
Gjekë Gjonlekaj/New York
Vajtja
e astronautëve amerikanë në hënë më 29 në gusht të vitit 1969 dhe vizita e
Presidentit amerikan Richard Nixon në Kinë ishin mrekulli e kohës. Këtë vizitë
në Kinë e kishte përgatitur Këshillëtari i Sigurimit Kombëtar të Shteteve të
Bashkuara Dr.Henry Kissinger. Fotografia e shtrënguarjes së duarëve të Henry
Kissingerit me udhëheqësin e lartë kinez Mao Ce Dunin ishte diçka e
jashtzakonshme. Ajo fotografi historike u botua në të gjitha revistat dhe
gazetat amerikane, pastaj u pa në të gjitha ekranet televizive amerikane dhe
botërore. Deri në atë kohë Kina kishte qënë armiku më i madh i Shteteve të
Bashkuara. Vajtja e Henry Kisingerit në Kinë ishte një hap gjigant për
marrëdhëniet kino-amerikane. Ky ishte mbase hapi më i madh diplomatik i Shteteve
të Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e dijë pse por kjo fotografi ishte
regjistruar përgjithëmonë në kujtesën time. Nuk e kisha menduar kurrë se një
ditë do ta takonja këtë legjendë të diplomacisë botërore.
Në janar të vitit
1999 shkova në Manhattan në Park Avenue dhe në 50 rrugë për të vizituar një mik
timin amerikan. Kisha marrë me vete një kopje të “Kanunit të Lekë
Dukagjinit”(Code of Leke Dukagjini) për t’ia dhënë dhuratë mikut tim. Në këtë
zonë të Manhattanit janë shumë godina të larta dhe luksoze. Ndërsa prisnja
ashensorin (elevator) vura re se aty pranë po afrohej Henry Kissingeri. Pasi u
ndalua ashensori mbajta derën për të hyrë Henry Kissinger. Ai më falënderoi dhe
buzëqeshi. Sjellja fisnike më gëzoi shumë. U ndjeva mirë, bile u ngazlleva dhe
fitova kurajo për të biseduar me këtë diplomat gjenial. E pyeta si jeni
Dr.Kissinger? (How are you Dr. Kissinger?).Ai u përgjegj: ” Mirë, faleminderit”
(Good, thank you). Pasi e preku pullën e ashensorit e kuptova se zyra e tij
ishte në katin 45. Bisedën e fillova, duke e përgëzuar për disa shkrime që
kishte botuar ato ditë në shtypin amerikan për çështjen e Kosovës. Më
falënderoi duke buzëqeshur dhe shtoi se po i vinte mirë që më kishin pëlqyer
shkrimet e tij ngase një javë më përpara kishte marrë pjesë në një konferencë
ballkanike në Budapest ku kishte folur edhe për çështjen e Kosovës dhe shtoi se
një shqiptari pjesëmarrës në atë konfërëncë nuk i kishin pëlqyer pikëpamjet e
tij. Mbasi ai kishte të drejtë tha Dr. Kissingeri por unë kisha paraqitur
qëndrimin tim për atë rajon. Ndërsa po bisedonim për këtë çështje ashensori
ndaloi në katin përkatës. Ashtu siç e kisha në dorë i tregova Kanunin e Lekë
Dukagjinit, dhe i tregova shkurt se ky ishte Kodi më i vjetër shqiptarë dhe
shtova se ishte i shekullit XV. Ne e quajmë “Magna Karta” e shqiptarëve dhe dua
t’ua japë dhuratë. Atëherë tha: ” Të lutem shkojmë bashkë në zyrën time”. Në
dhomën e pritjes të asaj zyre isha shumë i lumtur që mu dha rasti të takoj një
personalitet aq të njohur. Qëndrova në atë dhomë duke menduar për fjalitë që do
t’i shkruaj në faqen e parë të Kanunit. Në atë kopje dhuratë (complimentary
copy) shkrova:” Ish Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe diplomatit më të madhe
të këtij shekulli, Profesor Dr. Henry Kissingerit ia dhuron këtë Kod Shqiptar
botuesi Gjek Gjonlekaj ish gazetar i Zërit të Amerikës”, dhe u largova shumë i
lumtur që më u dha mundësia e lidhjes më këtë gjigant të diplomacisë botërore.
Megjithatë nuk e prisnja kurrë, por pas një jave mora një letër shumë miqësore
prej tij. Në atë letër më falënderonte për dhuratën dhe për fjalitë e
shkëlqyeshme që kisha shkruar në faqen e parë të Kanunit. Pastaj shkruante për
botimin e mirë(fine print) duke shënuar se do ta vendoste me librat tjerë në
bibliotekën personale. Letra ishte shumë e shkurtër por fjalët ishin shumë
miqësore. U gëzova shumë dhe pas disa ditësh i dërgova me postë dhe libra tjerë
anglisht për Kosovën, midis tyre edhe librin e mrekullueshëm të historisë së
Kosovës “Ipeshkëvia Shkup-Prizren nëpër Shekuj” të Dom. Gaspër Gjinit dhe në atë
pako vura edhe 5 vepra anglisht të Ismail Kadaresë. Përsëri mora letër
falënderimi prej tij.
Gjithëmonë kisha qënë kurioz për qëndrimin e tij
rreth problemeve të Kosovës. Gjatë viteve 80′ Henry Kissingeri kishte lidhje të
mëdha me Lawrence Eagelburger ish konsull dhe më vonë ambasador i Shteteve të
Bashkuara në Jugosllavi, i cili në Administratën e Presidentit George H.
Bush,ishte Ministër i Jashtëm i këtij vendi.Emërimi i tij në këtë detyrë i
kishte shqetësuar shqiptarët e Amerikës ngase Lawrence Eagelburger kishte qënë
mik i madh i Jugosllavisë. David Binder i gazetës “The New York Times”
shkruante se duke kaluar nëpër korridorin e Departamentit të Shtetit kishte
dëgjuar duke folur sërbo-kroatisht Këshillëtarin e Sigurimit Kombëtar Brent
Scowcroft dhe Sekretarin e Departamentit të Shtetit Lawrence Eagelburger,
Gjenerali Brent Scowcroft kishte shërbyër për një kohë atashe ushtarak në
Beogrd. David Binder kishte nxjerrë në dritë në “The New York Timës” edhe një
studim të CIA-s në lidhje me mundësinë e bashkimit kombëtar të popullit shqiptar
në trojet e veta në Ballkan. Opinionet e Henry Kissingerit për çështje
ndërkombëtare ishin vlerësuar gjithëmonë qysh në kohën e Administratës të
Richard Nixon e deri sot. Presidentët e ketij vendi gjithëmonë kërkojnë
mendimin e tij për probleme të ndërlikuara ndërkombëtare. Zakonisht ato botohen
në revistat më prestigjioze të Amerikës. Gjatë sulmeve të NATO-s kundër
Jugosllavisë ne prisnim mendimin e tij për Kosovën. Nuk vonoi shumë dhe një javë
pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosvovë botoi në revistën amerikane
“NEWSWEEK” shkrimin 3 faqesh me titull:” Ndërsa gëzimi po venitet”.
Dr. Henry Kissinger shkruante:”
Për ne që e morëm në pyetje aftësinë e
diplomacisë para luftës në Kosovë , kemi borxh respektin e duhur Administratës
së Klintonit për qëndresën e pamposhtur, aftësinë per të mbështetur bashkimin e
Aleancës, dhe marrëveshjen e heshtur të Rusëve. Por fitorja na lën me një sfidë
po aq të vështirë: të evitojmë praninë tonë të përhershme, ne një kënd të
Ballkanit si pushtuesë modernë, sikur kishin qënë Perandoritë Otomane dhe
Austriake.
I ashtuquajtur plani Petersberg rrezikon të ngelet i hapur në dy
anët, duke na detyruar përzierjen tonë edhe më thedhë, duke na vënë në rolin e
xhandarëve në një rajon me urrejtje të thedha për njëri tjetrin, ku ne kemi pak
interesa strategjike.
Edhe ku plani i paqës bie dakord me marrëveshjet e
Rambujesë, prapë se prapë rrezikon pjesëmarrjen e përhershme Amerikane në një
seri konfliktesh të pafund dhe mundësisht një luftë guerile.
Gjuha bombastike
e marrëveshjes ishte hartuar të ishte e pakapërcyeshme, që secila palë mund t’i
konsideronte rezultatet si të favorshme për veten e tyre.
Plani i paqës
ndalon tek autonomia dhe afirmon vazhdimisht sovranitetin a Jugosllavisë. Por
Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi dhe vuajti per pavarësinë dhe jo për
autonomi.
Pas gjitha vuajtjeve që përjetuan ushtarët e UÇK’së dhe popullsia e
Kosovës gjatë spastrimit etnik, të jenë pjesë e Serbisë është e papranueshme për
ata. Çmilitarizimi i UÇK’së është edhe më i vështirë te imagjinohet se mund të
ndodhë.
Evolucioni I Kosovës do të ketë ndikim të thedhë në vëndet fqinje.
Ndikimi i parë do të jetë për shqiptarët e Maqedonisë ku ata përbëjnë rreth 25
përqind të popullsisë. Ka shumë mundësi që edhe ata do të kërkojnë të paktën, të
njëjtat të drejta sikur kosovarët. Edhe shkatërrimi i Maqedonisë mund të
shkaktojë një shperthim tjetër Ballkanik. Të njëjtat presione mund të ndihen
edhe nga komuniteti i vogël shqiptar në Mal të Zi. Gjithashtu ka thirrje për një
Shqipëri të bashkuar, të inkurajuar nga Tirana dhe emigrantët shqiptarë që
furnizojnë mbështetjen financiare.
Do të ishte mençuri e madhe sikur të
prisnim nenin Gordian, duke I dhëne pavarësinë Kosovës si pjesë e zgjidhjes të
problemit Ballkanik.
Kosova eshtë bërë simbol i humbjes së influencës Ruse në
botë.
Ishin këto disa fjali nga analiza e Kissingerit për të ardhmen e Kosovës botuar në revistën Newsweek, një javë pas hyrjes së NATO’s në Kosovë.
Shkrim im nuk ka asnjë qëllim tjetër, vetëm për t’i treguar lexuesit
modestinë dhe fisnikërinë e këtij titani të diplomacisë amerikane dhe
botërore.