Zyra e BE-së në Kosovë: Ende duhet të punoni për liberalizimin e vizave, e keni edhe këtë kusht
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e udhëhequr nga Natalia Apostolova, ka përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, duke e quajtur moment të rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj.Në deklaratën e Zyrës së BE-së në Kosovë thuhet se ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është shembull konkret i përkushtimit të Kosovës ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe gjithashtu një nga dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave për Kosovën është përmbushur.“Dëshirojmë të shprehim urimet tona të përzemërta për ligjvënësit e Kosovës që e bënë të mundur këtë gjë. Procesi ishte i gjatë dhe me raste i mundimshëm, por në fund u arrit rezultati i duhur për popullin e Kosovës. Sidoqoftë, me keqardhje pamë që diskutimi në Kuvend u pengua nga përpjekje të vazhdueshme për t’i ndërprerë procedurat duke lëshuar gaz lotsjellës. Ne, i dënojmë me forcë të gjitha aktet e dhunës kundër ligjvënësve të Kosovës; praktika të tilla nuk kanë vend në diskursin politik”, thuhet në komunikatë, shkruajnë mediat kosovare.
Por, sipas komunikatës thuhet se duhet rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter i dytë për heqjen e vizave.“Shpresojmë dhe presim që bashkëpunimi ndërpartiak për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të jetë shenjë e lëvizjeve të ardhshme në çështjet me rëndësi të madhe për Kosovën. Tash, vëmendja duhet të përqendrohet në forcimin e rezultateve të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presim që të gjitha palët të vazhdojnë punën e madhe dhe përpjekjet për përmbushjen e kriterit të mbetur për liberalizimin e vizave dhe për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.