PERSONALITET I SHQUAR I BUJQËSISË SHQIPTARE
Në Shkodër me 23 shkurt 2020 vdiq prof. Ahmet Osja, i cili i takon plejadës së personalitetëve të shquara nga fusha e bujqësisë shqiptare. Ai ka dhënë një kontribut me vlerë në zhvillimin në fushën e bujqësisë dhe të ushqimit, duke qenë model për kohën por edhe brezave që do të vijnë më pas. Kontributi i studiuesit e shkencëtarit Osja si drejtues i Institutit të Misrit dhe Orizit në Shkodër në veçanti ka të bëjë në krijimin e farave hibride të redimenteve të larta në bujqësi.
Nail Draga
Ahmet Osja ka lindur në vitin 1939 në një familje të thjeshtë por të nderuar në fshatin Luarz në breg të Bunës-Shkodër. Ka diplomuar në Institutin e Lartë Bujqësor(sot Universiteti Bujqësor i Tiranës). Ka filluar të punojë në vitin 1960 si agronom në zonën e Dukagjinit ndërsa më pas nga viti 1968-1970 në ILB Kamzë, duke përfunduar në Stacionin e Zooteknikës në Shkodër(1970-2001).
Në këtë institut për afro 30 vjet punoi si ekspert dhe pastaj si drejtues në Instituti i Misrit dhe Orizit Si koleg i afërt i Akademikut dhe shkencëtarit , Hysen Laçej , njihet për rolin e çmuar në krijimin e hibrideve të rinj të misrit si dhe evolimin e teknologjisë së tij. Osja ka qenë për 9 vjet deputet në Kuvendin e Shqipërisë(1982-1991), ndërsa ka qenë edhe ministër në Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave(1991), si dhe lektor në Universitetin e Shkodrës.
Si deputet i Kuvendit dhe ministër i Bujqësisë, Prof. Osja shpalosi vlerat e një personaliteti akademik me integritet të lartë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Kishte titullin shkencor dr.i shkencave biologjike, ndërsa specializimi profesional dhe jetësor ka qenë agronomia, duke qenë autoritet i rrallë në fushën e bujqësisë shqiptare.
Profesor Osja ka qenë pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Ai është autor dhe bashkë autor i disa botimeve në lëmin e Bujqësisë shqiptare me kolegët e tij sidomos me Profesor Andrea Shundin me banim në SHBA.
Në shtypin periodik ka botuar 394 artikuj. Ishte kryeredaktor i gazetës “Kurora e gjelbër” Ndërsa në sajë të kontributit profesinal të dhënë në botimet në media për çështje të bujqësisë në gazeta qendrore e lokale e në revista Shoqata e Gezetarëve Shqipëtar të Bujqësisë e ka zgjedhur Kryetar Nderi të saj.
Në sajë të vlerësimit të punës profesionale, ai është dekoruar me tituj të ndryshëm si:
2009 – “Mjeshtër i Madh” nga Presidenca e Republikës.
2009 – “Mirënjohja e Qytetit”-Këshilli Bashkiak i Shkodrës
2009 – Forumi i Intelektualëve Shqiptarë , dega Shkodër përfaqësuar nga ish kryetari Gëzim Uruçi e vlerësoi si intelektual i shquar, emblemë e qytetarisë, me njohuri të gjithanëshme në shumë fusha të shkencës e kulturës dhe një personalitet i historisë shqiptar
2010 – “Nderi i Akademisë së Shkencave”-Tiranë,
2016 – “Honoris causa”Universiteti I Shkodrës “Luigj Gurakuqi” etj.
Edhe pas daljes në pension nuk ka qenë pasiv, por vazhdimisht ka udhëtuar si në fshatrat e Shkodrës dhe gjetiu nëpër Shqipëri, duke dhënë këshilla profesioanle, në takime specialistësh bujqësie, duke folur me pasion dhe argumenta me specialistë të fushave të tjera.
Në sajë të kulturës që zotëronte si rrallë kush ofronte të dhëna shumëdimensionale të argumentuara për historinë, krahinat shqiptare, për arkeologjinë, gazetarinë, mjedisin, ujërat, agroturizmin etj., duke ofruar të dhëna me interes për identitetin shqiptar nga kohërat e hershme e deri në ditët tona. Dhe njohuri e dituri të tilla ka pasur mundësi të ofrojë vetëm një person enciklopedik që ishte i rrallë për Shkodrën dhe botën shqiptare.
Ai ishte një emër i nderuar jo vetëm në Shkodër por në gjithë Shqipërinë, sepse ai kishte kudo miq, njerëz të profesioneve dhe moshave të ndryshme nga Vermoshi e deri në Konispol. Ndërsa pas vitëve 90-ta të shekullit të kaluar me hapjen e Shqipërisë ai ishte i pranishëm edhe në Kosovë e kudo ku kishte shqiptarë deri në SHBA. Në veçanti kishte ndjenjë të veçantë për shqiptarët në Mal të Zi(Ulqin, Anë të Malit e Krajë), në sajë të lidhjeve familjare e shoqërore, duke dhënë këshilla shoqërore e profesionale.
Nuk ka dilemë se A.Osja bën pjesë në plejadën e personaliteve të shquara të botës shqiptare. Ata të cilët kanë pasur fatin ta njohin dhe bashkëpunojnë me të janë të një mendimi se të tillët lindin rrallë, ndërsa Shkodra ishte e privilegjuar që e kishte në mesin e saj. Me vdekjen e tij, familja humbi njëriun e dashur, Shkodra qytetarin e nderuar, ndërsa bota shqiptare enciklopedinë e kohës sonë.
(7 mars 2020)