“Dita e Gështenjës” u shënua edhe sivjet në Krajë. Për ndryshim prej viteve të tjera e për nga natyra festive e këtij shënimi, sivjet ajo u shënua edhe me një veprim të turpshëm të pushtetit paranojak malazez, u shënua me arrestimin e dëbimin e mikut të Krajës, Anës së Malit e të gjithë trojeve autoktone të banuara me shqiptarë në Mal të Zi, thuhet në një reagim të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, transmeton Ulqini Online.

Ky arrestim i përsëritur nuk është i panjohur për neve por kujtuam që të tilla veprime, pushteti malazez tashmë i kishte hequr nga “defteri”. Çdo kushtetutë merr për bazë edhe parimin e kulturës dhe traditës së një vendi. Irfan Domnori, në Krajë ka qenë mysafir i të gjithë neve, e tradita jonë thotë që “shtëpia është e Zotit dhe e mikut”.

Me një arrestim të tillë “kushtetues”, pushteti ka ofenduar të gjithë shqiptarët në Mal të Zi pasi na e kanë “prerë” në besë mikun në konakun tonë. Një gjest i tillë, arrestimi, gjobitje dhe dëbimi i një njeriu shpirtlirë, bujar, të dashur e të respektuar siç është Irfan Domnori, në një formë, sikur i njëjti të ishte rebel, hajdut apo më ekstremja, terrorist që me flamurin kombëtar shqiptar po mundohet të luhasë themelet e shtetit të Malit të Zi (duke harruar për të disatën herë kontributin e madh të shqiptarëve në shtetformimin e Malit të Zi). Ky akt është i papranueshëm për Lidhjen Demokratike në Mal të Zi, besojmë edhe për të gjithë shqiptarët, vazhdon reagimi.

 Andaj, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, shpreh indinjatë të thellë për incidenti e ndodhur, me ç’rast bënë përgjegjës policinë dhe organizatorin e këtij manifestimi gjithëpopullor dhe bënë thirrje, Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Ministrisë për të drejtat e njeriut dhe pakicave në Malit të Zi, Presidentit të Shqipërisë dhe faktorit diplomatik ndërkombëtar  të akredituar në Mal të Zi, të reagojnë dhe të dënojnë këtë akt. Ndërkaq për mikun tonë, z. Domnorin, shprehim keqardhje për rastin e ndodhur dhe ka mbështetjen maksimale morale njerëzore e intelektuale të shqiptarëve në Malin e Zi, përfundon reagimi i LD në MZ.

By admini