Skenderbeu i Korçës dhe Shkëndija e Tetovës fitojnë në ndeshjet respektive të Europa Ligës duke u kualifikuar dhe siguruar një vend në play-off. Të gjitha mediat shqiptare i kanë dhënë jehonë këtij suksese të skuadrave shqiptare.

Skënderbeu europian eliminon Mladën

Vendi i Skënderbeut është në Europë. Korcarët përmbysën Mlada Boleslavin pas goditjeve të penalltive dhe 120 minutave dramatike duke siguruar një vend në play-off pas një ndeshje madhështore të “ujqërve” ku vendosi Orges Shehi, që nuk kërkoi t’i japë ende fund karrierës së tij duke shënuar një penallti e mbi të gjitha duke pritur një tjetër.

Një mbrëmje madhështore për skuadrën më të sukseshshme të historisë së Shqipërisë në Europë, që për të tretën herë e gjen veten të luajë në play-off duke kërkuar një tjetër kualifikim në grupet e Europa League. 90 minutat e rregullta përfunduan 2-1 ku golat e Lilajt dhe Plakut ashtu si ndaj Kairatit shkruan një tjetër faqe të lavdishme për bardhekuqtë përpara se fatin e kualifikimit ta merrte në dorë Shehi.

Në “Elbasan Arena” binte në sy prania e shumtë e tifozëve korcarë që besonin në një përmbysje të Skënderbeut. Fillimi ishte I mirë nga skuadra e Dajës që krijoi dhe rastin e parë në të 10-tën me Nimagën, por goditja e tij përfundoi jashtë. Në të 12-tën u nevojit një ndërhyrje e Shehit për të ruajtur bardhësinë e shifrave, por portieri i korcarëve nuk mundi të bënte asgjë 6 minuta më pas kur Janosh erdhi pas shpinës së Micit duke dërguar topin në rrjetë për golin e 0-1.

Nga ky moment Mlada pati më shumë qarkullim topi, ndërsa Skënderbeu provoi të dilte përpara me shpërthimet e Latifit që në të 43-tën pati mundësinë për të barazuar. Në pushim u vajt në disavantazh por prej aty skuadra e Dajës doli e karikuar. Që në të 50-të, korcarët pretenduan për një 11-metërsh por gjyqtari vazhdoi lojën, ndërsa 4 minuta më pas kryesori s’mund të mbyllte më sytë në ndërhyrjen ndaj Micit. Nga pika e bardhë u nis Lilaj që nuk gaboi duke cuar peshë tifozët.

Goli i dha zemër “ujqërve” që filluan të ngacmonin më tepër portën e cekëve që megjithatë rrezikuan në të 67-tën por Shehi ishte gati. Lëvizjet fituese për Dajën erdhën nga stoli, me Muzakën që hyri në fushë në të 74-trën e Plakun në të 80-tën. Pikërisht në këmbët e Muzakës u gatua goli që shkundi “Elbasan Arenën” me numrin 17-të që shërbeu për Plakun e goditjen e këtij të fundit që u devijua te Fleisman për të përfunduar në rrjetë.

Dyshja Muzaka-Plaku megjithatë nuk kishte përfunduar ende spektalin pasi në të 87-tën për pak sa nuk arritën te goli i 3-1. Gjithsesi për të arritur mrekullinë Skënderbeu kishte nevojë për një tjetër mrekulli, atë të minutës së 89-të kur topi u ndal në shtyll duke shpëtuar korcarët nga goli i eliminimit me ndeshjen që shkoi në shtesë. Skënderbeu nga ky moment nuk hoqi këmbën nga “gazi” me Plakun që pa t’i mohohej goli mbi vijën fatale, ndërsa në të 106-tën Latifi xhiroi sërish mbrojtësit cek por nuk gjeti vetëm për pak portën. 3 minuta më pas ishte Shkodra që provoi me armën e tij më të mirë, goditjet nga larg por Divis në vështirësi reagoi në dy kohë. Pavarësisht përpjekjeve të Skënderbeut rezulati nuk ndryshoi me fatin e kualifikimit që do të vendosej nga pika e bardhë, ku i pari u nis Shehi që tregoi se nuk kërkon t’i japë ende fund karrierës së tij.  Latifi e Muzaka e pasuan me sukses, deri në castin kur Rada gaboi duke i dhënë një asist Lilës, që e shfrytëzoi më së miri përpara se Shehi të bënte një tjetër mrekulli duke pritur penalltinë e fundit e duke ndezur festën e korcarëve.

Shkëndija spektakolare, kalon në playoff

Shkëndija është zjarr në Europë. Kuqezinjtë siguruan një vend në play-off të Europa League për të dytin sezon radhazi pasi mundën 3-0 lituanezët e Trakait duke përmbysur humbjen 1-2 të ndeshjes së parë. Në Strumicë, tetovarët zhvilluan ndeshjen perfekte në 45 minutat e para ku goditën sistematikisht portën e Plukasit duke gjetur madje dhe 3  golat e fitores me Ibraimin dhe Hasanin dy herë.

Golat me goditje nga larg nuk ishin rastësi për kuqezinjtë pasi që në minutën e 10-të refreni ishte i njëjtë, shënjestrim i portës së lituanezëve  me abdurrahmanin që dha dy sinjalet e para në minutat 10-të dhe 16-të. Në të 22-tën provoi dhe Hasani por për fatin e tij të keq gjeti vetëm traversën, ndërsa 2 minuta më pas Celinkovic kërkoi të dërgojë topin në qendër për Radeskin por mbrojta mike kuptoi gjithcka. Në të 29-tën dhe moment që zhbllokoi ndeshjen me Ibraimin që goditi fortë në hyrje të zonës duke gjetur fundin e rrjetës duke shënuar dhe golin e pestë sezonal në Europa League.

Festa ishte e tëra për kuqezinjtë që në 35-tën panë sërish topin të ndalej në traversë pas goditjes së Bejtullahit. Gjithsesi, rrugën drejt kualifikimit e shtroi Hasani në të 42-tën me një goditje dënimi fantastike.

Me dy gola epërsi në pjesën e dytë Shkëndija thjesht duhet të menaxhonte lojën dhe ashtu bëri duke kontrolluar gjithcka mjaft mirë. Trakai jo vetëm që nuk krijoi por humbi dhe qetësinë duke mbetur me 10 vetë pas daljes me të kuq të Klimaviciusit në të 71-tën. Në epërsi numerike Shkëndija kërkoi dhe golin e sigurisë por Ibrahimi në të 82-tën, Shefiti në të 84-trën dhe Radeski në të 85-tën nuk e gjetën dot golin e 3-të pasi lavdia i takoi kapitenit Hasani, që shtyu për në rrjetë golin e 3-të në të 88-tën. U mbyll 3-0 me kuqezinjtë në festë që për të dytin vit radhazi arrijnë të shkojnë në fazën e play-off të Europa League duke treguar se Shkëndija ka marrë zjarr!

/supersport/

 

http://www.supersport.al/wp-content/uploads/2017/08/shkendija-trakai-3-0.mp4?_=1

By admini