OJQ iACT dhe Seanema Film Festival janë angazhuar në tre fundjavat e para të muajit gusht, në kuadër të Skenës verore organizuar nga Qendra kulturore Ulqin, si edhe në vigjilje të edicionit të tretë të festivalit të filmit Seanema, për të shfaqur 12 filma nga bota dhe rajoni, ku mes tyre përmenden emra të njohur, fitues të cmimeve të ndryshme ndërkombëtare.
Të dielën, më datë 6 gusht, me fillim në orën 20:40 do të shfaqet filmi “Igla ispod praga” (“The black pin”) i regjisorit Ivan Marinoviq. Ky film ishte i përzgjedhur nga Ministria e Kulturës si kandidat nga Mali i Zi për cmimin Oscar për vitin 2016.
Në 22:00 shfaqet filmi i dytë “Here be dragons”, një film-ese i regjisorit anglez Mark Cousins i cili flet rreth trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.
Drejtorja e OJQ iACT, Drita Llolla shprehet se në programin e filmit të Skenës verore dominojnë filma të rinj dhe të suksesshëm malazez dhe shqiptar me të ftuar special, ku në fokus të veçantë është promovimi i vlerave të multikulturalizmit dhe shkembimi kulturor mes dy vendeve.
“Të shtunën me datë 12 gusht janë të ftuar drejtori i Qendrës kinematografike malazeze, z. Sehad Çekiq dhe cifti i regjisorëve të mirënjohur nga Shqipëria, Iris Elezi dhe Thomas Logoreci. Ata do të prezantojnë filmat e tyre “Ispod mosta, medju stijenama” dhe “Bota”, si dhe do të flasin rreth rëndësisë së shkëmbimit kulturor mes Shqipërisë dhe Malit të Zi”, shprehet Llolla.
Në kuadër të programit të filmit, Seanema Film Festival është angazhuar më datë 13 gusht në Skenën verore duke ftuar festivalin e suksesshëm të filmit të animuar, AniBar Film Festival nga Peja, për të shfaqur një përzgjedhje filmash të animuar nga edicioni i tij i shtatë. Gjithashtu, në kuadër të programit, të shtunën me datë 19 gusht është parashikuar shfaqja e komedisë së suksesshme romantike “7 ditë”, me aktorët Jonida Vokshi, Denard Xhillari, Niada Saliasi, Ermal Mamaqi, e sjellë për herë të parë në Ulqin me të ftuar regjisorin e filmit, Erion Bubullima.
Data 20 gusht i është dedikuar 50 vjetorit të njërit prej filmave më të suksesshëm të kinotekës ish-jugosllave, “Skupljaci perja” (“I even met happy gypsies”) që para pak kohësh u shfaq në Festivalin e Kanës, si dhe në mirënjohje të veprimtarisë artistike të aktorit të njohur shqiptar, Bekim Fehmiu.
Programi i filmit zgjat nga data 6 deri më 20 gusht. Në vijim programi i plotë.
iACT media