( Me rastin e 20-vjetorit të demonstratës historike të diasporës shqiptare në Washington )

Nga Xheladin Zeneli 

Një ndër demonstratat më të fuqishme që është organizuar lidhur me çështjen e Kosovës në kryeqytetin e SHBA-ve, ishte ajo e datës 25 Mars 1998.
Vitet ’90-ta të shekullit të kaluar karakterizohen me aktivitete të shumta të diasporës shqiptare në SHBA në aspektin e ndërgjegjësimit të çështjes shqiptare të Kosovës. Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane me në krye ish kongresistin me prejardhje shqiptare, z. Joseph DioGuardi ka luajtur rolin kryesor në lobimin e ligjëvenësve dhe të administratës amerikane,për çështjen e drejtë të Kosovës, pra për lirinë dhe pavarësinë e saj, prej nga fundi i viteve ’80-ta të shekullit të kalaur e deri në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia.
Lobimi dhe ndërgjegjësimi për çështjen e Kosovës është realizuar në forma të ndryshme,si përmes seancave dëgjimore (dëshmive), rezolutave në Kongresin Amerikan, mbledhje fondesh për fushatat parazgjedhore të kongresistëve dhe senatorëve amerikan, organizimin e vizitave të delegacioneve të ligjëvenësve amerikan në Kosovë si dhe sjellja e lidërve shqiptarë në Ballkan në vizita dhe takime me zyrtarët e SHBA-ve, në Washington.
Një ndër mënyrat e tjera e ndërgjegjësimit të çështjes së Kosovës ishte dhe ajo përmes protestave dhe demonstratave në qendrat vendim-marrëse siç janë New York-u dhe Washington-i. Gjatë viteve ’90-ta janë organizuar disa demonstrata të mëdha por vlen të veçohen ajo e muajit Korrik të vitit 1991,organizuar nga LQSHA, ku sipas vlerësimeve të organizuesit,aty kanë demonstruar rreth 10.000 pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe me ç’rast para tyre kanë folur senatorët Bob Dolle, Klaiborne Pell, Lerry Pressler, Al D’Amato dhe Gilman, si dhe kongresistët Lantos,Porter dhe Broomfield.

Kurse me 25 Mars 1998, 20 ditë pas rënies heroike të Adem Jasharit dhe Familjes së tij në Prekaz, komuniteti shqiptar në SHBA u mobilizu si asnjëherë më parë duke ngritur zërin e fuqishëm të tij në mbrojtje të të drejtave të bashkombësve të tyre në Kosovë, duke mbajtur demonstratën e radhës në qendrën më të rëndësishme vendim-marrëse në botë, pra në Washington DC. Kjo ishte një ndër demonstratat më të organizuara pasi që në përgatitjen dhe realizimin e saj muarën pjesë dhe u angazhuan pothuajse të gjitha shoqatat,organizatat dhe fondacionet e diasporës shqiptare që vepronin atëherë në SHBA, nën drejtimin e LQSHA dhe Joseph DioGuardin. Udhëtimi i protestuesve drejt kryeqytetit të Amerikës, ishte i organizuar kryesisht përmes autobusave me ç’rast janë përcaktuar pikat nisëse nga qendrat e qyteteve si nga New York-u, Chicago ( Illinois), Detroit (Michigan), New Jersey ,Pennsylvania , Connecticut, Boston (Massachusetts) etj., por edhe nga qendrat e tjera të shteteve të Amerikës ku jetojnë shqiptarët.Ka pasur pjesëmarrës që kanë udhëtuar edhe me automjete private nga vendet të ndryshme si dhe pjesëmarrës që kanë udhëtuar nga shteti i Kanadas.
Ajo çfarë binte në sy ishte se aty kishte shqiptarë me prejardhje nga gjitha trojet tona etnike , pra nga Shqipëria, Kosova, nga Ilirida (Maqedonia), Lugina e Preshevës, nga trevat shqiptare nën Mal të Zi, nga Çamëria, të gjithë të bashkuar me moton: Një Komb,Një Qendrim!.

Demonstrata e atëhershme (pra, para 20 viteve), ka filluar në orat e para të mengjezit në Sheshin Lafajet ( Lafayette Square), i cili gjendet përball Shtëpisë së Bardhë, ku kanë folur disa aktivistë dhe drejtues të ndryshëm të organizatave shqiptare, fjalimet e të cilëve janë përcjellur me brohoritjet e shpeshta të demonstruesve ,në gjuhën anglishte si p.sh. “USA,USA,” “ Kosova, Rugova, UÇK “, Liri për Kosovën”, “Njohe Kosovën, Amerikë !”, “ Ne do japin jetën tonë, por jo Kosovën “, “ Shqiptarët e bashkuar kurr nuk do të mposhten”, etj.
Pastaj,përmes këtyre brohoritjeve, si dhe duke mbajtur lart pankarta të ndryshme në mbështeje të Kosovës, si dhe duke mbajtur fotografitë e viktimave të masakrave të fundit të kriminelëve serb ndaj shqiptarëve, demonstruesit janë rreshtuar dhe kanë filluar të ecin përgjatë rrugës Pensilvania ( Pennsylvania Avenue), e cila lidh Shtëpinë e Bardhë me Kapitol Hill, pra me ndërtesën e Senatit dhe Kongresit Amerikan,para së cilës ishte vendosur podiumi për folësit e radhës.
Duhet cekur se kësaj demonstrate i parapriu një seancë dëgjimore në Kongres (organizuar poashtu nga LQSHA), e cila kishte për qëllim përkrahjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe si rezulltat i kësaj seance i derguari i atëhershëm special i Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin, z.Robert Gelbard e tërhoqi deklaratën e tij të mëparshme ku ai e kishte karakterizuar UÇK-në si organizatë “terroriste”.
Në këtë seancë Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare e LQSHA, në mes tjerash i thotë z. Gebard se “.. UÇK nuk është organizatë terreoriste, si dhe 500.000 shqiptarë të Amerikës, të gjithë janë UÇK..”.
Pas përfundimit të seancës dëgjimore, demonstruesësve iu janë drejtuar disa ligjëvenës amerikan , miq dhe përkrahës të njohur të shqiptarëve dhe të çështjes së Kosovës, si Lantos, Gilman, Engel,Maloney, etj., fjalimet e të cilëve janë pritur me brohoritje dhe me duartrokitje të vazhdueshme të pjesëmarrësve. Vlen të veçohet fjalët e kongresistit Eliot Engel kur tha : “….Kam një lajm për Millosheviqin.., të vetmit terrorist që unë shoh në Kosovë, janë terroristët serb…”.
Pra, motivi kryesor demonstratës së 25 marsit ishte përkrahja e UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare.

Nga shkallët e ndërtesës së Kongresit, ishte një pamje madhështore ku mud të shiheshin mijëra demonstrues të cilët brohoritnin emrin e SHBA-ve dhe të Kosovës si dhe mbanin flamuj shqiptar dhe amerikan, me një mesazh të qartë dhe të fuqishëm për vëllezërit dhe motrat e tyre në Kosovë, të cilët po kalonin ditët e tyre më të vështira. Dhe ky mesazh ishte: Ju nuk jeni vetëm, do të jemi me ju deri në fund, deri në lirinë e plotë të Kosovës.
Është vështirë të dihet numri i saktë i pjesëmarrësëve në demonstratën e 25 Marsit 1998, por duke u bazuar në video inxhizimet,në numrin e madh të autobusave që kanë transportuar demonstruesit në Washington, si dhe kolonën e gjatë të demonstruesve përgjatë rrugës Pensilvania (pra prej Shtëpisë së Bardhë deri në Kapitol Hill), mund thuhet se numri i pjesëmarrësve ishte me disa mijëra vetë.
Jam i bindur se kjo ishte një ditë e paharruar për secilin shqiptar që muar pjesë në këtë demostratë historike.

Plot një vit pas demonstratës, përkatësisht me 24 Mars 1999 , nën udhëheqjen e SHBA-ve dhe presidentit Bill Clinton,do të fillojnë sulmet ajrore të NATO-s ndaj caqeve ushtarake të Serbisë, me ç’rast filloi çlirimi i shumëpritur i Kosovës nga okupatori serb.

Roli vendimtar dhe kontributi historik i Diasporës Shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë viteve ’90-ta të shekullit të kaluar në aspektin e ndërgjegjësimit dhe lobimit të çështjes së Kosovës, dëshmoi se kjo Diasporë, në vazhdimësi, ka qenë, është dhe do të jetë gjithënjë e përkushtuar për atdheun dhe për çështjen kombëtare shqiptare.

25 Mars 2018
New York

By admini