Kullat shqiptare që shënuan historinë e Kombit
Nga Azgan Haklaj
“Lahuta e Malësisë”, këngët e para të së cilës u botuan në vitin 1907, është cilësuar nga studiuesit shqiptar dhe të huaj, si “Iliada Shqiptare”. Ajo e vendos krijuesin e saj, Gjergj Fishtën në Panteonin e Kulturës, Letërsisë dhe të Patriotizmit Shqiptar.
Besoj se, ashtu si mua, edhe mijëra të tjerëve që e kanë lexuar me vëmendjen që meriton këtë kryevepër të letërsisë shqipe, ju ka lindur natyrshëm pyetja: – “Përse Oso Kuka është personazhi qendror i “Lahutës së Malësisë ?”
Poeti i madh i ka kushtuar jo vetëm një kapitull apo (këngë) të veçantë këtij trimi legjendar, po për më tepër me përshkrimin mjeshtëror të portretit të tij, i ka dhanë Oso Kukës tipologjinë e genit të Racës Iliro -Arbërore.
Fishta ka shkuar më tej duke i veshur heroit tipare të pavdekësisë, si Homeri Akilit tek “Iliada”:
“Thonë i ka një palë musteqe
Kaçurel e leqe, leqe,
Që me i mrri deri në fletë të sylahit
Të gjatë e të trashë si llana e krahut”.
Apo më poshtë:
“Edhe plumi thonë si ngulet
Në ta tagani dhe përkulet
Top me i ra shpirti si shkulet”.
Në se “Lahuta…” evokon me të drejtë historinë e lashtë të Atdheut, Qytetërimin e lashtë Pellazgo-Ilir, Aleksandrin e Madh, Teutën, Pirron e Gjergj Kastriotin (Skënderbeun), ngjarjet historike të së shkuarës së largët i kalon përciptazi, me një vështrim empirik, dhe i vënë ato mjeshtërisht në shërbim të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, Epopenë e Oso Kukës dhe të betejave me Malazezët i ka në epiqendër të poemës.
Oso Kuka lindi në vitin 1820. Ai doli në skenën historike shqiptare në vitet 50-60 të shek. të XlX, në kohën më kritike të Kombit Shqiptar.
Në vitin 1830 osmanët prenë në besë dhe vranë në Manastir 500 burra të Toskërisë.
Viti 1831 shënoi rënien e Pashallëqeve shqiptare, atij të Janinës dhe të Bushatllinjëve. Bashkë me rënien e tyre u shua dhe ëndrra për krijimin e një fronti të përbashkët Ballkanik kundër Turqisë.
Në vitin 1832 Turqia filloi “Reformat e Tanzimatit”. Kudo, në tërë hapsirën shqiptare shpërthyen kryengritjet lokale, të cilat u kthyen në lëvizje kombëtare. Veçojmë Kryengritjen e Beratit në vitin 1834 e udhëhequr nga Hamza Kazazi, të Shkodrës në vitin 1835, të Myzeqesë në vitin 1835, të Dibrës në vitin 1844, të Kosovës në vitin 1845.
Kryengritjet më të mëdha ishin ajo e Malësisë së Gjakovës e udhëhequr nga Binak Alia dhe Sokol Rama në qershor të vitit 1845, ajo në Shqipërinë Jugore të udhëhequra nga Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, Tafil Buzi, Hodo Aliu në vitin 1847 dhe ajo në Shkup në të njëjtin vit – e udhëhequr nga Dervish Cara.
Edhe këto kryengritje shqiptare u shtypën me ekspedita ushtarake dhe Porta e Lartë me organizimin e ri bëri ndarjen e shqiptarëve në katër vilajete, për t’i mbajtur më kollaj nën sundim. E shkatërruar, e tronditur deri në themel nga luftrat për liri e çlirim kombëtar nga Turqia, Shqipërisë i kanosej dhe një rrezik i ri.
Rusia Cariste, tashmë me statusin e një fuqie të madhe ushtarake dhe politike, ndjehej e plotfuqishme për të ngopur oreksin e Serbisë e të Malit të Zi për të zgjeruar kufijtë e territoreve të tyre në kurriz të shqiptarëve. Ilia Garashanini, ministri i Jashtëm i Serbisë kishte shpallur “Naçertanijan” (Serbinë e Madhe). Koleti, kryeministri i Greqisë kishte shpallur Megalidenë (Greqinë e Madhe). Knjaz Nikolla i inkurajuar nga planet e Moskës dhe premtimi i Carit për mbështetje me armatim, pará e mjete logjistike thërret në Çetinjë kriminelin me damkë Vulo Serdanin e Vasoviçit dhe e urdhëron të djegë, plaçkitë e të shkretojë viset shqiptare, në Veri të Shkodrës. Ekspeditat ndëshkimore malazeze e kishin kthyer Vraninën e rrethinat e saj në tokë të djegur. Qindra burra ishin vrarë dhe barbarisë së malazezëve nuk u shpëtuan as fëmijët e djepit. Nga presioni i madh i popullit dhe duke qenë krejtësisht i paaftë për të mbrojtur kufirin me Malin e Zi, Guvernatori i Shkodrës, Avdi Pasha, organizoi mbledhjen e autoriteteve, të parisë së qytetit dhe të popullit dhe u mundua me dredhi t’i vinte fajin shqiptarëve duke i quajtur frikacakë e të pafé, për të mbrojtur vendin e tyre.
-S’ka më burra këtu, ju keni mbetur në vajza” – ju drejtohet Pashai turk me ligësi e fodullek të pranishmëve.
Trimi Oso Kuka, i cënuar në gjënë më të shtrenjtë, në nderin dhe dinjitetin kombëtar, ngrihet në këmbë si Anté, venë dorën mbi dy koburet e lara me argjend që i mbante në brez dhe i drejtohet Pashait osman:
“Avdi Pasha ma kadalë,
Mos e thuaj dy herë atë fjalë,
Se për dinë e për imanë,
T’baj si t’kjan’ e zeza nanë.
T’baj si t’kjan pa exhel ty, nana,
Se n’Shqipni ka djem si zana,
K’ta më t’parët janë n’fushë t’mejdanit.
K’ta më t’rreptit janë ballë dushmanit.
Janë çelik për teh të táganit”.
Oso Kuka me një grusht djemësh të zgjedhur dhe të sprovuar në beteja me turqit dhe malazezët mori përsipër të mbronte Kullën-fortesë të Vraninës dhe viset që sulmoheshin nga Vulo Serdani e banditët e tij.
Së bashku me luftëtarët e tij e kthen situatën brenda pak ditëve në disfavor të pushtuesit. Ai kapi dhe asgjësoi dhjetëra cuba plaçkitës, duke i rikthyer popullit qetësinë dhe shpresën për të jetuar të lirë në trojet e tyre. Demarshet diplomatike të Knjaz Nikollës në kancelaritë evropiane me qëllimin final për të aneksuar Shkodrën dhe rrethinat e saj, ishin kthyer në një rutinë, por gjendja në terren ishte krejt tjetër.
Oso Kuka e kishte kthyer kufirin në barrikadë të pakapërcyeshme.
Kur mbreti malazez Nikolla I po i mburrej për zotësitë e tij Mbretëreshës Milena, ajo duke e njohur mirë realitetin e ri, guxon e ja përplasë në fytyrë me fjalët që kënga popullore i ka gdhendur mjeshtërisht:
“Nuk e njeh ti Oso Kukën,
Që me gjak ai ta lan trupin.
Hajt nji herë ka Podgorica,
Me çelik t’u ka nxanë Granica”.
I alarmuar së tepërmi nga disfata në Vraninë dhe nga frika e koordinimit në një komandë të vetme të kryengritjeve që kishin filluar të shpërthenin në të gjitha trojet Iliro-Dardano-Arbërore, Knjaz Nikolla dha urdhër të sulmohej në befasi dhe të pushtohej me çdo kusht Vranina, si një pikë strategjike nga duhej të pushtohej dhe Kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra. Ashtu si Leonidhës përballë hordhive Perse të Kserksit, Oso Kukës dhe çetës së tij ju desh të luftonin 1 me 300.
Në natën e asaj beteje homerike, Oso Kuka ngrihet shpejt nga sofra e bukës:
“Po ça ka ai Oso Kuka
Atij sonte s’po i hahet buka
Nuk han bukë veç sa me thanë
I lan durt e rrin njan t’anë”
Mbështetet në krah të oxhakut, e duke thithur llullën mendueshëm, i kujtohet një ëndërr e frikshme që kishte parë një natë më parë.
-Shife shpatullën e na trego çfarë thotë, se kam pa një ëndërr të keqe,- i drejtohet Soko Tonës.
Kur mësoi se në shpatull paralajmërohej një betejë e përgjakshme dhe me shumë të vrarë, Oso Kuka urdhëroi lahutarin t’ja merrte kangës. Kanë mbetur të gdhendura me shkronja të arta në “Lahuta e Malësisë” fjalët e “Luanit të Vraninës”:
“Çou Kaçel kape lahutën
Se prej luftës shqiptarët nuk tuten
Me na kndue një kangë shqiptare
Se s’mbajm zi për pa dal fare”.
Oso Kuka duke e njohur mirë pabesinë e malazezëve dërgon roje katër luftëtarë trima: Met Zenelin, Vuksan Gjelin, Karrni Gilën dhe Sinanin. Luftëtarët e Osos pastrojnë pushkët, mprehin shpatat dhe shtrihen për të marrë një sy gjumë, si e kanë zakon ushtarët e regjur në beteja. Në terrin e natës 3.000 forca elitare të ushtrisë malazeze të prirë nga Mirko Gjura, mik i Osos dhe banorë i Vrakës, i afrohen në fshehtësi Vraninës. Rojet shqiptare pasi vrasin tradhëtarin fillojnë betejën e pabarabartë me pararojën malazeze.
“Lahuta…” na sjell mrekullisht madhështinë e kësaj beteje heroike:
” Ah, qëndro, o Met Zeneli !
Ban gajret, o Vuksan Gjeli !
Mos e lesho mori Zagore,
Ngul Sinan, bre re mizore,
Se me gjasë ke dridhet Suka
Asht tuj ardh bash Oso Kuka.
Dragojt shqiptarë të prirë nga Oso Kuka dolën si shqiponjat nga çerdhja e tyre dhe fluturuan drejt në “Logun e Zanave”, siç e quan Fishta mejdanin e trimave:
“Aman Zot kur Osoja mbrrini,
Si re breshni kresë njaj vrrini.
Me tridhjetë e disa burra
E zateti nëpër curra.
Aty qiell má nuk u pá.
Aty pushkë má nuk u dá.
Kriste ltina e dumdunja,
Porsi breshni vinte plumja”.
Kush e ka pá Vaterlonë dhe i njeh përmasat e kësaj kasaphanje përmes vargjeve të Hygoit: “Vaterlo, Vaterlo, Vaterlo – fushëvarr” është në gjendje të imagjinojë guximin e trimërinë legjendare të Oso Kukës dhe Çetës së tij, të cilët luftuan si luanë për 10 orë kundër ushtrisë malazeze, derisa kryetrimi i tyre e kthen kullën e Vraninës në një varr masiv për ushtrinë e Knjazit. Perlat e Vraninës u kthyen në ferr për agresorët. Kur e pa se ndihma ushtarake nga Shkodra nuk po i vinte dhe i kishin mbetur gjallë vetëm 7-8 luftëtarë të plagosur, Oso Kuka si luani i plagosur dhe i egërsuar u mbyll në “Kullën e Barotit”. Dhjetëra luftëtarë malazezë hipën në çatinë e Kullës që nuk jepej. Ndërkaq 800 forca të tjera e kishin futur atë në një rreth të hekurt.
Kryetrimi Oso Kuka merr me të shpejtë vendimin që e bëri të pavdekshëm në histori:
“Ndigjo Nikollë, të vraftë Zoti,
Se k’tu i thonë Oso Baroti,
Se djeg veten edhe ty….”.
Ai u vuni flakën fuqive të barotit për ta kthyer Kullën e Vraninës, këtë çerdhe shqiponjash në varr masiv për armikun. Kulla e Vraninës u hodh në erë, bashkë me rrethuesit dhe mbrojtësit.
Oso Kuka vendosi të vetëflijohej dhe me shkrumbin e vet dhe të luftëtarëve të tij të digjte armikun. 800 malazezë u dogjën në flakët e barotit, ndërsa dhjetëra të tjerë ishin vrarë në orët e kësaj lufte të përgjakshme. Kështu përfundoi kjo betejë pa të dytë në histori, në qershor të vitit 1862.
Oso Kuka bëri atë që nuk e bëri dot Pashai i Janinës, Ali Pasha, që përfundoi me krye të prerë në tepsi, për t’u dërguar në Stamboll tek Sulltani.
Ai, Oso Kuka, e ktheu Vraninën në “Trojën Shqiptare”.
Kulla e Oso Kukës në Vraninë rá, por u ngritën shqiptarët. U ngritën zërat për heroizmat dhe kërkesat e tyre. Kjo kullë u bë simbol qëndrese në mbarë trojet etnike. Dhjetëra djelmosha shkodranë u vranë në moshën më të bukur të tyre, por e shpaguan vehten duke vrarë qindra armiqë, që u dogjën e u përvëluan në flakët e barotit.
Trimëria e kthyer në legjendë e Oso Kukës dhe akti i tij sublim i kanë dhanë kurajo e besim të patundur në të katër anët, brezave pas trimit të Vraninës, në ëndrrat e tyre për çlirimin e trojeve etnike dhe bashkimin e tyre në një shtet.
Emri dhe fama e Oso Kukës dhe e çetës së tij trime u përhap me shpejtësi si rrufeja, nga Shkodra në Janinë e Kosovë, në Manastir e Shkup. Çdo kullë shqiptare u kthye në kështjellë qëndrese për liri.
Ja si e pershkruan kënga epike djaloshin trim të Kosovës Zhuj Selmanin, që qëndroi 10 vjet në Kullat e Sherametit dhe kreu të njëjtin akt sublim në mbrojtje të kauzës shqiptare në vitin 1875:
“Flakë të kuqe e tym të zi
Në ato kulla kush ka hi
Zhujë Selmani me Kapakli.
Kah del Dielli e preron Hana
Zhujë Selman nuk ban ma nana”.
Beteja tek Kulla e Abdullah Pashë Drenit në Gjakovë është aksioni i parë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e tokave shqiptare nga copëtimi i Vendimeve të Kongresit të Berlinit në vitin 1878.
Pas luftimeve të ashpra malësorët djegin kullën dhe vrasin Maxharr Pashën, të Dërguarin e Fuqive të Mëdha. Vritet edhe Abdullah Pashë Dreni, i cili e mori në mbrojtje Maxharrin. Mbeti në betejë edhe Col Delia.
“Flakë e kuqe u dhez Gjakova,
Për dritare zgjatet dora.
Amanet trima shqiptarë,
Një kovë ujë me e ndrrue me ár.
Col Delia i Geghysenit,
Pushka e parë e Lidhjes së Prizrenit,
Tuj vikatë, tuj shkue si n’dasëm,
Në një vend të keq e ka gjetë Pashën”.
Aktin e Oso Kukës e përsëriti Mic Sokoli në Betejën e Shtimes, më dt. 21 prill të vitit 1881, ku përfundimisht u thye Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Populli e ka kthyer në kengë aktin heroik të trimave shqiptarë:
“N’Fushë t’Kosovës u lidh jezeri.
Haj medet ka mbetë shumë njéri.
Mic Sokoli e Zmajl Hyseni”…
Kulla e Vraninës ka simotër të historisë Sarajet e Ali Pashë Gucisë, kullat e Binak Alisë e Mic Sokolit, Ali Ibrës, kullat e Boletinëve, Dedë Gjo’ Lulit, Idriz Seferit, kullën e Elez Isufit, kullat e Zogollëve, Azem Bejtës, Ahmet Delisë, Sadik Ramës, Çun Mulës, Shaban Polluzhës, Prek Calit, kullat e Tahir Mehës, kullat e Jasharajve, kullat e Haradinajve e Jabllanicës, të cilat u kthyen në kala qëndrese dhe flakadanë të pashuar të betejave për lirinë e Atdheut gjatë historisë tonë.
Kulla e Vraninës ka simotra Kullat e Junikut. Ajo u bá burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Nuk ka poet më të madh se popullin. Askush më bukur se ai nuk përshkruan trimërinë e bijëve të vet:
“Mua po më thonë Brahim Sadiki,
I kam kullat midis Juniki.
Ku t’qëlloj pushkën e nisi.
Vet po jes, Pashën koriti”
Më dt. 21-25 maj të vitit 1912 u mblodh Kuvendi i Junikut me 250 delegatë nga të gjitha trojet etnike shqiptare.
Truri i Lëvizjes Kombëtare, Hasan Prishtina, lëshoi Proklamatën: “Shpëtim a Vdekje”.
Ky Kuvend hartoi Platformën për Kryengritjen e Përgjithshme dhe Shpalljen e Pavarësisë.
Kryengritësit, të udhëhequr nga Korifeu Hasan Prishtina, “Robin Hudi Shqiptar” Isa Boletini, tribuni popullor Bajram Curri, në gusht 1912 çliruan Shkupin dhe në tetor thirrën Kuvendin e Shkupit.
Hasan Prishtina kërkoi bashkimin e katër Vilajeteve në një shtet të vetëm me kryeqytet Shkupin.
Kjo Kryengritje çoi në “Nëntorin e Dytë”. Plaku i Vlorës Ismail Qemali shpalli Pavarësinë, pikërisht me dt. 28 Nëntor, ditën kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu kishte ngritur krenar Flamurin tonë në Kalanë e Krujës në vitin 1444.
Kuvendi i Junikut është prologu i Pavarësisë. Zëri brilant i Shkurte Fejzës na përcjell mrekullisht madhështinë e këtij Kuvendi, në vargjet e poetit Hamit Aliaj, me rastin e 100- vjetorit:
-“O Junik me kulla guri.
Prej tek ti u nis Flamuri.
N’Mitrovicë e n’Kaçanik
Thërret Kosova: – o Junik”.
Në Junik gjenerali Klark njohu legjitimitetin e UÇK-së.
Nga kullat e Zogollëve doli Burrështetasi Ahmet Zogu, i cili është themeluesi i Shtetit Modern Shqiptar. Ky burrë u bë barrikadë tridhjetë vjeçare e pakapërcyeshme e komunizmit në Shqipëri. Me shpalljen “Mbret i Shqiptarëve” mbajti lart frymën kombëtare.
Kulla e Oso Kukës ka simotër kullën e Sali Manit, Kullën e Konferencës së Bujanit dhjetor 1943 – janar 1944. Në këtë kullë, në këtë Konferencë u vendos Bashkimi Kombëtar sipas parimit të Vetëvendosjes së Popujve pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe kjo Konferencë u tradhtua nga komunistët.
Kulla e Vraninës ka simotër Kullën e Muharrem Bajraktarit të Lumës.
Kulla e Zeqir Halilit i dha Shqipërisë Kryetarin e Partisë Demokratike, ish-Presidentin, ish-Kryeministrin Sali Berisha.
Familjet emblematike të Kosovës, Jasharajt dhe Haradinajt, shënuan Epopenë më të lavdishme të Kosovës dhe të Kombit Shqiptar.
Komandanti i UÇK-së, Adem Jashari, flijoi’ krejt familjen për lirinë e Kosovës në Kullat e veta duke luftuar me heroizëm të pashoq.
Familja Haradinaj vuni në themelet e Pavarsisë së Kosovës Shkëlzenin, Luanin, Enverin. Kalorësi i Lirisë, Ramush Haradinaj, pas një beteje të gjatë disavjeçare në Hagë, e së fundmi në Francë, triumfoi dhe çertifikoi kauzën e drejtë të UÇK-së dhe Luftën e saj për çlirimin e Kosovës, ashtu siç e kishte çertifikuar Krishtërimin si fe zyrtare Konstandini i Madh me Ediktin e Milanos në vitin 313.
Pas një betejë të gjatë po finalizohet Kauza e Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë, që kishte si pikënisje kullat e Zajasit, prirë nga strategu i luftës, Ali Ahmeti. Sot Parlamenti i Maqedonisë drejtohet nga Telat Xhaferi. Gjuha Shqipe është gjuhë zyrtare. Së shpejti, Shqiptarët si faktor shtetformues do të kenë Kryeministrin ose Presidentin.
Shqiptarët në Mal të Zi me votën e tyre ishin përcaktues të shkëputjes së Malit të Zi nga Serbia në Referendumin e vitit 2006, po ashtu dhe të Qeverisë pro-perëndimore të zgjedhjeve të fundit dhe të antarësimit të Malit të Zi në NATO.
Kauza Çame eshtë bërë kryefjalë e kallzues i axhendës së kancelarive perëndimore.
Presheva mbetet Nyja Gardiane e Shqiptarizmit. Vëllezërit tanë atje presin përmbushjen e idealit të UÇPMB-së dhe Komandant Lleshit (Ritvan Qazimit), vrarë pabesisht në pusi Ditën e Nënshkrimit të Paqes.
Kombi Shqiptar pret finalizimin e ëndrrës mijëra vjeçare, krijimin e Shtetit-Komb.
Kulla e Vraninës, kjo “Krujë e Dytë” e Epopesë së Kombit, është një nga shenjtoret më të mëdha, siç është mbrojtësi i saj heroik Oso Kuka, simboli i trimërisë dhe i patriotizmit shqiptar.
Poeti Hamit Aliiaj e ka skalitur bukur me penën e tij këtë kullë, që eshtë kryefjala e qëndresës shqiptare, përmendore e nacionalizmit, memorial i ndërgjegjes kombëtare, por e lanun në harresë:
“Moj Vraninë, Vranina e shkretë
Tek ti vijnë e mblidhen retë
Mblidhen retë e vajton moti
Tek kjo kullë, kullë baroti.
Kulla e Vraninës duhet të jetë për bashkëkombasit, ashtu siç është Meka dhe Jeruzalemi për dy fetë e mëdha botërore.Historia ta ka gdhendur emrin me shkronja të arta Oso Kuka. Është koha që bashkëkombasit ta ngrenë me madhështi Përmendoren.
-Tungjatjeta, Oso Baroti !
Vraninë, 31 gusht 2017