Poeti Hajredin Kovaçi është paraqitur këto ditë para lexuesit me përmbledhjen e re me poezi “Vdekja e fjalës”, e cila përbëhet nga 95 poezi, të ndara në tre cikle. Në poezitë e tij, Kovaçi shpreh shqetësimin dhe revoltën për gjendjen ekzistuese të shoqërisë, popullit dhe vendit të tij. Përmes vargjeve, ky poet opozitar reagon ndaj së keqes, gjë të cilën e bën shpesh duke ironizuar fenomenet negative. Një pjesë e poezive të tij janë refleksione të ndjenjave shpirtërore të autorit ndaj njerëzve më të dashur, ngjarjeve dhe vendeve me rëndësi historike etj.    

Libri fillon me recensionet e redaktorit të librit, poetit dhe profesorit universitar Salajdin Salihu, dhe të recensentëve – studiueses së letërsisë Liridona Sinishtaj dhe poetit Argëzon Sulejmani.  

“Si poet shpirttrazuar ai i kundërvihet estetikisht së keqes brenda dhe jashtë nesh, por poezia e tij është thellësisht humane. Si poet shpirtlirë mëton një dashuri të çiltër, që nuk i duron normat ngulfatëse të provincës. Në disa poezi, ai e sheh Ulqinin, Plavën, Rozhajën, Anën e Malit, Gucinë, Krajën e Malësinë, me sytë e një të mërguari. Dhe largësia përherë shumëfishon dhembjet, mallin, por edhe shqetësimin e poetit për tokat që zbrazen çdo ditë. Herë pas here, poezia e tij duket përshkruese, por na trazon ndjenjat”, shprehet ndër të tjera në recensionin e tij redaktori Salajdin Salihu.

Lektor i librit është Ismet Kallaba, redaktor teknik Gazmend Çitaku, ndërsa ballina është punuar nga piktori Agron Ujkashi.

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, kurse është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.

Hajredin Kovaçi ka botuar deri tani vëllimet me poezi: “Ecje pa mbarim”, “Fundi është larg”, “Vrasja e frikës”, “Zhdukja e heshtur” dhe “Vdekja e fjalës”.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 150 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

By admini