Shkruan: Esat Mehmeti

Ulqini është një ndër qytetet më të vjetra në bregdetin e Adriatikut, dhe padyshim është njëri

nga qytetet më të bukur në bregdetin tonë dhe në rajon. Ulqini, i cilësuar si perla e rivierës bregdetare ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e llojeve të ndryshme të turizmit.

Ky qytet i lashtë me një vijë bregdetare prej 14.5 km. me rërë  kurative dhe det të pastër me një llojshmeri plazhesh, duke përfshirë plazhe ranore, gurore e shkëmbore, buzë pyllit të pishave, që përveç efektit mjekues të kripës së detit, ka rërë kurative, ka burime të ujërave sulfurik dhe baltë minerale.

Ulqini, gjithashtu ka një numër të madh lokalitetesh arkeologjike të periudhave të ndryshme të historisë së qytetit, siç janë; Kalaja  shekullore e cila në supet e saj mbanë më shumë se 2.500 vjet.Qyteti i Vjetër-Kalaja e Ulqinit, llogaritet si bërthama kulturo-historike e këtij qyteti, mandej qyteti i vjetër i Shasit, si dhe një numër i madh objektesh religjioze që flasin për kulturën dhe jetën shpirtërore të këtij vendi.

Ulqini ka diell dhe kthjelltësi të ujërave në bregdetin shkëmbor.Ulqini ka male të mbuluar me pisha që me aromën e tyre dhe puhinë e detit të mahnisin me bukurinë magjepse.Ulqin ka fusha të gjera me prodhimet e tokës dhe të detit. Ulqini ka liqenin e pasur të Shasit, ullishtën mijëvjeçare, ka Bunën e rrjedhshëm dhe burime të pashterrshme. Ulqini ka energji të reja të potencialit rinor, që falë lëvizjeve demografike dhe emigrimit kanë sjellë  kapital dhe ide të reja nga vendet të tjera. Ulqini me gjithë këto bukuri, gjithmonë ka ofruar kushte të mira për jetë. Ndër vite, plazhi i Ulqinit ka qenë ndër më të frekuentuarit në shkallë vendi nga turistët vendas  dhe të huaj, por pushuesit më të shumtë janë nga Kosova. 

Por, jo vetëm kaq !.

Ulqini ka kushte të favorshme gjeografike e klimaterike për zhvillimin e sporteve ujore, sporteve malore, por edhe sporteve si; futbolli, tenisi, basketbolli, peshkimi, gjuetia etj.

Falë klimës mesdhetare, Ulqini ka bujqësi të zhvilluar dhe shumë produkte që e karakterizojnë, siç janë ullinjtë, fiqtë, agrumet,shegat etj.

Por, ajo që e veçon këtë qytet turistik është tradita e lashtë detare dhe ajo trgtare. Është mikëpritja dhe bujaria e njerëzve të këtij vendi. Është tradita e gatimeve të kuzhinës tradicionale me ushqime të freskëta dhe bio. Është pastërtia e ujit të detit, e mbi të gjitha është qetësia, është argëtimi, është jeta e natës .

                            Ulqini, vendi i manifestimeve  kulturore

Në këtë vend historik janë promovuar resurset dhe bukuritë natyrore të këtij qyteti me rrethinë. Janë promovuar dhe asetet historike, arkeologjike, etnografike dhe trashëgimia e pasur kulturore.Qyteti i Ulqinit, kryesisht gjatë sezonit turistik gjallërohet nga veprimtaritë kulturore si; Festivali tanimë tradicional,” Skena verore”, Panaire të ndryshme, Kalimera poetike dhe gërshetimi i kulturave muzikore.

Në anën tjetër, siguria është kryefjala e këtij qyteti. Siguria është jo vetëm gjatë sezonit turistik, kur merren masa të shtuara për më shumë siguri, por edhe gjatë gjithë kohës në vijim. Banorët e këtij mjedisi si dhe mysafirët, në Ulqin, kurdoherë ndihen të lirë dhe të sigurtë. Siguria e lartë edhe qetësia e këtij qyteti, së bashku me resurset natyrore që i posedon ky vend, janë disa nga vlerat që e veçojnë Ulqinin.

                          Pas pandemisë COVID-19, Ulqini i kthet normalitetit

Përhapja globale e koronavirusit të ri (COVID-19) që u shfaq, ka bërë që edhe ne të përballemi me një sfidë serioze lidhur me marrjen e masave parandaluese. Strukturat qeveritare paralajmëruan shtrëngimin e masave të reja në luftë kundër virusit Corona. Masat parandaluese filluan me; mbylljen e institucioneve arsimore në të gjitha nivelet, mbyllja e kufijve dhe ndalimin e fluturimeve ndërkombëtare, si dhe shumë kufizime të tjera u bënë me qëllim të parandalimit të pandemisë.

Me rritjen e numrit të rasteve në vendet e prekura nga pandemia, edhe në Ulqin u moren masa për të parandaluar përhapjen e këtij virusi. U morën hapa për të zvogëluar efektet negative të pandemisë në ekonomi dhe jetën sociale. Situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit ka ndikuar në anulimin e prenotimeve për muajt prill, maj dhe qershor. Autoritetet turistike pohojnë se kjo situatë ka sjellë dëme të konsiderueshme ekonomik për turizmin në Ulqin dhe më gjerë. Ndryshe nga vitet e shkuara, në këtë kohë, kur kishin mbërritur turistët e parë, tani në këto ditë maji, Ulqini është i boshatisur. Por, falë Zotit, edhe kjo po kalon !. Ulqini i kthehet normalitetit !.

E gjithë vëmendja e këtij  qyteti, është kthyer nga sezoni turistik. Shpesh dëgjojmë refrenin e zakonshëm: “a do të ketë sezonë sivjet ?! Me masat lehtësuese, plazhi i Ulqinit dhe i gjithë qyteti ka nisur të marrë frymë disi ndryshe. Ditët me diell dhe rritja e temperaturave  kanë nxitur bartësit e turizmit që të hapin portat për mysafirët. Gjithçka duket se është bërë gati, për të garantuar një fillim të mbarë të këtij sezoni. Pamjet që ofron qyteti bregdetar, dëshmon qartë transformimimin që është bërë falë investimeve vetanake.

Autoritetet vendore kanë  marrë të gjitha masat e duhura në përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe krijimin e kushteve sa më komode për pushuesit, që pritet të jenë këtë vit. Edhe pse nuk ka një vendim zyrtar nga qeveria  për hapjen e plazhave. Ulqini po bëhet gati për nisjen e sezonit turistik.Strukturat qeveritare ,( Trupi Nacional Koordinues),ka filluar me zbutjen e disa masave, madje ditë më parë  vendosi që nga dita e nesërme, më 15 maji do të hapen lokalet dhe restorantet dhe disa bisneze të vogla, ndërsa nuk e përjashtojnë mundësinë që në fillim të muajit në vijim të nisë sezoni turistik, megjithëse nuk kanë paraqitur ndonjë plan kohor për hapjen e mundshme të sezonit pas pandemisë së koronavirusit, por  sapo të hapen kufijtë, priten edhe mysafirët e parë.

Bartësit e turizmit në Ulqin kanë zhvilluar takime me autoritetet vendore për vështërsitë e krijuara si pasojë e pandemisë, por edhe masat që duhen marrë për përgatitjen e infrastrukturës si; furnizimit me ujë, pastërtia e qytetit, si dhe lehtësimi i qarkullimit të komunikacionit rrugor gjatë sezonit turistik.

Ulqini me fillimin e sezonit turistik, synon imazhin e një qytetit të gjallëruar. Ndërsa, subjektet private duken më investues në objektët e tyre, gjelbërimin e mjediseve dhe reklamimin e shërbimeve përmes internetit, duke ofruar ulje çmimesh për fillim sezoni.

                  ……………………………………………………………………………

 Ulqin, maj  2020

By admini