Portali i lajmeve nga Ulqini, “Ulqinionline” njofton se të djelën me 2 mars, në kujtim të Masakrës së Tivarit, 72 vjetë më parë – Shoqata “Rumia” nga Ulqini, për të dytin vit me radhë, organizoi rrugëtimin tani të emërtuar, “Rrugës së të mbijetuarve të Masakrës së Tivarit” — rrugës tepër të mundimshme gjatë së cilës humbën jetën qindra ndoshta mijëra shqiptarë nga Kosovan ë udhtimin drejtë eliminimit në Tivar, në vitin 1945. Udhëtimi simbolik prej 14 kilometrash filloi të djelën nga Tivari i vjetër dhe mori fund në fshatin Brisk të Krajës. Në këtë rrugëtim mori pjesë një numër ndoshta jo aq i madh, por simbolik shqiptarësh nga Ulqini e Kraja, Ana e Malit, por edhe nga Kosova dhe Shqipëria, për të përkujtuar njërën prej ngjarjeve më të shëmtuara dhe më tragjike të Luftës së Dytë Botërore — jo vetëm në trojet shqiptare — por edhe në mbarë Evropën. Një krim i vërtetë lufte, ku numri i të vrarëve të pafajshëm të shqiptarëve nga Kosova, sipas të dhënave nga disa historianë, mund të ketë arritur deri në 4300 veta.
“Ulqinionline” njofton gjtihashtu se si pjesë e programit ishte përfshirë edhe vizita tek ndërtesa famkeqe “Monopoli i Duhanit” në Tivar, aty ku thuhet se janë vrarë shumica e shqiptarëve të Kosovës, për të vendosur lule në shënjë nderimi dhe respekti për sakrificën e tyre. Por, sipas portalit, rrugëtarët shqiptarë nuk u lejuan të hynin mbrenda ndërtesës për të vendosur kurora me lule, megjithse pronari i asaj ndërtese ishte njoftuar më përpara për ceremoninë në fjalë. Si përfundim, grupi i “bjeshkatarëve” siç e quajnë veten rrugëtarët përkujtimorë të masakrës së Tivarit, bëri homazhe dhe vendosën lule jashtë ndërtesës dhe njëkohsisht mbodhën një pemë ulliri, simbol i traditës dhe jetëgjatësisë.
Shoqata “Rumia” si organizatore e këtij rrugëtimi vjetor për të kujtuar Masakrën e Tivarit, meriton lavdërimet e të gjithve për këtë nismë morale dhe kombëtare, me shpresën se në vitet e ardhëshme pjesmarrja në këtë përvjetor të shëndërrohet në një ngjarje me pjesmarrje më të madhe mbarë kombëtare nga të gjitha trevat, për të përkujtuar viktimat e pafajshme të shqiptarëve nga Kosova, në masakrën e Tivarit. Masakrimi i mijëra shqiptarëve të pafajshëm gjatë rrugëtimit të tyre të detyruar për në kasaphanen e Tivarit në vitin 1945, mund të quhet lehtë si tradhëtia e madhe kombëtare.
Ndonëse kanë kaluar 72 vjetë nga kjo masakër dhe megjithse ka patur ndonjë botim aty këtu që hedhë sado pak dritë historike mbi këtë tradhëti, e gjithë kjo tragjedi nuk ka patur interesimin, e lere më shpjegimin dhe angazhimin e duhur zyrtar, as nga Shqipëria post-komuniste as nga Serbia e Mali i Zi dhe fatkeqsisht as nga Republika e Kosovës, për të zbuluar të vërtetën e kësaj masakre. Ajo që nuk mund të mohohet është fakti se ata të shkretë u tradhëtuan dhe si rrjedhim u vranë dhe u masakruan nga elementët më kriminel të ushtrisë jugosllave dhe të Partisë Komuniste serbo-malazeze, me dijeninë dhe bashkpunimin e shokëve të tyre ideologjikë të Partisë Komuniste shqiptare dhe të regjimit të Enver Hoxhës. Fatkeqsisht, sot kryesisht kjo masakër është hedhur në harresë, me ndonjë përjashtim aty këtu siç është rrugëtimi përkujtimor i organizuar nga Shoqata “Rumia” në Ulqin.
Masakra e Tivarit ishte një akt kriminal dhe tradhëtar i bashkrenduar mirë midis komunistëve shqiptarë dhe shokëve të tyre slave, për të eliminuar çdo rezistencë ndaj regjimeve të tyre dhe për sllavët një gjë e tillë ishte në përputhje të plotë me planet afatgjata të serbo-malazezve komunistë për të spastruar etnikisht trojet shqiptare nën ish-Jugosllavinë. Krimet komuniste, sidomos ato kundër shqiptarëve, përfshirë masakrën e Tivarit, nuk mund të trajtohen më si çështje për të cilat nuk mund të flitet dhe për të cilat historianët të mos hapin tanimë dosjet në arkivat e shteteve përkatëse, për të zbuluar të vërtetën historike, përfshirë edhe përcaktimin se kush ishin përgjegjësit dhe protagonistët kryesorë që dhanë urdhërat dhe ata që kryen këtë krim kundër njerëzimit, me vrasjen e mijëra shqiptarëve.
Megjithse historiografia komuniste e kishte shlyer masakrën e Tivarit për pothuaj një gjysëm shekulli nga historia, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ajo është dhe mbetet një ngjarje që nuk mund të harrohet dhe as të zhduket lehtë nga kujtesa historike e kombit shqiptar.
Nuk duhet patur frikë nga transparenca dhe as nga zbulimi i së vërtetës mbi krimet komuniste në Ballkan, gjatë dhe pas Luftës së dytë Botërore. Mos zbardhja e kësaj masakre dhe e krimeve të tjera anë e mbanë trojeve shqiptare do të vazhdojnë të hedhin një hije të zezë mbi ndërgjegjen morale dhe të ardhmen e kombit shqiptar, por njëkohsisht do të pengojë edhe zhvillimin e mirëfilltë të marrëdhënjeve të Shqipërisë dhe Kosovës me vendet fqinje. Zbardhja e së vërtetës mbi masakrën e Tivarit vetëm do të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve rajonale në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Kosovës me Malin e Zi. Kjo është një përgjegjësi personale, morale dhe kombëtare për politikën shqiptare.
Marrëddhëniet midis dy shteteve shqiptare dhe Malit të Zi duket se po shkojnë gjithnjë drejtë përmirsimit në shumë fushë, ndërsa gjatë viteve të fundit janë shkëmbyer vizita miqësore të nivelit të lartë midis tyre. Jo më larg se këtë javë vizituan Malin e Zi, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, Kryeministri shqiptar gjatë vizitës në Mal të Zi njoftoi se qeveritë e dy vendeve kanë vendosur të mbajnë një mbledhje të përbashkët tetorin që vjen në Shkodër, pa dyshim një pasqyrim ky i marrëdhënieve të mira midis dy vendeve. Kryeministri Rama u shpreh gjatë një konference me homologun e tij malazez për, “Një intensifikim të një cikli të ri marrëdhëniesh dhe e një përpjekjeje të re për të intensifikuar marrëdhëniet në funksion të përmirësimit të jetës ekonomike dhe sociale” midis dy vendve. “Nuk ka diskutim se ne mbetemi fqinjë të dashur dhe të afërt me njëri tjetrin dhe se rruga jonë e përcaktuar qartë për të qenë krah për krah në koalicionin e shteteve të botës së lirë demokratike është një rugë pa këthim, ku ne jemi vendosur të çojmë përpara këtë marëdhënie strategjike në funksion të ardhmërisë së fëmijve këtu në Malin e Zi dhe pak më tutje në ardhmërinë e fëmijve në Shqipëri.”
Pjesë e këtij cikli të ri të intensifikimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në fushë të ndryshme, duhet të jetë edhe zbardhja e plotë dhe e besueshme rreth masakrës së Tivarit dhe e krimeve të tjera komuniste nga të dy anët e kufirit. Kjo do të ishte me të vërtetë shënjë e një fillimi të ri marrëdhëniesh në Ballkan dhe simbol i një përpjekjeje për tu shkëputur njëherë e mirë nga krimet e së kaluarës dhe provë e një angazhimi serioz nga të dy palët për të zbuluar të vërtetën historike. Një gjë e tillë jo vetëm që do të çonte në forcimin e marrëdhënieve midis dy popujve të rajonit, por do të tregonte gjithashtu se Tirana dhe Podgorica, si vende tani të orientuara drejtë perëndimit, janë serioze, që përveç antarësimit në NATO dhe BE, të adaptojnë gjithashtu edhe vlerat e botës euro-atlantike, pjesë e të cilës pretendojnë se duan të bëhen.
Frank Shkreli
Më 1945 drejtë masakrës së Tivarit…
…dhe sot “Rrugës së të mbijetuarve të Masakrës së Tivarit”