Forca e Re Demokratike ka reagur sot ndaj Socialdemokrateve, reagim te cilin mund ta lexoni te plote me poshte.
Reagim në deklaratën e të punësuarve të Socialdemokratëve në Ulqinit.
Sot morëm reagimin e të punësuarve ulqinakë në partinë Socialdemokrate e cila e ka qendrën në Podgoricë lidhur me deklaratën tonë të djeshme dhe i falënderojmë ata për konfirmimin e asaj që ne thamë. Pra në deklaratën e tyre ata nuk e mohuan faktin që në kohën kur lideri i tyre kryesonte Ministrinë e Transportit dhe Detarisë, tenderat e rrugës Ulqin-Krythë binin, që do të thotë se e konfirmuan heshtur deklaratën tonë. Po ashtu kjo deklaratë e SD nuk ka thënë asgjë për të përgënjeshtruar faktin që Llazoviqi ka qenë në krye të procesit të privatizimit të Valdanosit, pronës që i është marrë padrejtësisht banorëve të Ulqinit. Kjo deklaratë nuk ka përgënjeshtruar as përgjegjësinë e Shehoviqit për gjendjen e arsimit shqiptar dhe as përgjegjësinë e zyrtarëve të SD-së për abuzimet e Morskodobros. E kuptueshme, e vërteta që ne deklaruam nuk mund të mohohet.
Por e kuptueshme edhe sepse e dimë që të punësuarit në Ulqin të SD-së Podgoricës nuk kanë ndjeshmëri për gjendjen apo kërkesat e popullit shqiptar në Komunën e Ulqinit e në viset e tjera shqiptare të Malit të Zi.
Po ashtu u zbavitëm me situatën komike të krijuar prej shkruesit të kësaj deklarate të cilët marrin përsipër rolin e fallxhiut e të parashikojnë të ardhmen e votave të komunës sonë ndërkohë që e kanë të vështirë ta njohin situatën në Ulqin pasi vijnë këtu vetëm për zgjedhje. Po ashtu ishte interesant pasioni për marrjen e meritës për liderin e partisë së tyre për pikën kufitare të Sukobinës kur dihet që pikat kufitare vendosen me marrëveshje ndërkombëtare të negociuar nga ministritë e jashtme. Prandaj edhe kjo pikë kufitare u përurua në shkurt të vitit 2002 nga ish-ministrja e jashtme e Shqipërisë, Arta Dade dhe ish-zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dragan Gjuroviq. Shtatë vjetë më vonë, në qershor të vitit 2009 shiritin e pikës së përbashkët kufitare Sukobinë-Muriqan e prenë personalisht kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe homologu i tij Gjukanoviq.
Po ashtu i falënderojmë ata që me deklaratën e tyre vetëm sa e konfirmuan para votuesit shqiptar se përse duhet të votojnë për parti shqiptare e jo për një parti të Podgoricës që për shqiptarët kujtohet vetëm ditën e votimeve për me ua marrë votën me mashtrime.
Për sa i përket ndikimit të FORCËS në qeverisjen qendrore dhe projektet shtetërore nuk kemi nevojë të flasim ne por të flasin numrat në parlament. Populli shqiptar është boll i mençur që të bëj llogaritë vetë e nuk pranon që të vijnë nga Podgorica e ti trajtojnë si dele. Është e qartë që po mos të ishte konjuktura aktuale politike, ku mazhoranca qeveris me një shumicë të brishte prej 42 deputetësh nga 81 që ka parlamenti, komuna e Tuzit, Plani Hapësinor i Komunës së Ulqint dhe investimet infrastrukturore në komunën tonë nuk do të bëheshin realitet. SD ka qenë 20 vjetë në pushtet, më parë si pjesë e SDP, dhe kurrë nuk i ka shkuar ndonjëherë në mendje që të merret me problemet e shqiptarëve. Kur këtë gjë nuk e ka bërë për 20 vitet e kaluara, jemi të sigurtë që as tani e as pas 20 vitesh në të ardhmen nuk ka për ta bërë këtë gjë.
Me këtë rast ne theksojmë se FORCA e ka qendrën e saj në Ulqin ndryshe nga partitë e tjera jo nacionale që janë të pranishme në garën e 4 shkurtit të cilat e kanë selinë në Podgoricë. Drejtuesit e FORCËS jetojnë në Ulqin, me familjet dhe fëmijët e tyre dhe janë në kontakt të përditshëm me qytetarët e tjerë të komunës. Për bartësit e listave të partive jo-nacionale që jetojnë në Podgoricë, votat e Ulqinit janë statistika kurse për ne të FORCËS çfarëdo ndodh në komunën e Ulqinit ndikon drejtpërdrejtë në jetën tonë të përditshme, sepse edhe në jetojmë këtu me hallet dhe problemet e qytetarëve të tjerë. Prandaj i bëjmë thirrje që mos t’iu vënë veshin turistave dimërorë që vijnë nga Podgorica në Ulqin vetëm për zgjedhje.
Po ashtu i porosisim socialdemokratëve që nuk duhet të shqetësohen sepse Forca dhe Nazif Cungu do të udhëheqin Ulqinin dhe në 4 vitet e ardhshme dhe ato do të jene të mirëpritur si vizitor kurdoherë.