Ilustrim: Rruga për fshatin Zogaj në Ulqin

Lajmi i datës 21.02.2020 i botuar në gazetën ditore „Vijesti” që kazerma e dikurshme ushtarake në Zogaj është duke u konsideruar si opcion për vendosjen e karantinës për Koronavirusin, me të drejtë ka ndjellur habi dhe pakënaqësi tek qytetarët e Ulqinit dhe tek Forca e Re Demokratike.

Banorët e zonës dhe të gjithë qytetarët e Ulqinit kanë mirëkuptim të plotë për nevojën e përgatitjes së një kompleksi për karantinë të përkohshme për sëmundjen e shkaktuar nga Koronavirus. Mirëpo, në episodinin e dytë brenda dy muajve të pakonsultimit me banorët e zonës, qytetarët e Ulqinit dhe Forca e Re Demokratike shprehin habinë dhe ngrisin zërin kundër për hapjen e këtij institucioni të përkohshëm dhe të padëshirueshëm për këtë zonë, kështu thuhet në një kumtesë nga Zyra e shtypit të Forcës së Re demokratike.

Qytetarët e Ulqinit nga Ministria e Shëndetësisë presin lajme të mira për maternitetin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve mjekësore në Anë të Malit. Kemi fatin që Ministria e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit të ketë ndihmësministrin nga e njëjta parti me atë të ministrit të Shëndetësisë dhe me të drejtë presim qasje serioze dhe realizim të investimeve të mirëfillta sipas planeve dhe strategjive për zhvillim e jo tekave të individëve apo partive politike.

Propozimi për fabrikën e bitumit në Krythë dhe propozimi më i ri për karantinën në Zogaj janë „investime” të pashëndetshme për nga natyra dhe janë fyese për nga metodologjia e prapavija e vendimmarrjes dhe për këtë, presim seriozitet të plotë nga të gjitha organet e administratës shtetërore dhe lokale që për mirëqënien, shëndetin dhe dinjitetin e qytetarëve të Ulqinit të tregojnë kujdes të veçantë, përfundon kumtesa e Forcës së Re demokratik.

By admini