Njëra ndër ndërmarrjet simbol të qytetit të Ulqinit, Fabrika e mobiljeve ”Kurti” inaguroi ditën e marte fabrikën e re e cila kap vleren e një investim prej 2 milion euro me teknologji të fundit bashkëkohore.

Pronari i kësaj kompanie z. Kabil Kurti në fjalën e tij përshëndetse tregoi në pika të shkurta edhe për fillimet e tija dhe rrugën deri në këtë ngjarje të ditës së sodit, shkruan Ulqini Online.
” Por, nuk mund të lë pa përmendur vitin 1995, vit i fillimit kur nisëm punën, fillimisht si biznes i vogël me 3 punëtorë, për të arritur sot në këtë fabrikë moderne me sipërfaqe prej 3000 m2, me një investim prej 2 milion euro, me teknologjinë e fundit moderne dhe me një numër prej 50 punëtorësh”, u shpreh z. Kurti

Në inagurimin e kësaj fabrike ishte edhe kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq.
“Kjo është një ide e një personi dhe një familje e cila e njeh rrugën ku duhet te shkoj, dhe se sfidat asnjihere nuk janë limit i suksesit” u shpreh ndër të tjera kryeministri Malit të Zi Dushko Markoviq në fjalën e tij përshëndetse

Në inagurim morën pjese edhe zyrtarë të lartë republikan dhe lokal.

Më poshtë keni të plotë fjalimin e z. Kabil Kurti si dhe një video material nga ky aktivitet.

I nderuar z.Kryeminister Dushko Markoviq

I nderuar Kryetar i komunës së Ulqinit, kryetar i kuvendit

Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar

Të nderuar kryetarë të subjekteve politike, deputetë, këshilltarë, udhëeheqës të ndërmarrjeve publike, ambasadorë

Përfaqësues të konfesioneve fetare

Të nderuar përfaqësues të masmedjeve dhe të organizatave joqeveritare,

Të nderuar qytetarë, miq, shokë

Ju përshëndes të gjithëve nga zemra.

Zonja dhe zotërinj,

Ndihem i lumtur dhe i gëzuar që sot jemi të gjithë së bashku në ceremoninë e hapjes së fabrikës tonë të re. Unë ju falënderoj të gjithëve në emrin tim dhe të kolektivit te fabrikës së mobiljeve Kurti që keni gjetur kohë dhe i jeni përgjigjur ftesës tonë.

Nuk do ndalem në numra dhe shifra, për të folur për rrugën dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar Fabrika Kurti ndër vite.

Por, nuk mund të lë pa përmendur vitin 1995, vit i fillimit kur nisëm punën, fillimisht si biznes i vogël me 3 punëtorë, për të arritur sot në këtë fabrikë moderne me sipërfaqe prej 3000 m2, me një investim prej 2 milion euro,me teknologjinë e fundit moderne dhe me një numër prej 50 punëtorësh.

Kjo gjë është arritur me shumë mund, përkushtim dhe seriozitet. Suksesin ia dedikoj ekipit udhëheqës, të gjithë punëtorëve, konsumatorëve, partnerëve në Mal të Zi dhe regjion dhe atyre që besojnë në punët tona.

Po ashtu një falënderim shkon për bankat NLB dhe Erste Banka, si dhe fondi për zhvillim dhe ministrinë e ekonomisë.

Ne edhe nga kjo kremte i premtojmë që obligimet tona si përherë do ti kryejmë me përpikmëri dhe në kohë.

Sot me ne është kryeministri Dushko Markoviq

Dua personalisht ta falënderoj atë për prezencën, për të tërë angazhimin dhe klimën që krijon Qeveria nën udhëheqjen e tij për bizneset në Mal të Zi, për reformat që ka ndërmarrë dhe hapave të rinj që priten të implementohen nga Qeveria për ta bërë dhe më atraktiv dhe konkurrues klimën për bizneset dhe investimet në Mal të Zi.

I nderuar zoti Kryeministër,

Ne, biznismenët në qytetin e Ulqinit kemi besim se ju dhe ekipi juaj do të dini ta valorizoni ashtu siç duhet çdo pjesë të qytetit tonë.

Ju mund të llogarisni përherë në përkrahjen tonë,në potencialin intelektual të të rinjve tanë, por dhe të diasporës tonë.

Si nismëtar për themelimin e BKA-së dhe i lidhjeve me Diasporën mund të theksoj se diaspora jonë, veçmas ajo në SHBA, është ngushtësisht e lidhur me vendlindjen dhe është e gatshme të investojë në fusha të ndryshme, veçmas në fushën e turizmit.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Fabrika Kurti do të vazhdojë të jetë kërkuesja në treg, vend që do të tuboje intelektualë të profileve të ndryshme, vend ku të rinjtë tanë mund të bëjnë realitet idete dhe mendimet e tyre bashkohore.

Edhe një herë ju falënderoj të gjithëve dhe u takofshim përherë në takime të këtij lloji.

Faleminderit

By admini