Rasti i fundit, i ndodhur në festën tradicionale “Festa e Gështenjës” në Krajë, në të cilën është ndaluar dhe procesuar një shqiptar për shkak të shpalosjes së flamurit kombëtar, tregon qartë fytyrën e vërtetë të disa pjesëtarëve të autoriteteve policore malazeze, të cilët shfrytëzojnë rastet dhe hapësirat ligjore “kundërvënieve” (kolizionin) e ligjeve në Malin e Zi për të shprehur animuzitetin që kanë ndaj simboleve dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, kështu thuhet në një reagim të Këshillit Kombëtar të Shqipëtarëve në Mal të Zi, transmeton Ulqini Online.
Edhe pse shpalosja e simboleve, të cilat shprehin identitetin kombëtar të pakicave që jetojnë në Malin e Zi është e drejtë e garantuar në Kushtetutën e Malit të Zi, edhe pse Ligji aktual në fuqi për përdorimin e simboleve kombëtare e lejon përdorimin e lirë të simboleve në manifestime dhe organizime private, edhe pse Këshilli Kombëtar në dy raste në vitin 2012 dhe 2014 e ka informuar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi hollësisht se cili është simboli, gjegjësisht flamuri kombëtar i shqiptarëve në Malin e Zi, për disa zyrtarë të policisë malazeze kjo shpalosje e identitetit krijon problem dhe këta zyrtarë e shfrytëzojnë nenin famëkeq 23 të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike, sipas të cilit denohen personat që shpalosin simbolin e një shteti tjetër brenda Malit të Zi, vazhdn reagimi i KKSh-së.
Këshilli Kombëtar për rastin në fjalë do të informojë përfaqësitë diplomatike në Malin e Zi dhe do të shprehë qëndrimin e tij, duke cilësuar se këto veprime i vlerëson si shkelje të të drejtave kombëtare të pakicës shqiptare në Malin e Zi, në shkelje me Kushtetutën, Ligjin dhe konventat ndërkombëtare, të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut dhe pakicave.
Qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë është se nuk ka, as nuk do të ketë pushtet në Malin e Zi që do t’i frikësojë shqiptarët në shpalosjen e identitetit të vet kombëtar përmes simboleve nacionale edhe përkundër tendencave të herëpashershme për provokime dhe frikësime.
Shqiptarët në Malin e Zi janë popull autokton, të cilët do të ruajn dhe shpalosin identitetin e vet kombëtar me çdo kusht e në çdo situatë pa cënuar askënd dhe nuk lejojnë të nënshtrohen, t’i krijohet presion, të manipulohen e ngjashëm. Këshilli Kombëtar do të qëndrojë krah çdo atdhetari që don të shprehë identitetin e vet kombëtar, me të gjitha format dhe mjetet demokratike.
Ne do të vazhdojmë me shpalosjen e flamurit kombëtar, sepse jemi në ditët më madhështore për kombin shqiptar, festën e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, përfundon reagimi i KKSh-së i cili është nënshkruar nga kryetari z. Faik Nika.