Në Shkollën fillore “Boshko Strugar” sot (të mërkurën) u përurua libri “Žena pomorca“ i shkrimtarit Asllan Bisha, i botuar pak kohë më parë nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve „Art Club“.
Vetë shkrimtari ka zgjedhur për të bërë përurimin e këtij libri në shkollën ku ka punuar si mësimdhënës pjesën më të madhe të jetës së tij.
Përurimi është konceptuar si një takim i nxënësve me shkrimtarin. Një paraqitje të shkurtër mbi veprimtarinë e Bishës e ka bërë mësimdhënësja e gjuhës malazeze, Lisenka Marseniq, ndërsa më pas nxënëset Tea Paviqeviq dhe Lisa Nimanbegu kanë lexuar në gjuhën shqipe dhe gjuhën malazeze fragmente nga libri „Nusja e detarit“ („Žena pomorca“).
Në vazhdim autori Asllan Bisha është përgjigjur në pyetjet e shumta të nxënësve, të cilët kanë shfaqur interesim për krijimtarinë e tij.
Në emër të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, nxënësit dhe mësimdhënësit e pranishëm i ka përshëndetur kryetari i saj, Ismet Kallaba.
Me këtë rast, SHAI “Art Club” i dhuroi një kontigjent të librave nga koleksioni i botimeve të saj Shkollës fillore “Boshko Strugar” në Ulqin, si pjesë e aksionit për pasurimin e fondit të bibliotekave të shkollave në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Përurimi i librit u organizua nga SHAI “Art Club” në bashkëpunim me Shkollën fillore “Boshko Strugar”, gjegjësisht seksionet letrare të kësaj shkolle, të udhëhequra nga mësimdhënëset Aishe Resulbegu dhe Lisenka Marseniq.