kerkoj-pjesen-e-shpirtit-timNga Dëfrim CANI

 Pavarësisht mos pasjes së një “ligji filozofik”, koha ka arritur të ecë përpara përmes gjërave të thjeshta. Të thjeshtë kanë qenë njerëzit që kanë lidhur epokat, që kanë mbartur ngjarjet, progresin, zhvillimin, kulturën, psikologjinë, marrëdhëniet me punën, me njëri- tjetrin, me arsyen dhe nevojën për t’i dhënë epokës tjetër jetën, zhvillimin, virtytet, cilësitë, përvojën, humanizmin, gjithëçka i duhet një jete njerëzore. Trashëgimia më madhe dhe më e rëndësishme e njerëzimit ka ardhur kryesisht nga gjërat e thjeshta, universi është perceptuar nga gjërat e thjeshta, ligjet e zhvillimit njerëzorë dhe zhvillimit në përgjithësi është kuptuar nga gjërat e thjeshta. Ndoshta atë që nuk e bën kaq shpjegueshëm filozofia mundet ta bëjë letërsia apo ndonjë kontribut tjetër shkrimorë.

Libri më i ri i Hasan Selimit, i cili fillon me një vetrrëfim të sinqertë, përmes sintagmës titullore “Pjesën e shpirtit tim kërkoj”, ka tri fondamente të rëndësishmë nga faqja e parë e deri tek e fundit,- dashurinë e pakushtëzuar të autorit për vendlindjen e tij në kuptimin më të gjerë të fjalës, e bërë prezent përmes të shkuarës, të sotmes, njerëzve dhe ngjarjeve, marrëdhënien thelbësore njerëzore të vazhdueshme me këtë vendlindje dhe njerëzit e saj, si një lloj enciklopedie e vërtetë në jetën dhe orientimin e tij jetësor, sinqeritetin e pakundërshtueshëm të Hasan Selimit me dy fondamentet e para, që është derdhur me një merak të çuditshëm, në forma dhe raste të ndryshme në çdo faqe të librit.

Ndoshta është një rast i veçantë shkrimor, në të cilin ka kaq shumë sentiment njerëzorë, a thua autori i ka shkruar vetëm për veten e tij; pamje kohësh, njerëz dhe ngjarje të “sendërtuara” artistikisht mes ditarit, përjetimit, esesë dhe një lloj teksti të “mbjellë” thellë me nyjëtimet historike, sociale, etnopsikologjike, psikologjike dhe ato të besimit. Titulli i librit “Pjesën e shpirtit tim kërkoj”, përbën një nga elementët tekstorë të rëndësishëm, me anë të të cilit krijojnë marrëdhënien më të rëndësishme të gjithë librat e kohërave dhe të botës, për të gjithë autorët e njohur nëpër kohë. Ai është propozuar si një kalkulim e stilizimi sintaksorë dhe përmes një lloj metonimie sinekdodike, e cila është shtrirë në të gjithë hapësirën e librit dhe në kontekstin e përtej- librit (lexuesi i çdo niveli e kupton ç’mund të thuhet me nocionin “përtej- libër”), por ka gjithashtu një komunikim racional me nevojën për ta kuptuar librin, më së pari përmes leximit dhe më pas përmes krijimit të “vatrave” të reflektimit, që zakonisht lënë librat pas leximit të parë. Ky libër e ka këtë standard.

 

Libri në pjesën më të madhe të tij është ndërtuar me një numër të konsiderueshëm ngjarjesh, njerëzish, rastësish, meditimesh, qasjesh për librat dhe njerëzit, kohët dhe kujtimet, që kthehen në një lloj mendimi të figuruar dhe një detyrim “etnologjik” të papërfunduar të autorit. Hasan Selimi e ka emblemuar këtë raport që në titullin e librit “Pjesën e shpirtit tim kërkoj”.

Libri duket se tregon hapat e tij, udhëtimin dhe rrugëtimin e tij. Në pamje të parë kjo duket gjëja më e thjeshtë që mund të thuash për një libër, por nuk është kështu. Psikologët thonë se hapat e fëmijës kanë një raport të drejtë me shqisën e tij për të njohur botën. Sa është e vërtetë, këtë nuk e dimë me saktësi. I shkruar në moshën e pjekur, libri është i besueshëm, përmes një ndjeshmërie të prekshme shpirtërore, me një poetikë të mrekullueshme leksematike, ai zbulon thellësitë fëminore, burrërore, dhimbjet, brengën, dashurinë, fondamentin e qëndrueshëm të një njeriu të njohur në botën e letrave shqipe. Pavarësisht natyrshmërisë së motiveve dhe të shkruarit, rast pas rasti rrëfimet, përjetimet, induksionet, deduksionet, përshkrimet, meditimet preken nga një magji e vetvetishme e raporteve të brendshme njerëzore, ku ka një sentiment të thellë njerëzor për gjërat e vogla dhe gjërat e mëdha, duke i bërë shërbimin thelbësorë pjesës më të madhe të librit, për t’i bërë të vërteta ngjarjet, njerëzit, bëmat, personazhet për një arsye të thjeshtë; libri “Pjesën e shpirtit tim kërkoj” është libri i njerëzve, jo vetëm në gjeografinë që e dikton atë, por shumë më të gjerë, në fondamentin që perimetron koncepti njeri.

 

Hasan Selimi është i njohur si poet. Para pak kohës ai ka vënë në dorën e lexuesit shqiptar një vëllim poetik të titulluar “Hije Dheu”, i cili për shkak të specifikës, stilit, motiveve, sendërtimit estetik, i krijon një peshë të madhe nderi autorit në çdo komunikim shkrimorë, i çdo lloji apo zhanri qoftë. Hasan Selimi është një poet me shqisë poetike të veçantë, ai është një dijetar i mirë i krahinës së tij, Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës, është një malësor i formuar mirë në konditat më të pranueshme të odës së vet, me të cilën ka pasur dhe vazhdon të ketë ndikim pjesa më e mirë e të kaluarës, e shfaqur përmes ngjarjeve historike, njerëzve dhe ruajtjes së kodit burrërorë të Veriut. Hasan Selimi është një njohës i mirë i fjalës, si një element racional dhe funksional i komunikimit në kondita të caktuara, e cila buron thellësisht nga kodi zakonorë i Veriut në veçanti dhe të drejtës zakonore shqiptare në përgjithsi.

Ky kod jetik është mishëruar në fondamente të njohura njerëzore, një pjesë e mirë e tyre të reflektuara mjeshtërisht në optikën e këtij libri. Autori përmes këtyre refleksioneve, dhe ne, pa marrë rolin e një kritike librore, qoftë ajo dhe psikologjike, leximi i librit “Pjesën e shpirtit tim kërkoj”, vjen si një shërbim i çmuar i mjediseve etnopsikologjike dhe tradicionale të trevës dhe pjesës më të madhe nga rrjedhin subjektet e librit.

Pavarësisht motiveve, natyrës së personazheve dhe kohës, Hasan Selimi e ruan profilitetin e tij në kuptimin e mënyrës dhe detajeve që ai përdor për të “propozuar” një karakter, rrëfim apo ngjarje, duke ruajtur raporte të forta me formimin e tij, si orientim racional dhe i rëndësishëm në rrugëtimin e tij krijues. Në natyrën e një libri të tillë, autorit i është dashur të bëjë me lexuesin një komunikim disa- marrëdhëniesh, disa- kulturash, por duke ruajtur esencën e tij, prej një krijuesi që din t’i përdorë mirë motivet, t’i zotërojë ato dhe jo ata ta çorientojnë atë.

Jo në gjithë rastet krijimtaria poetike veçmas, por dhe ajo, ku ka një mendësi “uni’, them “uni’ dhe në këtë libër karakteresh, ngjarjesh dhe personazhesh, që e afrojnë shumë këtë libër me letërsinë artistike, pasi autorin askush nuk mund ta ndalojë në zgjedhjen e tyre (në luftë marrin pjesë shumë njerëz, por jo të gjithë shkruajnë për luftën), nënshtresa psikologjike, këmbëngulja për t’i estetizuar jo pak karaktere apo ndodhi, kthehen në një lloj vetë-rrëfimi, një vet-tregim i sinqertë dhe shpirtërorë i formimit të tij, për shkakun e një marrëdhënie të kujdesshme vertikale historike dhe horizontale të njerëzve, ngjarjeve, psikologjive, historisë, dukurive dhe fenomeneve që tregohen faqe për faqe.

Pikërisht në këtë lloj shqueshmërie të profilit të autorit, libri është një “abetare” e çuditshme për të lexuar mirë poezinë e tij, e cila ka tipare elitare për ta interpretuar dhe kuptuar gjithashtu.

Nuk dua ta konsideroj hiperbolë, por një lloj personifikimi, kur më duket se Hasan Selimi ka “planetin” e tij në poezi, por siç duket dhe në këtë lloj kontributi shkrimorë. Them “planet” për të diferencuar komunikimin, për shkakun e prurjes së tij, e cila vjen nga një univers etnopsikologjik, nga një “zgjatim“ me të cilin shumë mirë mund të shpjegosh, madje ta interpretosh dhe të krijosh ekuilibra me zhvillimet e sotme.

Besoj brenda këtij “referimi” gjendet gjerësisht dhe “planeti” i Hasan Selimit, i cili nuk është shfaqur plotësisht, e që duhet kohë për ta pritur, por ai duket, ka konturet e veta në shumë struktura artistike, eseistike dhe të llojeve të tjera të komunikimit artistik- etnopsikologjik. Gama e madhe e karaktereve na jep të drejtë për një mendim të tillë. Në një mënyrë sintetike, ky perceptim, i emërtuar paksa çuditshëm, është korrektuar në këtë parathënie të shkurtër. Çdo shkrimtar ka planetin e tij, çdo poet, çdo rapsod, madje çdo rrëfimtar.

Për ta vazhduar arsyetimin lidhur me termin që përdora më lart, “planet”, kuptoj se më së pari ka një gjendje emocionale, që krijohet në situata të caktuara informacioni, që lexuesi merr nga një libër i caktuar, i çdo gjinie qoftë. Zakonisht libri kalon përmes dy standardeve. Standardi i parë është që libri ta bëjë për vete lexuesin, ta bëjë “pronë” të tij, ta “robërojë”, ta “skllavërojë”, madje ashtu siç ndodh me librat e njohur botëror. Kështu pjesa më e madhe e librave të Cvajkut, Markezit, Londonit, Pirandelos të “robërojnë”, të bëjnë të humbasësh koordinatat reale, për t’u bërë pjesë e koordinatave të botës dhe realitetit “sureal” të librit.

Standardi i dytë është pjesa kur libri kërkon aktualizimin e tij, thënë ndryshe, kthimi në koordinatat e jetës reale. Ndoshta përqasja dhe në rastin tonë, e shpjegon kontekstualisht konceptin e “planetit’.

Libri i autorit Hasan Selimi është libri i gjërave të zakonshme për vendin, kohën dhe realitetin (mjedisin social), ku i zbulon autori, pavarësisht se ata janë pjesë e një rrugëtimi gati të zakonshëm për të. Është libri i karaktereve dhe psikologjisë, gjithësesi të rëndësishëm për ta “robëruar” lexuesin. Për një studiues të librave të kësaj natyre ky është një rast fatlumë dhe një fakt i rëndësishëm. Të gjitha së bashku përbëjnë një pamje të gjerë me ngjyra, me mote me diell dhe lagështirë brenda, me dhimbje dhe me një lloj arome të “bukës së pjekur”.

 

Rast pas rasti dhe ngjarje pas ngjarje, pavarësisht mjeteve që përdor autori në rrëfimet, perceptimet, qëndrimet që mban dhe për çfarë është ndërtuar ky libër, lexuesi i çdo niveli arrin të krijojë një afër përfytyrim për vendet, njerëzit, zakonet, traditën e njerëzve dhe kohët që sjell ky libër. Në pamje të parë, libri duket si një udhëtim i lirë, për arsyen e thjeshtë se ai është i larmishëm, por sapo depërton në shtresat psikologjike të tij, ka një mjeshtëri të habitshme interpretuese të psikologjisë së njerëzve dhe ngjarjeve, traditës në rrethanat e reja. Tipologjia e ligjërimit të Hasan Selimit është plotësisht e profilit të tij, i cili siç dhe kuptohet këtë profilitet e reflekton në gjithë produktet e tij krijuese dhe interpretuese të kësaj natyre.

Hasan Selimi vjen nga një trevë në të cilën vijojnë të tregohen, të ruhen dhe të demonstrohen në mjedise të ngushta dhe publike legjenda dhe memorie e madhe për eposin legjendarë në mënyrën më të natyrshme. Eposi ynë dhe legjenda janë ndërtuar mbi një botë jashtëzakonisht të larmishme mitologjike, por interpretimi i studiuesëve, më së shumti e ka përthyer këtë prani mitologjike si një fantazi e kohapaskohshme, madje dhe e ditëve të sotme.  Rrëfimet dhe karakteret që Hasan Selimi ka sjellë në këtë libër janë të çuditshme, janë një shtrat ku është përkundur legjenda, janë ato bjeshkë ku janë rritur dhe kanë bredhur me zanat kreshnikët. Mishërimi i jo pak cilësive të njerëzve të kësaj natyre të këtyre anëve, duket se e bën të prekshme legjendën. Ndërsa Mitrush Kuteli na i ka sjellë përmes një strukture tjetër epikën legjendare, të cilën ai mjeshtërisht e shndërroi në tregim modern, Hasan Selimi i ka personazhet e njohur të tij real dhe aromatik, që dihasin faqe për faqe dhe ngjarje pas ngjarjeje. Pra, ka dhe ca gjëra të çuditshme që legjenda duhet besuar, ndoshta jo për nga hipebolika apo personifikimi, por nga disa cilësi dhe rrethana njerëzore jo të zakonshme.

Aftësia dhe dëshira për t’i “lexuar” në dimensionin njerëzorë gjërat e thjeshta, gjërat e zakonshme, dashuria dhe ndjeshmëria për t’i shndërruar në produkt social, në dashuri dhe në kujtesë, përveçse nuk është një cilësi dosido tek krijuesi, por është një fenomen i rrallë, ku lidhjet e forta të shpirtit zbulohen përmes krijimtarisë dhe tipizimeve të personazheve dhe karaktereve njerëzore, që njëherësh janë real, por sendërtimi i tyre është gati artistik. Jo gjithë dashuritë njerëzore thuhen në një formë të caktuar, ato thuhen mrekullisht dhe në këtë mënyrë

Në vijim të kësaj “syzheje” të vogël, duket se kanë zënë vend marrëdhënie të hershme dhe të vona, njerëz ngjarje dhe induksione që kanë mbetur dhe jetojnë brenda autorit. Jo kot thuhet; se shpirti, ndjeshmëria, marrëdhënia e brendshme e shkrimtarit dhe poetit është si një enciklopedi, të cilën ai e merr më vete.

Libri është një galeri personazhesh dhe njerëzish, të zbuluar në një gjeografi emblematike dhe korrektuar historikisht, e spikatur dhe e cilësuar si referencë e modelit tonë të hershëm, e cila përbën një zbulesë të rëndësishme etnopsikologjike, që përmes një farë idiliteti dhe raporti njerëzorë të autorit me to, vijnë tokësorë, të prekshëm dhe në rrjedhën e zakonshme të jetës. Unë mendoj se kjo rrjedhë e zakonshme e këtyre karaktereve dhe personazheve përbëjnë një poetikë të mrekullueshme të librit nga njëra anë, por dhe të sensit krijues të autorit në anën tjetër.

Në këtë praktikë tipike të shkruari, që Hasan Selimi e ka tiparin e tij, ka një të vërtetë të madhe; jeta e zakonshme që dredhet rrugëve nga mëngjes në mbrëmje janë një poezi i vërtetë, por aftësinë për ta shdërruar në vargje, strofa e rima e kanë pak njerëz.

I lidhur qëndrueshëm me njerëzit e tij, ndryshe libri mund të quhet “libri i njerzve të tij”, dhe ky është një raport funskional mes tipizimit dhe përgjithësimit, duke përdorur një qasje të dijes së letërsisë, lehtësia me të cilën lexohet libri, të krijon ndjesinë e një “reportazhi karakteresh”, por duke nyjëtuar një libër të hapur kohësh, brezash, ngjarjesh, prerjesh etnopsikologjike, të cilat i kanë rezistuar kohës në ritmin e lëvizjes dhe të zhvillimit.

 

Magjia e rrëfimit dhe vet-rrëfimit të Hasan Selimit, i krijon një mundësi të rrallë lexuesit që din ta lexojë atë; mjafton dhe ky libër i çuditshëm me njerëz, ngjarje, raste, përjetime, karaktere, profile, përshpirtje, rikthime pas, dedikime, pra një larmi qasjesh, për të cilat autori nuk ka asnjë lloj meraku, e të duket se ke qëndruar një jetë të tërë në këto anë nga buron përjetueshmëria e librit.

Jo gjithmonë ndodh kështu. Kanë shkruar emra shumë të njohur për kthimet e përjetshme në vendlindjet e tyre, në ngjarjet dhe njerëzit e tyre, por ta prekësh realitetin në këto gjendje, ka qenë e vështirë, për një arsye të thjeshtë; rrëfimeve të tyre iu ka munguar aroma e “bukës së pjekur”, fresku, kristalini dhe andja që sjell Valbona dhe përjetimet e lashta kreshnike, që natën zbresin nga Bjeshkën e Namuna e bujtin në odat e zemrat e njerëzve të Hasan Selimit, e ata (malësorët) për sajdi rrokin lahutën e sharkinë e “kuvendojnë” me to deri në mëngjes.

Gjëra të vogla duan dashuritë njerëzore për t’i bërë ato të mëdhaja, po ashtu dhe gjërat e thjeshta, në shumë raste kanë peshë të madhe.

 

Tiranë, tetor 2016

By admini