, sa modeste aq edhe të rëndësishme për popullatën shqiptare në këtë republikë . Kuptohet se informimi në gjuhën amtare, sidomos të pakicave, të shkëputura nga trungu, ka rëndësi të madhe, jo vetëm si informim, por edhe si segment kulturor edukativ etj.

Në ditën e sotme para plotë 55 vitesh për herë të parë në valët e programit të Radio Titogradit të atëhershëm, sot Radio e Malit të Zi, u dëgjua fjala shqip. Ishte ky mediumi i parë dhe i vetëm i asaj kohe në gjuhën shqipe në territorin e Malit të Zi.Duhet theksuar se inicues e themelues i këtij emisioni , e pastaj edhe si redaksi e mëvetësishme pranë kësaj shtëpie mediatike , ishte intelektuali, humanisti, publicisti e më vonë edhe deputeti në Parlamentin e Malit të Zi i ndjeri Gjergj Gjokaj. Fillimisht ky emision emetohej një herë në javë në kohëzgjatje 60 minuta të martave dhe kishte karakter informativ-muzikor. Fillimisht ishin të punësuar vetëm tre punëtorë , kurse me kalimin e viteve kjo redaksi zgjerohet me të punësuar të tjerë, por pas disa viteve edhe me ndryshimin e konceptit të emisioneve.

Me kalimin e Gjergj Gjokajt si redaktor përgjegjës i revistës “Koha” në vitin 1979, në krye të redaksisë vjen Zef Camaj, i cili këtë detyrë e ushtron deri në vitin 1980, kur në krye të saj vjen Fran Camaj , sot pensionist , i njohur si aktivist dhe publicist dhe i cili me shumë sukses dhe pasion e udhëheqë këtë redaksi deri në vitin 1998.

Prej kësaj date për 15 vjet rresht redaksinë e udhëheq Pjeter Lucaj , sot redaktor i programit të pakicave në Radion e Malit të Zi. Prej vitit 2013 në krye të redaksisë vjen Marash Dedvukaj, i cili me mjaft sukses dhe përkushtim e udhëheqë redaksinë. Gjatë tërë kësaj kohe në këtë redaksi kanë vepruar shumë gazetarë, korrespodentë dhe bashkëpunëtorë, të cilët kanë bërë emër në fusha të ndryshme; si politikanë , diplomatë, shkrimtarë , akademikë , publicistë etj.

Sot , kjo redaksi ka të punësuar 6 gazetarë dhe personel tjetër teknik dhe prodhon tri lloje të emisionit: lajmet e mëngjesit, ditarin si dhe emisionin “Në fund të javës “ . U jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë punuar në këtë redaksi si dhe të gjithë dëgjuesve tanë besnikë që si sot e 55 vjet më parë na mbështetën dhe vazhdojnë të na mbështesin në misionin tonë të informimit në shqip në Mal të Zi. Gëzuar jubileun, me shpresë dhe dëshirë që edhe ky emision do të zgjerohet si për nga kohëzgjatja, ashtu edhe për nga numri i të punësuarve, dhe e gjithë kjo në favor të atyre të cilëve edhe u jemi dedikuar, pra dëgjuesve tonë.

Pjetër Lucaj, rtcg

By admini