Për vitin 2015 ndërmarrja ”Të mirat detare” me seli në Budva ka mundur që të grumbullojë më shumë se 40.000 euro për përdorimin e tokës në të cilën janë shtëpizat në bregun e lumit Buna, në derdhjen e saj në det.
E përditshmja Vijesti tregon se kontratat për të vjeljen e të hollave për vitin 2016 ende nuk kanë përfunduar.
Por diçka e habitshme ka ndodhur gjatë muajëve të fundit. Mjafton që të shkosh në derdhjen e lumit Buna në det për të vërejtur ndërtimet e reja të shtëpizave në këtë vend mjaft atraktiv.
Numri i shtëpizave të reja të cilët janë ndërtuar këtu vetëm këtë vit është mjaft i madh, dhe mund të shkojë deri mbi 50 sosh.
Ndërmarrja ”Të mirat detare” e cila menaxhon këtë pjesë të bregdetit të Ulqinit nga çdo shtëpizë në këtë pjesë merr qiranë e tokës e cila varet nga madhësia e shtëpizës.