Ivan Jovoviq, cili e sheh veten si studiues, së fundi botoi tre studime fototipike të sistemuara në librin: “Tri studije o Dukljansko- Barskoj Nadbiskupiji, Bar, 2014. (Tre studime për Kryedioçezen .Diokleato -Tivaras).
Tekstet studimore të skanuara me mjaft cilësi dhe që flasin për historikun e Kryedioqezës së Tivarit, janë te Ivan Markoviq, Moric Faber e Dane Gruber. Temat studimore kanë përmbajtje të ndryshme, ku në mesin e tyre teksti që spikat me një përmbajtje gjithëpërfshirëse është i Ivan Markoviqit, Duklkansko- Barska Metropolia, botuar në Zagreb në vitin 1902.
Botues të këtij libri janë: Matica Crnogorska dhe Kryedioqeza e Tivarit. Rreth punës shkrimore të mëparshme të autorit në fjalë, ka pasur reagime të ndryshme të autorëve shqiptarë, ku ndër ta, ka qenë edhe një shkrim i imi, botuar në gazetën, Zëri, Bota Sot e Koha Javore, në vitin 2004. Por, si shkrim shterues rreth pamfleteve të Jovoviqit, do të përmendja librin e Gjokë Dabajt, “E kaluara e Vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit”, Art Club, 2014, me anë të të cilit Dabaj, me shumë kompetencë, jep përgjigje në lidhje më përshkrimet e ngjarjeve historike të Kryedioqezës së Tivarit, të autorit në fjalë.
Me këtë rast, me anë të këtij shkrimi si studiuese i fushës, bashkohem me mendimet e Dabajt, dhe dëshiroj me pak fjalë të ia përkujtoj Jovoqit, se shkenca duhet të bazohet vetëm në të vërtetë, sepse, Bibla thotë, “E vërteta do t’ju çlirojë” (Gjoni, kap. 8, rreshti, 30).
Me shkrimet tija të mëparshme për Kryedioqezen e Tivarit, autori Jovoviq, është i njohur si person i cili deformon faktet historike, për t‘i treguar opinionit të gjerë se, është më malazez së vetë malazezët. Kjo gjë del edhe më tepër në pah me rastin e botimit të librit në fjalë, ku Jovoviq është redaktor i tij.
Në fjalën hyrëse, në vend që të paraqesë një përmbajtje dinjitoze të teksteve të ribotuara, të cilët janë shkruar prej autorëve të nderuar, Jovoviq ripërsërit tezat e tija të njohura, duke glorifikuar historinë malazeze dhe duke mohuar çdo gjë që është shqiptare, në lidhje me të kaluarën e Kryedioqezësë së Tivarit. Madje, me qëndrimet e tija, autori shkon edhe më tej, duke mohuar çdo gjë iliro-shqiptare në provincën e njohur të Praevalit, e cila nga shek. X ishte cilësuar si mbretëri e Dioklesë, më vonë ajo e Xentës (Zetës). Nuk është qëllimi im që të bëj komente rreth tre teksteve studimore në fjalë, sepse janë mjaft solide, me referenca të bollshme dhe kanë një përmbajtje të caktuar për kohën, por doja të ndaloja te redaktori dhe organizatori i librit, Ivan Jovoviq, i cili pretendon se është një vazhdues i serbomëdhenjve, Cvijiq, Erdeljanoviq, Garashanin, Joviçeviq etj., të cilët me shkrimet e tyre, gjatë shek. XIX deformonin faktet historike për përfitime politike para bashkësisë ndërkombëtare.
Është e vërtetë se sot, në pluralizëm, çdokush mund të shkruajë çfarë të dojë. Të japë mendime ndryshe apo kontradiktore. Të shkëpusë idetë e të tjerëve jashtë kontekstit, apo të manipulojë me fakte shkencore etj.. Por shtrohet pyetja: veprimet e kësaj natyre, sa janë të moralshme, të dobishme dhe vallë a mos janë këto mundime të kota!? Për shkak të natyrës së shkrimit, do të ndalesha shkurt te disa nga tezat kryesore të Jovoviqit, të paraqitura në hyrje të librit në fjalë.
Në fillim të shkrimit, Jovoviq sikur qan me lot krokodili, se si shteti i Mali të Zi, nuk u kujtua ta festonte 925-vjetorin e themelimit të Kryedioqezës Diokleato -Tivaras, (1089), duke e lidhur historikun e saj ngushtë me historinë e Malit të Zi e jo me shqiptaret. (shih. f. 7) Ky mendim sa është absurde, aq edhe në kundërshtim me shkencën serioze ballkanike. Në dokumente studimore, në vitin 1302 Mali i Zi figuron si fshat në mes Cetinës e Liqenit të Shkodrës. Ndërsa, si krahinë e organizuar, del në vitin 1435. (shih: M. Shyffay, Srbi i Arbanasi, Beograd, 1925, f, 33).
Nëse autori ngulmon që popullatën e Malit të Zi të shekullit të shek. XV, ta lidhë me popullatën e Dioklesë-Zetes, logjika të çon te ajo, se malazezet domosdo duhen të jenë popullatë iliro- shqiptare, e të asimiluar nga ardhacakët në sllavë në shek. VI e në vazhdim, fakt të cilin autori e mohon kategorikisht.
Kurse, teoria se Dioklea, ka pasur lidhje me Shën Cirilin e Metodin, IX, siç flet autori (shih.f. 8), është një e pavërtetë e madhe, kur dihet se në aspektin kishtar, kjo provincë ka qenë fort mirë e organizuar që në shekullin e IV, dhe sllavët ardhacakë duhet ta kenë marrë pagëzimin nga shek. IX-XI, nga misionarët vendas e jo nga misionarët sllavë. (Shih. Gëzim Hoxha, Procesi i Krishterimit në provincën e Praevalit, në: Krishterimi Nder Shqiptarë,Tonea, Tiranë, 2000, f 69-87).
Për prezencën e shqiptareve në këtë hapësirë, do të përmend vetëm një burim sllav. Enciklopedia Jugosllave, ndër të tjera, thotë se Diokla, e cila nga shek. X është quajtur Zeta, në kohën e Balshajve (1360-1421), është quajtur Arvanitska Zeta. (shih. Encikpoedija Jugoslavie, vëll.1, Zagreb,1956 f. 154). Po i njëjti burim flet për praninë shqiptarëve në kryedioqezën e Tivarit dhe më gjerë, duke cituar relacionin e kryeipeshkvit të Tivarit, francezin, Guillelmo Andrea, të vitit 1332, ku shprehet se, shqiptarët janë një fuqi potenciale për t’iu kundërvënë mbretit serb, Stefan Dushanit dhe se ata kanë gjuhën dhe librat e veta. (Shih. Enciklopedija Jugoslavije, sv. 1, Zagreb, 1956 str, 154).
Autori duhet ta dijë se, burimet gjermane dhe ato angleze, kur flasin për principatën e Cernojeviqëve të shek. XV, dëshmojnë se ajo ishte nga etnosi shqiptar, me mbiemrin Gojçinaj, (Shif. K. Jeriček, Skutari und seine gebiet im Mittelalter, Illryrische Albanische Forschungen, vol. 1, München und Leipzig 1916, f. 117; J.B. Hobhouse, A Journeu through Albania and other provinces of Turkey in Europe and Asia to Constnatinople, London, 1813, fq. 130) etj. Autori, sikur harron se, burimet venedikase të shek. XVII, kur përmendin trevat nga Ulqini e deri në rrethinat e Kotorrit, këtë zonë e quajnë “Shqipëria Venedikase (Albania Veneta). (Shih, R. Veselinoviq,“ Tko su Albanci i Klementinci, u austrijskim izvorima s krajima XVII” veka” zmsdn. sv, 25, Beograd, 1960, f. 104). Këto fakte si dhe dorëshkrimin e Vinçenc Zmajeviqit, të Kuvendin e Arbrit, 1703, Jovoviq në një libër tjetër, »Prilozi za istoriu Barske Nadbiskupije, Bar, 2012« (Të dhëna për kryedioqezen e Tivarit,) i deshifron sipas vullnetit të tij dhe qëllimev shoviniste që ka, duke ishtrembëruar ato deri në palcë. (Shih. libri i cituar, f. 151, 238, 239, 248, e në vazhdim).
Të gjithë relatorët e Selisë së Shenjtë e numërojnë kryedioqezën Tivarit si shqiptare. Përmendim këtu relatorin të cilin vetë autori e citon, Imzot Vinçens Zmajeviqin, kryesuesit të Kuvendit të Arbërit. Në relacionin e vitit 1703/17014, ndër të tjera Zmajeviq thotë: Adunque l’Albania habitata da Cattolici di rito Romano abbracia le sole Diocesi d’Scutari, Pulati, Sappa….,(Prandaj Shqipëria banohet nga katolikët e ritit Romak që e lidhin vetëm Dioqeza e Tivarit, Shkodrës, Pultit, Sapës….). (shih: P. Bartel, Quellen und Materialien zur Albanischen Geschichte im 17. und.18 Jahrhundert, Alb. Forschungen 20, pjesa II. München, 1979, f. 5).
Në librin, “Tre studime për kryedioqezën Diokleato-Tivaras”, në f. 11, Jovoviq merr kurajë të bëjë vërejtje të dokumenteve arkivore të Vatikanit, të botuara nga Daniele Farlati dhe Jacomo Colleti, me titull, »Iliricum Sacrum«, pasi ato nuk janë shkruar sipas qejfit të tij. Mandej, sikur Jovoviqi harron se, kjo ollanë 11 vëllimshme, ku vëllimi i -VII- i vitit, MDCCCXVII, i kushtohet Kryedioqezës së Tivarit, ka qenë nxitur nga papa Albani – Klementi XI.
Kur kemi te bëjmë me Kryedioqezen e Tivarit, juristi Jovoviq, sikur nuk e kupton, se duke iu referuar librit të Ivan Markoviqit të cilin e ka ribotuar, si për çudi na del se, në selinë e kësaj Kryedioqeze kanë qëndruar me dhjetëra ipeshkvi iliro-shqiptare, dhe shqiptare të njohura si, Massreku (1624-1634), Bogdani (1956-1670), Vlladanji (1749- 1786), Junku (1786-1787), Radovani ( 1786-1790) etj.
Nga këto shënime e shumë të tjera, të cilat flasin për prezencën e shqiptarëve në këtë hapësirë, shtrohet pyetja: çfarë shkence bë Jovoviqi, kur në shkrimet e tija po mohon çdo gjë shqiptare në këtë kryedioqezë? Në shërbim të kujt është ky shqiptar i kthyer në malazez, i cili me intrigat e tij tenton ta themelojë një Kishë katolike malazeze brenda Kryedioqezës së Tivarit? Përse bash këtu, kur ka mundësi ta bëjë gjetiu këtë gjë!? Prandaj, personi në fjalë, para se të merret me Kryedioqezën e Tivarit, ia rekomandoj të mos i deformojë të vërtetat historike, e së paku, të lexojë librin e Gjokë Dabajt, “E kaluara e Vërtetë e Arqipeshkvise së Tivarit”, Art Club, 2014, se kjo gjë do i bëjë mirë. Po këtë gjë, ia rekomandoj edhe bashkëredaktorit Msgr. Zef Gashit, i cili mjerisht për të dytën herë (hera e parë 2004) pranoi të bëhej pjesë e kësaj loje politike e kishtare të udhëhequr nga juristi Ivan Jovoviq. Në fund, kam edhe këtë rekomandim: përmbaju fjalës së artë latine: Nu ka gjë më të ëmbël se sa drita e së vërtet . (Nihil est veritatis luce dulcius). /Koha Javore/
material per ulqinin