Në Ulqin qëndroi për vizitë pune Ministri i komunikacionit dhe detarisë Osman Nurkoviq
Ai u prit nga Kryetari i Ulqinit Loro Nrekiq, kryetari i Kuvendit Dr.Ilir Çapuni dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Në një takim të hapur dhe miqësorë u prekën një sërë temash me interes jo vetëm për zhvillimin e qytetit, por dhe me interes të përgjithshëm.
Krahas çështjeve infrastrukturore në fokus ishin dhe temat nga lëmi e ekonomisë detare, me theks të veçantë në ndërtimin e marinës nën Kalanë e Ulqinit.
Kryetari i Ulqinit, Nrekiq ndër projektet prioritare për komunën ku duhet bashkëpunim me Ministrinë respektivisht me Qeverinë veçoi Bulevardin “Nëna Tereze,” ndërtimin e aeroportit në Shtoj i cili do të kishte efekt dhe rëndësi multiplikative por dhe projekte të tjera infrastrukturore të cilat janë në realizim e sipër.
Ministri Nurkoviq, përshëndeti idenë për realizimin e projektit të Bulevardit ,,Nëna Tereze,, ku sipas tij ndihma e Ministrisë nuk do të mungojë. Ai veçoi rëndësinë e përfundimit të rrugës Ulqin –Sukobinë. Më pas foli për jetësimin e idesë për lundrimin e Lumit Buna në drejtim të Liqenit të Shkodrës, projekt që parashihet të realizohet me ndihmën e fondeve të Bashkimit Evropian por për Ministrin e komunikacionit me interes të veçantë është dhe realizimi i projektit të aeroportit në Shtoj. Ai,vlerësoi rëndësinë e nismave rajonale për forcimin e bashkëpunimit , shkëmbimin e pikpamjeve për zhvillimet rajonale , integrimet rajonale etj dhe vuri theksin në rëndësinë e projektit madhor siç është koridori Adriatiko –Jonian dhe përfitimet që komuna jonë do të ketë nga ky projekt.