Zgjedhjet presidenciale që do të mbahen të dielën, më 15 prill, në Mal të Zi, janë edhe një sprovë për politikën e partive shqiptare dhe (jo)konsistencën e qëndrimeve të tyre, në raport me votuesit e vet dhe pushtetin në Mal të Zi, kështu shkruan ndër të tjera gazetari dhe analisti politik Ismet Kallaba në shkrimin ” Shqiptarët dhe zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi” për të përjavshmen Koha Javore.

Por ajo që të befason është “uniteti” i partive shqiptare, të përçara jo vetëm politikisht, por në shumë aspekte, në mbështetjen e kandidatit për president. Tashmë partitë kryesore shqiptare dhe ndonjë parti minore janë rreshtuar hapur në favor të kandidatit të partisë në pushtet, Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, si kandidati më i pranueshëm për shqiptarët dhe Malin e Zi. Arsyetimi i pothuajse të gjitha partive shqiptare është i njëjtë: Millo Gjukanoviqi është garant i stabilitetit dhe i proceseve integruese euro-atlantike të Malit të Zi.

Problemi i vetëm ishte, si duket, se cila parti shqiptare do të jetë e para që do të çajë ujin, domethënë do të mbështesë Gjukanoviqin. Më pas, si në kor, njëra pas tjetrës, jo me shumë bujë, deklaruan se e mbështesin Gjukanoviqin. Pra, atë që nuk kanë arritur ta bëjnë as Sali Berisha, as Edi Rama, as Hashim Thaçi, as Albin Kurti apo ndonjë tjetër, që t’i bashkojnë shqiptarët më herët në zgjedhjet parlamentare apo së fundmi në zgjedhjet lokale në Tuz dhe Ulqin, ka arritur ta bëjë Millo Gjukanoviqi, duke i bashkuar partitë shqiptare, jo për interesat e shqiptarëve, por për interesin e vet dhe të politikës që ai përfaqëson. Me pafytyrësinë dhe paturpësinë më të madhe partitë politike shqiptare i kanë ftuar simpatizantët e vet të votojnë për Gjukanoviqin, pa çka se vetëm para dy muajsh, në zgjedhjet lokale në Ulqin, deklaronin se duhet t’i votojnë ata (partitë nacionale) sepse PDS-ja përbën rrezik për Ulqinin!

By admini