Nga Frank Shkreli
Këto janë fjalët e Anisa Ismajlit, një aktore shqiptare shumë e suksesshme e filmit dhe teatrit në Kosovë. Por, përveç profesionit të saj, Zonja Ismajli njihet edhe si një zë i dalluar në shoqërinë kosovare, në mbështetje të drejtave të njeriut, sidomos të drejtave të grave dhe fëmijve. Sipas disa të dhënave, ajo e ka të vështirë të pranojë varfërinë dhe shkeljen e të drejtave të këtyre sektorëve të shoqërisë shqiptare. Ajo njihet si një aktiviste e angazhuar për të ndihmuar nënat dhe familjet e varfëra, anë e mbanë vendit, duke mbledhur fonde për nevojtarët. Anisa Ismajli njihet, sipas medias, edhe si një vullnetare aktive e organizatës, “Mothers and Happy Child”, organizatë kjo e cila kujdeset për grate dhe fëmijtë e pastrehë dhe për gratë e dhunuara. Me veprimtarinë e saj humane, Anisa Ismajli është gjithashtu shembull i ndërgjegjësimit të shoqërisë – sidomos shoqërisë shqiptare që ende nuk e ka të zhvilluar një ndërgjegjësim të tillë –për të ndihmuar vullnetarisht njerëzit në nevojë, duke reflektuar në këtë mënyrë, edhe dashurinë, mëshirën dhe ndihmën e saj ndaj më të varfërve të shoqërisë.
Nuk është për tu çuditur, pra, që ditët e fundit, aktorja Anisa Ismajli shpërtheu me lotë dhe me zemërim, nepërmjet një deklarate spontane, tepër kritike, ndaj asaj që ajo e cilëson si “kastë politike”, që po na “thejnë shpirtënisht”. Është një shpërthim natyror e njerëzor ndaj krijimit– që unë e kam konsideruar për një kohë të gjatë — si një boshllëk moral në politikën shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, një shpërthim i një aktoreje të kinematografisë shqiptare që shkundi botën shqiptare për disa ditë. Është një alarm që duhet të dëgjohet nga klasa politike aktuale në Kosovë, por edhe nga të gjithë, anë e mbanë trojeve shqiptare. Është kjo një protestë e një nëne shqiptare e zemëruar, por që fletë në emër të shumë nënave e prindërve të tjerë shqiptarë. Anisa Ismajli pyet se çka po ndodhë në shtetin tonë, Kosovën, që në kulmin e një krize shëndetësore botërore si rrejdhim i përhapjes së koronavirusit, që ka prekur jo vetëm Kosovën e që po cilësohet si kriza më e rëndë në botë ç’prej Luftës së Dytë Botërore — klasa politike shqiptare në Prishtinë zgjedhë pikërisht këtë moment për ta zhytur vendin në një krizë politike të pafund dhe pa përspektivë për një zgjidhje të shpejtë e normale. Si rezultat i të cilës fati i vendit është në dorë të fatit, pa udhëheqje të vërtetë legjitime. Shpërthimi i aktores kosovare, Anisa Ismajli ndaj klasës politike të Republikës së Kosovës, vërtetë, ta këputë shpirtin!
Ja deklarata e plotë – me plotë zemërim e sinqeritet, humanizëm e atdhedashuri — e aktores shqiptare nga Kosova, Anisa Ismajli, marrë nga youtube:
“Kjo sonte çka po ndodhë në këtë shtetin tem, që aq shumë e duam krejt na. Krejt mendoj që kjo kastë politike ashtë, ndoshta 100 prej tyne, ndoshta janë një mijë prej tyre, e na populli, jemi gati dy milionë. A duhet këta njerëz m’u ndalë dhe me thanë se neve shpirtënisht po na thejnë. Nesër bëhen 21 vjetë kur kanë fillu bombardimet. Do me thanë, ka qenë kohë gëzimi për ne, por ka qenë prap se prap nji frikë kur e kisha çikën time tri javësh, në atë kohë. Para 21 vitesh kam kajtë që kështu. Mbas 21 vitesh po kajë prap për këtë vend që ashtë aq i vogël e ashtë kaq i mirë, por që aspak nuk e meriton këtë çka po na ndodhë neve, si popull. Kush na ka mallku deri në këtë masë? Kush na ka mallku? Flasim qysh jemi solidarë ndaj njani tjetrit, jemi popull që kemi shumë shpresë, jemi popull që kemi shumë ardhëmëri, kemi rini. Kjo kastë e politikës – këta s’janë në tokë të bukës,(Zotit) nuk janë në tokë të bukës, se me qenë në tokë të bukës, diqysh duhet me u ndalë…kjo çka po ndodhë me njerëzit e politikës tonë…po më duket se zemra po don me më dalë prej vendi, në këto momente. Hej, ishalla qitni gishtin këtu në kokë e mendoni se duhet me i dhanë fund, për hatër të neve njerëzve që jemi këtu, taksapagues, nuk po vjedhim, kemi nji punë, kemi nji rrogë, aq!
Anisa Ismajli po i flet, në atë mënyrën e vet, klasës politike, ose “kastës politike” shqiptare, ose “njerëzve të politikës tonë” siç i cilëson ajo ata, por që vlen jo vetëm për politikanët në Prishtinë por edhe ata në Tiranë. Ajo flet në emër të gjeneratës së saj dhe të fëmijve të saj, por edhe të shumë të tjerëve, duke u bërë thirrrje përfaqsuesve të tyre të zgjedhur dhe partive politike: Qitni gishtin këtu në kokë e mendoni se duhet me i dhanë fund grindjeve, përçarjeve e ndasive se jemi të gjithë shqiptarë, “për hatër të neve njerëzve që jemi këtu, taksapagues”, u lutet Anisa politikanve shqiptarë me lotë në sy. “Kush na ka mallku deri në këtë masë? Kush na ka mallku?, pyet ajo me sy të përlotur, duke këmbëngulur për një përgjigje.
Me fjalë të tjera, Anisa Ismajli — dhe nepërmjet saj edhe shumë të tjerë e të tjera si ajo, po i bën thirrje klasës politike shqiptare, që me sjelljet e tyre aktuale, me grindjet dhe përçarjet midis tyre, të mos tradhtojnë popullin e vet, para të cilit janë betuar t’i shërbejnë, t’a mbrojnë, t’a mbështesin dhe t’a drejtojnë në rrugën e duhur, drejtë një të ardhme më të mirë për të gjithë. Anisa porositë me lotë në sy se mjaft është mjaft me këto sjellje të papërgjegjëshme dhe anti-kombëtare të klasës politike aktuale.
Populli thotë mjaft! Ju duhet të jeni të vetëdijshëm dhe të veni gishtin në ball për situatën e krijuar, siç sugjeron Anisa Ismajli, por për fat të keq ju nuk jeni të aftë të vlerësoni se sa e rëndë është situate, që ju vet e keni krijuar. “Diqysh duhet me u ndalë”, porositë Anisa.
Ndaloni dhe reflektoni, si individë, si politikanë dhe si parti politike, për situatën e krijuar, para se të jetë vonë! Sidomos në një atmosferë të koronavirusit, që e gjithë bota është angazhuar për ta luftuar së bashku, ndërkohë që ju jeni katandisur në një krizë politike, që sipas ekspertëve, është më e rënda ç’prej luftës në Kosovë. Kriza e koronavirusit do të kalojë, shpresojmë pa dëme të mëdha për shqiptarët dhe për botën, por si t’ia bëjmë me ndasitë dhe përçarjet politike në radhët e politikanëve shqiptarë dhe partive të tyre, të cilët, madje as edhe një murtajë vdekje-prurëse si kjo, nuk i bashkon ata për të mirën e vendit dhe popullit që ata përfaqësojnë.
Mjaftë kanë derdhur lotë Anisat shqiptare. Të gjithë, e sidomos përfaqsuesit e zgjedhur politikë të shqiptarëve duhet të jenë të vetdijshëm ndaj vuajtjeve të popullit dhe të bëjnë çmos që nënat shqiptare, si Anisa Ismaili, të mos derdhin më lotë zemërimi e hidhërimi. Rinia shqiptare, që përmend Anisa Ismajli në deklaratën e saj, është e zhgënjyer, e frikësuar dhe e shqetësuar se ata vet dhe as prindërit e tyre nuk po gjëjnë punë dhe si rrjedhim, rinia shqiptare po merr rrugët e botës për të fituar ndonjë lek për të mbajtur gjallë prindërit e lënë pas, pothuaj në dorë të fatit.
Për 30-vjet tani kemi mbetur duke folur e duke shkruar, por më kot, se grindjet dhe përçarjet politike në dy shtetet shqiptare kanë uzurpuar jetën politike dhe ekonomike, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duke ia zenë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj ekonomik dhe demokratik, një atmosferë kjo që falë influencës në politikë të oligarkëve të korruptuar dhe bashkpunimit të tyre me politikanët shqiptarë — ka helmuar jo vetëm jetën normale politike dhe shoqërinë, në përgjithësi, por edhe median dhe pothuaj çdo aspekt të jetës, të kontrolluar prej tyre.
Uroj që klasa politike shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri të dëgjojë fjalët dhe gjamën e Anisa Ismajlit, si një shenjë e humbjes së durimit dhe zemërimit të qytetarëve ndaj gjëndjes aktuale politike në trojet shqiptare, zemërim që u shpreh me lotët e aktores Anisa Ismailit për vuajtjet e popullit të saj. Me qëllim që nënat shqiptare, si Anisa, të mos derdhin më lotë zemërimi, sepse as ato as shqiptarët, “nuk e meritojnë këtë çka po na ndodhë neve, si popull”.
Frank Shkreli