Nga Frank Shkreli

 

Anë e mbanë botës,15 Shtatori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.  Është kjo një ditë e cila festohet anë e mbanë botës, ç’prej vitit 2007, kur Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me një rezolutë përcaktoi këtë ditë si dita që t’i kushtohet botërisht promovimit dhe zbatimit të parimeve të demokracisë, ndërkohë që u kërkohet vendeve anëtare të OKB-së të kujtojnë këtë ditë në mënyrat më të mira dhe më të përshtatshme për promovimin e vlerave dhe parimeve të demokracisë.

 

Në mesazhin e tij në Ditën e Ndërkombëtare të Demokracisë, të shtunën që kaloi, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, (OKB-së) Antonio Guterres, u shpreh se, “Demokracia përballet sot me trysnitë më të mëdha se çdo herë tjetër, në dekada”. Sipas udhëheqsit të OKB-së, “Dita Ndërkombëtare e Demokracisë” ishte një rast i mirë, që vendet anëtare, anë e mbanë botës, të përpiqen të gjëjnë mënyra për të ringjallur dhe për të rifuqizuar demokracinë, duke “Kërkuar zgjidhje ndaj sfidave për ndryshime sistemike, me të cilat përballet ajo sot.”

 

Sipas udhëheqsit të OKB-së, këto përpjekje duhet të përfshijnë “masat për të zhdukur pa barazitë që ekzistojnë në fushën ekonomike dhe politike, me qëllim për t’i bërë demokracitë më gjithëpërfshirse, për të tërhequr të rinjtë dhe të rejat si dhe të margjinalizuarit e shoqërisë, që të bëhen pjesë e sistemit politik për t’i bërë demokracitë më novatore dhe më të përgjegjëshme ndaj sfidave të reja siç janë emigrimi dhe ndryshimet atmosferike”, ka nënvijuar Antonio Guterres i OKB-së.  Ndonëse këtë vit shënohet edhe 70-vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Dita Ndërkombëtare e Demokracisë na jep rastin që të theksojmë vlerat e demokracisë dhe respektin për të drejtat e njeriut, si elementët bazë të një demokracie të vërtetë, ka thënë ai.

 

Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në një deklaratë për medien me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë rithekson “Besimin e tij të plotë dhe të pa lëkundur në demokracinë si formën e qeverisjes me kapacitetin më të madh për të avancuar paqën, begatinë, sigurinë si dhe sistemin më të mirë për të ruajtur dhe për të mbështetur të drejtat universale të njeriut, liritë themelore dhe dinjitetin e çdo personi.”   Por, amerikanët nuk e kanë konsideruar kurrë demokracinë dhe të drejtat që ajo garanton, si diçka ekskluzive të tyre.  Në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet gjithashtu se, “Idealet demokratike janë thelbi i politikës tonë të jashtme. Vendet me demokraci funksionale janë aleatët tanë më të ngushtë dhe partnerët tanë më të fortë, në përballimin e sfidave botërore.”   Në deklaratën e zëdhënses së (DASH), Heather Nauert, thuhet se, Shtetet e Bashkuara “Nuk rrinë duarkryq kur qeveri të ndryshme kufizojnë dhe shkelin të drejtat e qytetarëve të tyre, ndërkohë që ato qeveri me veprat e tyre minojnë besimin publik ndaj proceseve dhe institucioneve demokratike. Historia është dëshmitare”, vazhdoi ajo, “se ata që rrezikojnë dhe shkelin të drejtat e popujve të vet, ka të ngjarë se heret ose vonë do të rrezikojnë edhe të drejtat e popujve të tjerë.”  Kjo është arsyeja, theksoi ajo me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, se ne mbështesim të gjithë ata të cilët u bëjnë thirrje qeverive të tyre që të respektojnë të drejtat dhe liritë individuale, të forcojnë sundimin e ligjit, të parandalojnë dhe të luftojnë korrupcionin dhe të respektojnë votën e lirë, është shprehur zëdhënsja e DASH, Heather Nauert, në deklaratën e saj për media me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demorkacisë. Ajo ka mbyllur deklaratën e saj duke nenvijuar qendrimin e qeverisë amerikane, se Shtetet e Bashkuara bashkohen — me qeveri dhe organizata të ndryshme dhe individë që mendojnë si ne përsa i përket demokracisë – në angazhimin e tyre të përbashkët për të promovuar, për të mbrojtur dhe për të avancuar vlerat demokratike në vendet e tyre dhe në mbarë botën.

 

Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë këtë vit unë e kalova në Shqipëri dhe më parë kisha vizituar Kosovën, gjithsejt qendrova në trojet shqiptare për një periudhë prej tri javësh, ku edhe promovova botimin e tre vëllimeve librit, “Demokracia Nuk Pret” kohët e fundit në Tiranë.    Gjatë kësaj kohe pata mundësinë të bisedoja me dyzina shqiptarësh nga të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.  Nga bisedat me ta u ndesha me një pakënaqsi të gjithanëshme nga një numër dërmues i bashk-folësve, në lidhje me gjëndjen e rënduar aktuale politike dhe ekonomike —  përfaqësues dhe votues të partive në pozitë dhe në opozitë, pa përjashtim, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Duket se pakqënaqësia në radhët e shqiptarëve ndaj zhvillimeve në vend, kudo në trojet shqiptare, nuk përcaktohet nga mbështetjet që ata mund të kenë për një parti politike ose një tjetër.  Pakënaqsitë janë të prëgjithëshme dhe të theksuara.  Duke filluar nga kamerierët, shoferët e taksive e deri tek pronarët në gjëndje të mirë ekonomike, por sidomos të rinjtë dhe të rejat janë më të zhgënjyerit e të cilët shohin emigrimin si të vetmen alternativë për një jetë më të mirë për ta.  Të rinjtë dhe të rejat, madje edhe ata që mund të kenë një punë, ndosnëse me rroga të ulëta, e ndjejnë veten të margjinalizuar dhe të pa përsektivë për të ardhmen.  Ndërsa ata që sado në pakicë, thonë se janë pak a shumë mirë ekonomikisht shprehen se ndjehen të pasigurt, duke mos ditur se çfarë sjellë e nesërmja. Biznesi, tha njëri prej bisnezmenëve me të cilin fola, nevojitë siguri dhe përspektivë për të ardhmen.  “Ne nuk dimë se ç’do të sjellë e ardhmja, pasi edhe po të ndryshohen qeveritë, secila prej tyre sjellë njerëzit e vet në administratë dhe ndryshon ligjet e qeverisë aktuale ose të qeverive të mëparshme, duke ia filluar nga e para.”  Vura re, fatkeqsisht, jo vetëm një “trysni sistemike” – siç e ka cilësuar Sekretari i Përgjithëshëm I OKB-së — të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë, për të mos thënë një krizë në themel të eksperimentit me zhvillimet e demokracisë në trojet tona.

 

Sidoqoftë, biseda jo formale më dyzina shqiptarë të moshave dhe të profesioneve të ndryshme nuk është një anketë shkencore, por është diçka që ven në dukje mungesën e llogaridhënies, transparencës dhe të një qeverisjeje të përgjegjëshme ndaj votuesve shqiptarë kudo.  Dihet se, jo vetëm politika, por edhe faktorët ekonomikë luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë dhe dhe luajnë një rol kritik në zhvillimin e demokracisë në cilindo vend qoftë. Kur dështon demokracia, dështon edhe ekonomia dhe rrezikohet rëndi e qetësia. Demokracia e vërtetë nevojitë pjesëmarrjen e plotë për të pasur një zë në mënyrën se si qeveriset, me qëllim që të mbajë përgjegjëse entet qeveritare dhe politikanët që drejtojnë ato për veprimtaritë e tyre dhe të kërkojnë prej tyre llogari, pasi ideja e ekzistencës së tyre në një demokraci të vërtetë është që t’i shërbejnë nevojave të popullit, pasi financohen nga taksat e të gjithëve.  Fatkeqësisht, bazuar në bisedat me njerëz të informuar mirë të shoqërisë, si në Kosovë ashut edhe në Shqipëri, u largova nga trojet tona me ndjenjën për të cilën është folur aq shumë gjatë këtyre viteve se oligarkët (për të cilët kishte folur dikur ish-Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerry) kanë uzurpuar shtetin dhe po diskreditojnë imazhin e demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë, janë më evidente se kurrë sot në Shqipëri dhe në Kosovë.

 

Jam i vetdijshëm se pas një qëndrimi prej tri javësh në Kosovë dhe në Shqipëri, vlerësimit tim në këtë ditë të “Ditës së Demokracisë Ndërkombëtare” 2018 — gjëndjes aktuale të zhvillimit të demokracisë në trojet tona i mbetet shumë për t’u dëshiruar.  Ishte folur në fillim të këtij shekulli se shekulli 21 do të ishte, më në fund, “Shekulli i shqiptarëve”, i momentit historik, kur vet shqiptarët si kurrë më parë, do t’a kenë në dorë fatin e zhvillimit të vet demokratik, historik e natural të Kombit.  Prandaj, mesazhi në këtë ditë të demokracisë ndërkombëtare për këtë brez të politikanëve shqiptarë, duhet të jetë që me sjelljet e tyre në mbrojtje të interesave ekonomiko-financiare dhe partiake, dhe me “komeditë e tyre”, (siç i kishte cilësuar dikur Fan Noli) — pikërisht në këtë moment të historisë së Kombit shqiptar — të mos pengojnë proceset natyrore të historisë, e cila shpresojmë të ketë filluar t’i korrigjojë gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi shqiptar gjatë shekujsh.  Për ndryshe, ashtu siç ka paralajmëruar edhe Noli në fillim të shekullit të kaluar, “Optimizmi s’ka vend dhe trembem se diç do ngjasë”.

 

Shqipëria dhe Shqiptarët, që pas rënies së komunizmit dhe pas fitores historike të Pavarësisë së Kosovës, mund të thuhet se, “U ngjallën nga idealistët dhe u ruajtën nga rastet”, por siç është shprehur edhe Fan Nolit, shpresojmë që tashti të “mos vriten nga politikanët.”   Urojmë që politikanët shqiptarë kudo në trojet e veta – do të ndërpresin komeditë e tyre politike dhe do të mënjanojnë rrezikun, duke u bashkuar me vendet mike demokratike të shqiptarëve dhe të angazhohen për një demokraci të vërtetë, jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, por për çdo ditë të jetës së tyre publike në shërbim të popullit të vet, që u ka dhënë atyre besimin t’a udhëheqi.  Për këtë të mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos u mbani peng nga e kaluara, por të punohet seriozisht dhe në bashkpunim me njëri tjetrin, por edhe në bashkrendim politik dhe ekonomik midis Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete të pavarura — për zhvillimin e një demokracie të vërtetë për Kombin shqiptar.  Për një komb shqiptar aq dinamik dhe dashamirës i pavarësisë, demokracisë dhe lirisë, i cili i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të realizuar ëndrrën e rilindasve të shekullit të kaluar për një Shqipëri të pavarur, të bashkuar demokratike dhe në liri e paqë me veten dhe me të tjerët, sepse Demokracia nuk pret.

 

Frank Shkreli

 

 

By admini