Organizata e shoqërisë civile Horizonti i Ri, në partneritet me Organizatën Turistike të Ulqinit dhe Bibliotekën e Qytetit, po realizojnë projektin me titull “NDËRTIMI I PAQES – PRIORITET PËR KOMUNITETIN TIM”.
Qëllimi kryesor i këtij projektit është të fuqizojë dialogun ndërkulturor dhe të promovojë paqen dhe mirëkuptimin midis të rinjve në Ulqin dhe më gjerë. Programi ndiqet nga të rinjtë e moshës 16 – 19 vjeç, respektivisht nga nxënësit e shkollave të mesme në Ulqin, të cilët kanë shprehur interes që të njohin dhe të përforcojnë rolin e vet në shoqëri e veçanërisht në proceset e ndërtimit të paqes.
Aktiviteti kryesor i këtij projekti është “Shkolla e ndërtimit të paqes” – një program i veçantë i edukimit joformal, i cili organizohet në Këndin për të Rinj, në Bibliotekën e Qytetit. Ky program do t’i ndihmojë pjesëmarrësit të zhvillojnë kompetenca në të kuptuarit dhe zgjidhjen e konflikteve, nxitjen e njohjes reciproke, ballafaqimin me të kaluarën, ndërtimin e paqes, çështjet e identitetit, format e paragjykimeve, dhunës e të diskriminimit, por edhe të planifikojnë aksione për avancimin e zhvillimit të komunitetit lokal.
Përveç këtij programi, të rinjtë do të marrin pjesë edhe në vizita studimore në lokalitete të ndryshme të Malit të Zi; në institucione publike, arsimore, kulturore e fetare si dhe në objekte të trashëgimisë kulturore. Më pas, pjesëmarrësit e projektit do të angazhohen në përgatitjen e një materiali të shkurtër filmik, përmes të të cilit do të promovojnë paqen, tolerancën dhe dialogun ndërkulturor. Kurse në fund të projektit, liderët rinorë do organizojnë një edhe një konferencë për media në të cilën do shpalosin njohuritë dhe shkathtësitë e fituara gjatë këtij angazhimi, por edhe do të përçojnë mesazhe për politikbërësit lokal për nevojën e angazhimit më të madh në aktivitetet e ndërtimit të paqes në komunitetin lokal.
Projekti mbështet nga Qendra e Komunikimit Rinor nga Banja Lluka, përmes fondeve të Bashkimit Evropian.