Presidenti Meta bën homazhe në nderim dhe respekt të mjeshtrit të valles popullore shqiptare, Rexhep Çeliku: Shqiponja që vallëzon dhe fluturon vetëm lart!

 

 

Presidenti i Republikëssë Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta bëri homazhe në “Muzeun Kombëtar” në nderim dhe respekt të mjeshtrit të valles popullore shqiptare dhe koreografit, Rexhep Çeliku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme vetëm pak ditë pasi ishte vlerësuar me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

 

Presidenti Meta vendosi një kurorë me lule, bëri homazhe u përul në shenjë mirënjohjeje ndaj veprës dhe veprimtarisë artistike të të ndjerit Rexhep Çeliku, duke u shprehur ngushëllimet familjarëve e duke lënë shënim në Librin e Zisë.

 

I pyetur nga gazetarët në lidhje me vlerësimin që Presidenti i Republikës, i bëri pikërisht Rexhep Çelikut vetëm pak ditë më parë, duke i dhënë Dekoratën “Nderi i Kombit” dhe si e kujton atë moment Presidenti Meta u përgjigj: “Mund t’ju përmend një moment si kanë reaguar dje shqiptarët e Kroacisë, kur kanë mësuar këtë lajm tronditës dhe jam i bindur se të gjithë shqiptarët jo vetëm janë tronditur, por edhe janë përlotur, pasi nuk ka akt dhe nuk ka fjalë të mjaftueshme për të vlerësuar atë që për më shumë se 40 vite Rexhep Çeliku ka bërë për Shqipërinë, ka bërë për kombin shqiptar, ka bërë për shqiptarët kudo ku kanë jetuar, të cilët i ka ngritur peshë, i ka frymëzuar dhe i ka bërë krenarë që janë shqiptarë.

 

Dhe jam i bindur se për Rexhep Çelikun ka vetëm një vlerësim, ka përjetësi dhe ai do të jetë gjithmonë në mendjet dhe në zemrat e shqiptarëve dhe të kombit tonë, shqiponja që vallëzon dhe fluturon vetëm lart”, – tha Presidenti i Republikës, duke shtuar se Rexhep Çeliku do të jetë një burim frymëzimi për artistët e rinj.

 

“Unë besoj se Rexhep Çeliku siç kishte mbiemrin tregoi edhe fuqinë e jashtëzakonshme të karakterit të tij dhe në tre vjetët e fundit ku ai luftoi me një sëmundje të poshtër, të cilën ai e mundi. Mjafton të kujtoj këtu se kushdo që para dy muajsh ka ndjekur Rexhep Çelikun në skenë me rastin e 60-vjetorit të Ansamblit nuk e ka kuptuar dhe nuk e ka menduar që ky njeri kishte tre vjet me një sëmundje. Dhe unë mund të them që Rexhep Çeliku e mundi sëmundjen në emër të dashurisë për Shqipërinë për shqiptarët për skenën për vallen tonë, për artin tonë prandaj edhe do të jetë gjithmonë i përjetshëm në mendjet dhe në zemrat tona dhe uroj një burim frymëzimi për artistët tanë më të rinj, sepse skena jonë do ta ndjejë gjatë mungesën e tij”, – deklaroi Presidenti i Republikës.

By admini