Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi z. Faik Nuika ua ka përcjellur Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Albin Kurtit dhe Kryeparlamentares së Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmanit urimet më të mira për zgjedhjet e tyre në pozitat e larta shtetrore në Republikën e Kosovës.

Urimet e z. Nika mund ti lexoni më poshtë.

I nderuar kryeministër  z. KURTI ,

Urojmë që shkresa jonë t’Ju gjejë mirë dhe punët t’Ju vejnë mbarë.

Më lejoni që në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, përmes kësaj shkrese, t’Ju përcjellim përgëzimet tona më të sinqerta, me rastin e zgjedhjes Tuaj si Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Kemi besim të plotë se Qeveria e Kosovës, të cilën Ju do ta drejtoni, do të punojë pa u kursyer për përmirsimin e cilësisë së jetesës së çdo qytetari të Republikës, po aq do të tregoni kujdes edhe për shqiptarët në trojet e tyre në Malin e Zi dhe vendet tjera kudo që ato ndodhen.

Me këtë rast Ju përcjellim gatitshmërinë dhe vullnetin tonë për bashkëpunim sa më të afërt institucional ndërmjet Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, në interes të shqiptarëve në të dy shtetet.

Z. Kryeministër, duke Ju uruar mbarësi në punë, dëshirojmë që qeversja e mirë të rezultojë me forcimin e bindjes së shqiptarëve se të ardhmen e tyre mund ta ndërtojnë në trojet e veta.

Me respekt të veçantë,

K r y e t a r i

Faik Nika

E nderuar znj. Osmani,

Më lejoni që në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe në emrin tim personal, t’Ju shpreh urimet më të sinqerta për zgjedhjen Tuaj kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, institucionit më të lartë i cili përfaqëson vullnetin e popullit.

Ne besojmë se gjatë mandatit Tuaj si kryeparlamentare e Republikës së Kosovës do të punoni fort në përgatitjen dhe miratimin e shumë ligjeve dhe akteve të tjera normative, të cilat do të ndikojnë drejtë për së drejti në cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës, përmes forcimit të shtetit, zhvillimit të qëndrueshëm, paqes e stabilitetit, integrimeve euro-atlantike, procese të cilat pa dyshim do të kenë impakt pozitiv edhe te shqiptarët në rajon.

Ne jemi besimplotë se shumica e re parlamentare, do të angazhohet plotësisht në shërbim të vendit, e po ashtu do të tregojë kujdes të veçantë edhe ndaj shqiptarëve në trojet e veta etnike në Mal të Zi dhe rajon.

Shpresojmë shumë që në një të ardhme të afërt, do të kemi bashkëpunim institucional ndërmjet Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës për çështje në inetres të shqiptarëve në të dy shtetet.

Urojmë që punët për zhvillimin e Republikës së Kosovës t’Ju shkojnë sa më mbarë dhe rezultatet të kthejnë besimin e qytetarëve se të ardhmen mund ta planifikojnë në trojet e tyre. 

Me respekt të veçantë,

Kryetari

Faik Nika

By admini