Ulqin – Klubi i Karatesë “Ulqini” në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit dhe Federatën e Karatesë së Malit të Zi organizoi të dielën, më, 02.04.2017, në sallën e shkollës fillore “Marshali Tito” në Ulqin Turneun XVI Ndërkombëtar të Karatesë “Ulqini Open 2017”. Turneu u organizua me rastin e Ditës së Ulqinit.
Në Turne morën pjesë 52 klube të karatesë nga 9 shtete pjesëmarrëse: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, SHBA, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Zvicra dhe Mali i Zi, me gjithsej 716 garues.
Vendi i parë në renditjen e përgjithshme i takoi Federatës së Karatesë të Kosovës me 130 pikë të fituara, vendi i dytë KK “Bar” nga Tivari me 112 pikë të fituara, vendi i tretë KK “Forca” nga Shkupi me 40 pikë të fituara, vendi i katërt KK “Budva” nga Budva me 36 pikë të fituara, ndërsa në vendin e pestë u rendit KK “Rei” nga Ulqini me 32 pikë të fituara. Këto klube u shpërblyen me kupa. Garuesja më e mirë e Turneut u shpall Alma Loki, garuese e Federatës së Karatesë të Kosovës, ndërsa garuesi më i mirë Elhami Shabani po ashtu garues i Federatës së Karatesë të Kosovës, të cilët u shpërblyen me nga një kupë dhe me të holla.
Pjesëmarrja e garuesve më të mirë nga klubet pjesëmarrëse bëri që konkurrenca të jetë shumë e madhe. Nga KK “Ulqini” kanë bërë të ditur se janë shumë të kënaqur me pjesëmarrjen e klubeve, duke bërë që ky të jetë njëri ndër turnetë më masovikë dhe më cilësorë në vend dhe rajon.
Gjatë hapjes solemne të Turneut, iu nda nga një mirënjohje dhe nga një plaketë nga KK “Ulqini” në shenjë të bashkëpunimit të suksesshëm shumëvjeçar, Federatës së Karatesë të Kosovës, të cilën e pranoi sekretari i përgjithshëm i saj, z. Nazmi Gashi, Federatës Shqiptare të Karatesë, të cilën e pranoi kryetari i saj, z. Petrit Baba, Federatës së Karatesë të Malit të Zi, të cilën e pranoi kryetari i saj, z. Dragan Shakotiq, referit suprem, z. Miodrag Radunoviqit dhe ish sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Malit të Zi, z. Dragan Kraçkoviqi. Mirënjohje të veçanta iu ndanë edhe katër garuesve për arritjen e rezultateve kulminante në arenat botërore: Allmir Cecunjaninit, Marina Rakoviqit, Herolind Nishevcit dhe Biserka Radulloviqit, si dhe tre garuesve nga Ulqini për arritjen e rezultateve të mira në arenat ndërkombëtare: Adonis Markashit nga KK “Rei”, Edin Krajës nga KK “Ulqini” dhe Faruk Hasanagës nga KK “Albulena”. Me një mirënjohje të veçantë për promovimin e soprtit të karatesë dhe rezultate kulminante të arritura në arenat botërore u dekorua ish kampioni evropian i cili na nderoi me praninë e tij, z. Fehmi Mahalla.
Kryesia e KK “Ulqini” falënderoi të gjithë sponsorët, mediat, portalet e ndryshme që përkrahën klubin gjatë sezonit 2016/17 dhe iu ndau nga një mirënjohje në shenjë bashkpunimi.
Në veçanti falënderojmë Federatën e Karatesë së Kosovës në krye me z. Ismet Krasniqin i cili na përkrahi maksimalisht dhe në mënyrën më të mirë të mundshme bëri një organizim madhështor pjesëmarrës në turneun “Ulqini Open”. Faleminderit, kryetar, Juve dhe gjithë stafit Tuaj.
Në këtë turne ishin të pranishëm edhe miqtë tanë të klubit bashkëorganizator të turneut, Hanshi Bernard Scarda dhe sensei Safet Tahiri të cilët janë edhe anëtarë të KK “Ulqini” dhe udhëheqës të klubit të Karatesë “Legend Shotokan Karate” në Nju Jork.
Falënderim i veçantë i takon Komunës së Ulqinit, të cilës u dorëzua një plaketë për përkrahje dhe bashkëpunim, të cilën e pranoi kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Nazif Cungu, bashkëorganizatori i garës, i cili pasi përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, i falënderoi për praninë dhe i uroi sukses dhe qëndrim të këndshëm në Ulqin, e shpalli të hapur Turneun XVI ndërkombëtar të karatesë “Ulqini Open 2017”.
Garuesit e klubit të karatesë “Ulqini”, për shkak se ishin organizatorë të turneut, nuk konkuruan për shpërblime e as për radhitje në plasman gjeneral, edhe pse rezultatet e tyre ishin mjaft të mira, duke treguar edhe njëherë përgatitjen e mirë në ndeshje me garuesit më të mirë të rajonit.
Në fund, udhëheqësia e KK “Ulqini” falënderon të gjithë pjesëmarrësit që morën pjesë në këtë turne tradicional, sepse me këtë ata e madhështuan festimin e Ditës së Ulqinit.
Po ashtu, pjesëmarrja masovike është dëshmi i miqësisë dhe bashkëpunimit të mirë të KK “Ulqini” me klube në vend dhe jashtë vendit.
SHËRBIMI INFORMATIV I KLUBIT TË KARATESË ”ULQINI”