Shkruan Dr. Nail Draga*
Hyrje
Në lidhje mbi ngjarjet e zhvilluara në periudhën kohore të Krizës Lindore(1875/78) deri me tash janë publikuar studime të ndryshme nga autor vendas dhe të huaj. Është e njohur se në sajë të kontekstit gjeopolitik të kohës Principata e Malit të Zi parësore kishte projektin e pavarësisë se vendit nga Perandoria Osmane, por njëherit edhe të zgjerimit territorial, me synim daljen në det, ku aspiratat pushtuese ishin edhe ndaj viseve shqiptare në perëndim të Vilajetit të Shkodrës.
Në këtë aspekt Tivari dhe rrethina e tij paraqet ekzemplar të veçantë për hulumtim dhe analiza ushtarake e gjeopolitike për kohën. Duke qenë qyteti më perëndimor i Vilajetit ai ishte arena e një lufte të përgjakshme, duke u bërë simbol i vandalizmit dhe shkatërrimit të përgjithshëm gjatë dy muajve të bombardimit si asnjë qytet tjetër deri në atë kohë.
Pas zhvillimit të operacioneve ushtarake dhe pushtimit të disa territoreve në lidhje me perfitimet dhe me zgjerimin territorial të Malit të Zi me mbeshtetje kryesisht nga Rusia u diskutu edhe në Konferencën e Shën Stefanit(3 mars 1878) dhe në Kongresin e Berlinit(13 qershor 1878). Ishin pikërisht vendimet e Fuqive të Mëdha të cilët vendosen sipas interesave të tyre gjeopolitike duke legjitimuar fillimin e dekompozimit të Perandorisë Osmane në Ballkan në aspektin territorial, duke anashkaluar parimin etnik në territoret përkatëse, ku shqiptarët e pësuan më së shumti.
Deri më tash ngjarjet për Tivarin për vitët 1877/78 janë trajtuar nga autor të ndryshëm duke ofruar të dhëna të cilat mund të trajtohen në shumë aspekte varësisht nga qasja e tyre profesionale. Por në lidhje me këtë temë ekziston një autor i cili pothuaj ka mbetur i panjohur për opinion e gjerë, dhe si i tillë nuk citohet fare nga studiues të ndryshëm, sidomos të ata sllav, që është rast për hulumtim, duke marrë parasysh se libri i tij mund të konsiderohet si bazë për trajtimin e kësaj çështje ne këtë periudhë kohore.
Fjala është për autorin Spiridon Gopçeviq (1855-1937) i cili këtë çështje e ka trajtuar me shumë kompetencë në librin Crnogorski turski rat 1876-1878,botuar në Beograd të përkthyer në gjuhën serbe në vitin 1963 nga shtëpia botuese Vojno dello. Libri ofron të dhëna me interes nga vet fakti se autori ka qenë dëshmitar okular i ngjarjeve, që është rast i rrallë për kohën duke ofruar të dhëna autentike, në aspektin ushtarak por edhe ate gjeopolitik në këtë regjion. Qasja e tij për këtë ngjarje historike mbetet burim kryesor për të gjithë ata të cilët dëshirojnë ta trajtojnë këtë çështje pa subjektivizëm e improvizime, por në realittein e rrethanave të kohës.
_________________
*Qendra Kulturore-Ulqin
Kush është Spiridon Gopçeviqi ?
Ka lindur ne Trieste ne vitin 1855 nga familja me origjinë nga Boka e Kotorit. Familja e tij është marrë me tregti. Në vendlindje ka kryer shkollën fillore ndërsa të mesmen dhe fakultetin në Vien. Në Vien ka studiuar shkencat historike, gjeografike, ushtarake dhe të detarisë. Po ashtu është marrë edhe me studime filologjike. Ai ishte poliglot ku sipas disa të dhënave ka ditur ti flasë dhe ti shkraj 13 gjuhë! Pas vdekjës së të emës ka ndërprerë shkollimin dhe ka filluar karierën si gazetar, duke raportuar vendet ku luftohej.
Në vitet 70- ta të shek.XIX ka qendruar në Mal të Zi, dhe ka punuar planin e parë urbanistik të Cetinës. Ka qenë vullnetar në kryengritjën e Bosne-Hercegovinës(1875) dhe në luftën malezezo-turke(1876). Raportet nga lufta i ka publikuar në gjuhën gjermane në pjesën e veçantë për Malin e Zi.Nga një punë e tillë disavjeçare boton librin Lufta e Malit të Zi kundër Portës 1876-1878(Wien 1879). Po ashtu gjatë vitit 1878 ka botuar edhe broshurën Turqit dhe miqtë e tyre. Si korespondent i Wiener Allgemeine Zeitung ka përcjellur punën e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit dhe kundërshtimin e saj vendimeve të Kongresit të Berlinit. Si rezultat i këtyre shkrimeve ka shkruar veprën Shqipëria e Veriut dhe liga e saj(Lajpcig 1881). Në vitin 1882 raporton për kryengritjen në Bokë të Kotorit e Hercegovinë dhe krizën në Egjipt.Si reporter i Berliner Tagblatt-it ka informuar për luftën serbo-bullgare në vitin 1885, duke shkruar edhe librin Bullgaria dhe Rumelija lindore (Lajpcig 1886-1889). Duke mbajtur qendrim pro Serbisë, ata e emërojnë atashe i përfaqësisë së Serbisë në Berlin(1886) e më pas në Vjenë(1887-1890). Gjatë kësaj kohe shkruan librin Serbija dhe serbët. Me rekomandim të Mbretërisë serbe udhton në Bullgari e Maqedoni në vitin 1888 ku më pas shkruan shkruan librin Serbija e vjetër dhe Maqedonia dhe ka punuar Hartën etnografike të Maqedonisë dhe të Serbisë Jugore.Në vitin 1889 e lëshon Serbinë ku me pas mban anën e Austro-Hungarisë.
Ka bashkëpunuar me 60 revista dhe 86 gazeta ditore. Në Vienë ka botuar revistën Die Velt(1889) dhe Wiener Tagespot. Gazetarinë e ka lëshuar në vitin 1893.Një kohë të shkurtër ka qenë në burg për shkak të shkrimeve kundër pushtetit. Nga Viena shkon në Mali Loshinj dhe është marrë me astronomi. Këtu në vitin 1893 themeloi observatorin Manora . Ky observator u emërua me emrin e gruas së tij, një grua fisnike austriake e pasur. Në këtë observator ai përdori teleskopët e tij për të vëzhguar Henën, Marsin, Saturnin, Venerën e planetë të tjerë. Për shkak të problemeve financiare e mbylli ate në në vitin 1909. Nga viti 1899-1909 u dhe themeluesi i Astronomische Rundschau një gazetë shkencore e njohur asokohe në gjuhën gjermane. Më vonë ai kaloi disa vite në Amerikë, ku ka shkruar dy opera. U kthy përseri në Vienë(1914) dhe iu kushtua politikës dhe publicistikës. Gjatë Luftës së Parë Botërore ka qendruar në Vienë, duke pasur qendrimin austrofil ku ka theksuar se sllavet e jugut duhet të jenë nën Austro-Hungarinë. Pas luftës ka jetuar i tërhequr në Berlin. Rrethanat e vdekjës së tij(1937) janë akoma të paqarta, por arsyeja duket se ka qenë vetmia, varfëria e stresi.
Të dhëna me interes për shqiptarët
Edhe pse në artikujt dhe studimet e tia mund ti bëhët verejtje për qasje subjektive e ca herë edhe jo shkencore, libri Lufta malazezo-turke 1876-1878, ofron të dhëna me interes për ne shqiptarët, sidomos për viset shqiptare në Vilajetin e Shkodrës, para dhe pas Kongresit të Berlinit. Ishte pikërisht kjo periudhë kohore e cila në sajë të pazarlleqeve të Fuqive të Mëdha, filloj në praktikë rrudhosja territoriale e hapësirës etnogjeografike shqiptare dhe zvoglimi demografik i shqiptarëve në viset përkatëse, të cilat iu dhanë Malit të Zi në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ishte kjo koha e fillimit të shpërnguljës së shqiptarëve dhe popullsisë tjetër me përkatësi konfesionale islame sllavofone, duke u vendosur kryesisht në Shkodër, por edhe në mjedise të tjera të Shqipërisë.
Hapësira etnogjeografike shqiptare
Duke lexuar librin e Gopçeviqit del qartë se kemi të bëjmë me të dhëna të veçanta, sidomos kur është fjala për hapësirën etnogjeografike shqiptare. Çështja ka të bëjë me ate se territoret e banuara me popullsi shqiptare i quan jo Perandoria Osmane por Shqipëri, dhe pse në atë kohë Shqipëria nuk ishte shtet i pavarur, por ekzistonte me emër të tillë. Në aspektin territorial Gopçeviqi hapësirën etnogjeografike shqiptare e ka ndarë në tre njësi përkatësisht regjione, apo nahije sikurse e cekën në libër, duke qenë autori i vetëm në kohë dhe me pas me një përkufizim të tillë gjeografik. Kështu kemi Nahija e Shkodrës, me 376 km2 ku si qytet i përkiste Tivari më 8000 banorë, pastaj Nahija Shqiptare me sipërfaqe prej 379 km2 ku qytet kryesor ishte Podgorica me 6000 banorë dhe Nahija e Plavës, me 958 km2 me qytet Plavën me 14000 banorë(f.360).Po ashtu na ofron edhe të dhëna të përkatësisë konfesionale.Kështu për Nahinë shqiptare cekën se prej 22.000 banorëve sa janë gjithsej 8000 janë muslimanë të cilët e urrejnë malazezet…. (361). Nga këto të dhëna hapësinore del qartë se hapësira etnogjeografike shqiptare përfshinte sipërfaqen prej 1713 km2.
Ndërsa duke analizuar vendimet e Kongresit të Berlinit Gopçeviqi me plotë të drejtë thot se “dhe ma keq është dhurata e danajve Nahisë së Plavës ku nga 14000 banorë as ma pak e as ma shumnë por 10000 janë muslimanë të cilët llogartitën armiqtë me të medhënj të malazezve”(f.361), duke konstatuar se “Malit të Zi i jepen ato vise që popullata i urren malazezët dhe me të gjitha forcat mbrohet nga aneksimi”(f.362).