Nga Frank Shkreli
Disa burime tregojnë se Midhat Frashëri mbajti fjalimin drejtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Radio Londra më 16 gusht, 1949, ndonëse disa të tjera e përcaktojnë transmetimin e fjalimit të Midhat Frashëri në BBC, si në “vjeshtën e vitit 1949”. Cila do qoftë data e saktë e përvjetorit të trasnmetimit, ia vlen t’a kujtojmë fjalimin dhe njeriun e madh të kombit që u foli shqiptarëve me atë rast, vetëm disa vjetë që regjimi komunist kishte uzurpuar pushtetin në Tiranë. Po e kujtojmë atë me disa përditësime nga disa shënime të më hershme mbi këtë kolos të kombit, natyrisht, për vet meritat e mëdha të këtij burri të madh, trashëgimtar i familjes së madhe rilindase të Frashënlijve, mendimtarit, shkrimtarit, politikanit dhe mbi të gjitha Shërbestarit të Shqipërisë, siç e quanin bashkohasit dhe bashkluftarët e tij. Në fjalimin e tij në BBC, ai paralajmëroi për fatkeqsinë komuniste dhe paralajmërimin e krijimit të Komitetit, “Shqipënija e Lirë”. Sidoqoftë, fati i tij dhe i Shqipërisë deshi që ai të ndërronte jetë në mërgim, më 3 tetor, 1949 në New York, më pak se dy muaj pas transmetitmit të fjalimit në BBC. Nëse vdekja e tijë papritur, aq shpejt pas fjalimit në BBC, kishte të bënte me jehonën që bëri në atë kohë ai transmetim, mbetet për t’u zbuluar nga historianët.
Pa dashur të futem në intrepretime të ndryshme, dua vetëm të shënoj këtë përvjetor me një kujtim modest, në emër të disa bashkombasish të mi, ish-bashkpuntorë të ngushtë të Midhat Frashërit – të cilët nuk janë më – por të cilët i kam njohur dhe me disa prej tyre kam patur fatin e mirë që në rininë time të punoja me ta tek Zëri i Amerikës, gjatë 1970-ave dhe në fillim të ’80-ave dhe të cilët, besoj se po të ishin gjallë nuk do t’a lenin këtë përvjetor të kalonte pa thënë diçka për mësuesin dhe udhëheqsin e tyre të dashur. Në emër të ish-kolegëve të mi po përpiqem të kujtoj, në emër të tyre, njeriun që ata adhuronin me gjithë zemër e shpirt.
Për ta, Midhat Frashëri, si themeluesi dhe kryetar i Ballit Kombëtar, ishte jo vetëm një udhëheqës politik, por e konsideronin edhe si udhëheqës shpirtëror, si një shëmbull patriotizmi të vërtetë dhe atdhedashurie të shëndosh. Në ambientin e zyrës ku punoja me këta patriotë, ish-kolegë të mi, pothuaj nuk kalonte asnjë ditë që njëri ose tjetri prej tyre të mos kujtonte diçka nga koha që kishin kaluar me Midhat Frashërin, të cilët si besnikë tij që ishin, më tregonin se ai iu referohej atyre si “djemtë e mijë”. Këta ishin ndër ata që kishin shkuar këmbë për këmbë me Midhat Frashërin, ose siç e quanin shpesh edhe me pseudonimin, Lumo Skendon, ose “Lumua” që ishte bërë si emër i dytë i tij. “Lumua ka thënë kështu, Lumua më ka thënë këtë….”, ishte pothuaj një refren i përditshëm i ish-kolegëve të mi, sidomos gjatë pushimeve kur shkonim për kafe, pas transmetimit të programeve në ndërtesën e VOA-s. Kujtimi i tij rrahte në zemërat e tyre dhe ishin të përbetuar që të ruanin porositë e tij dhe të luftonin me dije e me penë për të çuar në vend amanetin e Midhat Frashërit, për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një “Shqipëri të Shqiptarëve”, siç thonin ata.
Ata flisnin për udhëheqsin e vet, si njërin prej tyre, i cili sipas ish-kolegeëve të mi, ishte i thjeshtë e i dashur me të gjithë – gjithmonë me ta — gjatë luftës nepër borë e shi e të ftohtë — si në fitore ashtu edhe në humbje. Ata kujtonin arratisjen e tyre nga Shqipëria me lundër nepërmjet Shkodrës për të shpëtuar kokën nga Enver Hoxha, kur çlirimi i vendit fatkeqsisht u zëvendësua me sundimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, i cili detyroi që shumë prej bijve më të mirë të kombit të arratiseshin e të merrnin rrugët e botës. Ish-kolegët e mi kujtonin jetën nëpër kampet e refugjatëve në Itali dhe gjetiu, në gjëndje shumë të vështira të asaj kohe, pa mbështetje dhe pa shpresë, shpesh edhe pa ushqim të mjaftueshëm. Pasi e dinin se isha i lindur në trojet shqiptare nën-ish-Jugosllavinë, kolegët e mi më flisnin shpesh për pasionin e thellë dhe dashurinë që Midhat Frashëri kishte pasur për Kosovën dhe për trojet shqiptare në përgjithësi, gjithmonë theksonin ëndërrën e tij për një Shqipëri Etnike. Megjithë humbjen politike dhe megjithë vuajtjet nepër rrugët e mërgimit, të gjithë ish-kolegët e mi, pothuaj pa përjashtim, pohonin se megjithë humbjen dhe përball situatës së zymtë të pas luftës si përfundim i fitores së komunizmit dhe të ndarjes me familjet e tyre, ndonëse ata vet kishin humbur shpresat, ata pohonin se ishte Midhat Frashëri ai, i cili, sipas tyre i frymëzonte ata, u jepte shpresë, u jepte forcë për të shikuar me optimizëm drejtë së ardhmes. “Shpresa mbahet me punë dhe ideal”, ka shkruar Midhat Frashëri dhe pyetjes se “Cili duhet të jetë ideali ynë?, ai i është përgjigjur duke thënë se ideali ynë, “Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.”
Prandaj, në përvjetorin e tramsmetimit të fjalimit të Midhat Frashërit në BBC, gushtin e vitit 1949, dua të kujtoj edhe ata që kanë qenë afër tij dhe me të cilët kam pasur nderin dhe privilegjin t’i njoh për së afërmi. Pikëspari Zonjën e ndershme Lulu Vrioni, të mbesën e Midhat Frashërit dhe për mendimin tim, ndoshta spikerja më e mirë që kam njohur unë. Talat Karagjozi, i cili më thoshte se Midhat Frashëri i kishte vdekur në duartë e tija dhe kurdoherë që fliste për të, i mbusheshin sytë me lotë, pasi nga ajo ditë e sot, spekullohet se me të ardhur në Amerikë, Midhat Frashëri u helmua pas deklaratës që kishte bërë në radion BBC të Londrës në lidhje me formimin e lëvizjes anti-komuniste në mërgim dhe pas themelimit të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, kryetar i së cilës ishte zgjedhur Midhat Frashëri. Ndër të tjerët e kësaj gjenerate, me të cilët kam punuar, kanë qenë I nderuari Xhevat Kallajxhiu, Ruzhdi Daca, Gaspër Kiçi, Bardhyl Pogoni, Dr. Tako Bacaj, Ramazan Turdiu, pastaj djemtë e Profesorit dhe gjeografit të njohur dhe kartografit të parë shqiptar nga Kosova, Ahmet Gashi – autorit të parë të gjeografisë së Shqipërisë më 1935 — vëllëzërit Dr. Faton Gashi dhe Prof. Luan Gashi i Lidhjes Kosovare, jeta e të cilëve ishte e dendur me veprimtari patriotike dhe kontribute edhe për vendin e adaptuar, Amerikën – njëri si mjek i dalluar e tjetri si profesor shkencash politike. Kujtimet e këtyre ish-kolegëve e miqëve të mi për Midhat Frashërin – ish-udhëheqsin dhe mësuesin e tyre – sikur janë bërë pjesë e kujtimeve për ish-kolegët e mi dhe për mësuesin dhe udëheqsin e tyre, Midhat Frashërin, birin e Abdyl Frashërit dhe nipin e Naimit dhe Sami Frashërit.
Në fjalimin e tij të famshëm në BBC-në e Londrës, në gusht të vitit 1949, Midhat Frashëri iu drejtua shqiptarëve kudo që ishin duke paralajmëruar se kombi shqiptar po e kuptonte se çfarë kishte sjellur fitorja e komunizmit në Shqipëri, duke thënë se, “Kadalë, kadalë raca Shqiptare, ajo racë së cilës nuk i mungon asnjë virtyt njerëzor, ajo racë që vuan por edhe që ndjen, që ofshan por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi, filloi të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun edhe fatkqesinë, në të cilën e hodhën matrapazët komunistë. Po i çilte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj”. Ai e pat përfunduar fjalimin e tij duke shprehur shpresën se të gjithë Shqiptarët do ta kenë shpirtin dhe mendjen gjithëmonë për të mirën e Shqipërisë. “Kjo,” ka thënë ai, “është lutja jonë ndaj Zotit të Madh dhe lusim që gjithnjë Shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë Shërbëtorët e Shqipërisë.”
Fatkeqsisht — edhe në këtë përvjetor të këtij fjalimi në BBC — ky trashëgimitar i denjë i Rilindjes kombëtare – jo vetëm që në Shqipërinë e tij të dashur nuk konsiderohet si Shërbestar i Atdheut, por përkundrazi, historia komuniste e ka etikuar atë gjithnjë me njollosjen si “reaksionar”, madje edhe “tradhëtar” të kombit. E ke? Midhat Frashërin, djalin e Abdyl Frashërit! Midhat Frashërin e Kongresit të Manastirit ku së bashku me At Gjergj Fishtën vendosën themelet e alfabetit shqip! Midhat Frashërin e Konferencës së Paqës në Paris edhe aty së bashku me At Gjergj Fishtën e Mons. Luigj Bumçin për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve! Midhat Frashërin, i cili me fjalime e shkrime, nepër konferenca ndërkombëtare dhe me deklaratat e tija në gjuhë të ndryshme, me fanaticizëm ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar!
Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike të kombit, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga historia, por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin! Historia shqiptare do ta thotë fjalën e fundit. Kjo është arsyeja pra që Midhta Frashëri Meriton të kujtohet, jo vetëm me rastin e përvjetorit të transmetimit të fjalimit të tij në radion BBC të Londrës me 16 gusht, 1949, por gjithmonë dhe nga të gjithë shqiptarët kudo, pa marrë parasyshë ndryshimet në pikëpamjet politike dhe ideologjike midis tyre. Në këtë përvjetor, po të mund të fliste, Midhat Frashëri do t’i këshillonte shqiptarët se ka ardhur koha për “të përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre”, ashtuqë më fund të fitojnë luftërat që e presin kombin, për realizimin e një jetë më të mirë për brezat e ardhëshëm.