Nga vitet e kaluara

Edicioni i pestë i SEANEMA FILM FESTIVAL do të mbahet nga data 18 deri më 22 shtator 2019 në Ulqin. Motoja e festivalit këtë vit ështe IN / EXCLUSION që organizohet, tashmë tradicionalisht, nga OJQ Unë veproj (iACT). Gjatë edicionit të pestë do të shfaqen rreth dyzet filma artistikë, me metrazh të gjatë dhe të shkurtër, si edhe filma dokumentarë. Në dy kategoritë kryesore konkurruese të festivalit do jenë prodhimet më të fundit nga Mali i Zi, rajoni, Evropa që shoqërohen me programin special të filmave artistikë dhe dokumentarë, në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së në Mal të Zi dhe EU Info Centre, si edhe përzgjedhja e filmave të shkurtër në garë për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit (programi Short Matters!).  Këtë vit, festivali do të organizojë një program edukativ për nxënës të shkollave të mesme me mbështetjen e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe Qendrës kinematografike në Mal të Zi.

SEANEMA FILM FESTIVAL është një festival unik në Mal të Zi që prezanton konceptin e “artit për ndryshime shoqërore”, një ndërthurje e kinemasë dhe aktivizmit. Ideja që qëndron pas festivalit është stimulimi i rigjenerimit urban përmes zhvillimit të kritereve të reja estetike si dhe përhapja në mënyrë të njëtrajtshme e kulturës filmike nëpërmjet zhvillimit të audiencës në qytetet periferike të Malit të Zi.  “Seanema” inkurajon shkëmbimin ndërkulturor, duke mundësuar një hapësire të re, fizike dhe mediatike, për hapjen e dialogut mbi tema shoqërore që janë aktuale për Malin e Zi, dhe më gjerë.

Çdo edicion ka një përmbajtje specifike, tematike. Kuadri tematik i edicionit të pestë të Seanema përqendrohet në grupet e margjinalizuara shoqërore, gratë, të rinjtë, personat LGBTIQ, grupet etnike dhe racore, personat me aftësi të kufizuara, si dhe ata që gjenden në “kryqëzim” të identiteteve.

Përmes programit të kuruar filmik dhe aktiviteteve shoqëruese, Seanema në edicionin e saj të pestë mban një qëndrim kritik ndaj fenomeneve që bien në kundërshtim me vlerat demokratike. “Seanema” kontribuon në afirmimin e multikulturalizmit në Mal të Zi, pikërisht përmes promovimit të qëndrimit jodiskriminues ndaj identitetit.

Ashtu si vitet e kaluara, edhe këtë vit diskutimet e hapura me publikun do zënë hapësirë të veçantë gjatë festivalit.  

By admini