NDËRROI JETË ALEKSANDËRI I SHQIPTARËRVE – BIR I SHQIPONJËS – KRYEPESHKOP ORTODOKS I SHQIPTARVE TË ARGJENTINËS DHE TË AMERIKËS LATINE – SHËRBËTOR I PËRULUR I ZOTIT DHE SHQIPËRISË

 Nga Frank Shkreli

 Njoftimi për kalimin në amshim të

 Monsinjor Alejandro (Akeksandër) Greco u botua në portalin e tij (fejsbuk) tre ditë më parë, duke njoftuar komunitetin arbëresh në Argjentinë, anë e mbanë Amerikës Latine dhe botës.  Hirësia e tij Aleksandër, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës në Amerikën Latine, për ndryshe, pasuese e Kishës së Fan Nolit, por në pjesën jugore të kontinentit amerikan.  Kryepeshkopi i shqiptarëve ortodoksë të Amerikës së Jugut me qendër në Buenos Aires, Aleksandër Greco, ndërroi jetë tre ditë më parë.

Vdekja e tij e parakohshme, domosdoshmërisht, pikëlloi komunitetin artodoks arblëresh në Argjentinë dhe anë e mbanë rajonit, por edhe më gjërë, të gjithë ata që e kishin njohur atë personalisht, ose veprimtarinë e tij atdhetare dhe fetare.  Unë për veprimtarinë e të ndjerit Kryepeshkop Aleksandrin kam dëgjuar dhe kam mësuar shumë nga miku im nga Çamëria martire, Z. Sali Bollati, patriot i nderuar dhe çam i respektuar në komunitetin shqiptaro-amerikane dhe përtej.   Frank Shkreli: Sali Bollati-çam, shiptaro-amerikan, i mbijetuar i gjenocidit grek të 1944. Jo,jo nuk harrohet Çamëria ! | Gazeta Telegraf — Kryepeshkopi Aleksandër ishte shumë i interesuar për Çamërinë dhe për krimet greke atje kundër shqiptarëve çamë, por edhe pa harruar masakrat serbe në Kosovë, por edhe triumfin e lirisë e të pavarësisë së Dardanisë.

Sipas të dhënave të botuara nga vet Kryepeshkopi, në të kaluarën, ai vinte nga një familje me origjinë arbëreshe të jugut të Italisë. Ai ka shkruar se megjithë, “shumë shekujve që kanë kaluar nga koha që familja ime la Shqipërinë, gjithmonë e kemi ruajtur edhe të folurën. Arbëreshët që jetojnë në Amerikën e Jugut e kanë humbur jo pak të folurën shqipe, gjuhën pra, e megjithatë po përpiqem ta rikthej vëmendjen tek ajo”. Ai ka theksuar se familja e tij gjithmonë ka “pasur në ndërgjegjen tonë, tokën e origjinës. Kjo ndërgjegje nuk ka humbur as përgjatë shekujve. Kjo është e rëndësishme për t’ia transmetuar edhe të rinjve tanë. Gjithnjë kam thënë se porta jonë është e hapur për të gjithë ata që kanë gjak shqiptar”, është shprehur ai.

Dera e tij – megjithse larg nga e gjithë bota në jug të Amerikës Latine –ishte vërtetë e hapur për të gjithë shqiptarët pa dallim feje a krahine. Me të drejtë, këto ditë pas largimit të tij nga kjo jetë, burime të ndryshme vërtetojnë ato që dija edhe unë për figurën e tij fetare e patriotike – se ai ishte një personalitet i njohur dhe një udhëheqës i dashur e i respektuar nga diaspora shqiptare në ato anë, por i njohur për patriotizmin e tij edhe anë e mbanë trojeve shqiptare – nga Kosova e deri në Çamëri. Prandaj me humbjen e tij, bota shqiptare kudo ka humbur një udhëheqës të rradhë fetar por edhe një përkrahës të zellshëm të çështjess kombëtare. Si i tillë pra, largimi i tij nga kjo botë, ka lenë një boshllëk të madh në jetën dhe veprimtarinë e Arbëreshëve të Argjentinës, por edhe më gjërë. Nuk jam i sigurt nëse kushdo që të vijë në vend të tij do vazhdojë të punojë me aq zell e dashuri për forcimin e lidhjeve të arbëreshëve me Atdheun e tyre të origjinës – Shqipërinë – por edhe me Kosovën e Çamërinë. Por, uroj që cilido të jetë ai, të vazhdojë në rrugën e përcaktuar nga Kryepshkopi Aleksandër dhe të ndjekë gjurmët e tija në mbrojtje të traditës dhe në kultivimin e gjuhës dhe të identitetit të shqiptarëve të atij rajoni të gjerë.  Një zonë kjo për të cilën, në të vërtetë, nuk mendojmë shumë kur kemi parasysh marrëdhëniet me diasporën shqiptare në botë – por është një komunitet që meriton vëmendjen dhe interesimin – ashtu siç interesohej për shqiptarët kudo, Kryepshkopi Arbëresh Aleksandër i Argjentinës dhe i Amerikës Latine.

Komuniteti Arbëresh i Argjentinës dhe Amerikës Latine, por edhe të gjithë ata shqiptarë që e njohën gjatë viteve, e kujtojnë klerikun e nderuar orthodosk Arbëresh si një klerik me një devotshmëri të thellë fetare dhe kombëtare, por edhe për përkushtimin e tij ndaj ruajtjes së gjuhës shqipe/arbëreshe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë, përfshir Argjentinën e largët. Kujtimi i tij është një trashëgimi për tu ndjekur, jo vetëm nga klerikët e tri feve kryesore të shqiptarëve, por edhe nga liderët politikë se si duhet kujtuar e kaluara historike, përfshir krimet kundër shqiptarëve nga të huajt dhe të vetët. Se si duhet të ruhet tradita dhe si të mbrohet identiteti kombëtar, sidomos në trojet shqiptare, por edhe në diaspora shqipare të largëta si ajo Arbëreshe në Argjentinë dhe Amerikën Latine – të cilës i shërbeu me aq përkushtim e dashuri, Kryepeshkopi Arbëresh, Aleksandëri, Bir i Shqiponjës.

Pushoftë në paqe! Kutimi tij qoftë i përhershëm!

Frank Shkreli

By admini