Nga Frank Shkreli

Me rastin e 60-vjetorit të themelimit dhe të 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

60-vjetë më parë, Senatori i atëhershëm, Xhon F. Kenedi, mbajti nje fjalim historik gjatë fushatës së tij për president në Universitetin e Miçigenit, në Tetor të vitit 1960 e që një vit më vonë çoi në formimin e entit që sot njihet si Korpusi i Paqës. Me atë rast, Xhon F. Kenedi u bëri një thirrje emocionale studentëve universitarë amerikanë që të shkonin si vullnetarë, për një vit ose dy, në vendet në zhvillim e sipër anë e mbanë botës.

Në shkallët e Universitetit Miçigen, Xhon Kenedi sfidoi studentët amerikanë që t’i shërbenin vendit të tyre në kauzën për paqë duke jetuar dhe duke punuar në vendet ne zhvillim, anë e mbane botës. Vetem disa javë pas atij fjalimi, studentët filluan të mblidhnin firma në mbështetje të kësajë ideje dhe kështu lindi Korpusi i Paqës. Kongresi amerikan, si rrjedhim, miratoi në vitin 1961, legjislacionin duke i dhënë Korpusit të Paqës mandatin, “për të promovuar paqën dhe miqësinë në botë”. Ishte ky një ent i ri dhe mundësi e re për vullnetarët amerikanë të profesioneve të ndryshme që t’i shërbenin vendit të tyre dhe botës.

Megjithëse kanë kaluar 60-vjetë, kjo thirrje dëgjohet edhe sot ndërsa shume të rinj e të reja amerikane i përgjigjen gjithnjë apelit të ish- Presidentit Kenedi për të shërbyer, vullnetarisht, anë e mbanë botës, në kauzë të paqës dhe të miqësisë midis popujve. Misioni i Korpusit Amerikan të Paqës, atëherë dhe sot, është që vullnetarët e këtij enti qeveritar amerikan të ndihmojnë vendet në zhvillim, me qellim, që ato vetë të ndërmarrin programe dhe projekte zhvillimi; që të promovojnë mirëkuptim më të madh ndaj amerikanëve nga të huajt dhe të kontribojnë, njëkohësisht, edhe për një mirëkuptim më të madh të popujve, anë e mbanë botës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht, vullnetarët e parë punonin si mësues, por më vonë aktiviteti i tyre u zgjërua edhe në fushë të tjera, siç është zhvillimi ekonomik dhe programet në sektorët e mjedisit, teknologjisë, e tjera.

Natyrisht, se para 15 Marsit të vitit 1991 — datë kjo kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria lidhën marëdhëniet diplomatike pas 45 vjetësh, nuk kishte prani të Korpusit të Paqës në Shqipëri. Grupi i parë i vullnetarëve i perbërë prej 21 vetash, sipas Korpusit te Paqes, ka mbërrijtur në Shqipëri Qershorin e vitit 1992 dhe menjëherë filluan veprimtarinë e tyre duke dhenë mësim në anglisht në shkolla të mesme dhe universitete. Ky grup u pasua nga 12 vullnetarë të tjerë që morën pjesë në një projekt të zhvillimit të biznisit të vogël. Programi për Shqipërinë u zgjërua përsëri në vitin 1995 me 15 vullnetarë që u aktivizuan në një projekt bujqësor. Ç’prej arritjes së grupit të parë të pjesëtarëve të Korpusit të Paqës në Shqipëri, më shumë se 800-vullnetarë kanë shërbyer gjatë këtyre 30-viteve të normalizimit të marrëdhënieve me vendin e shqiponjave, ndërkohë që Shqipëria ishte atdheu i dytë për ta, për aq kohë sa kaluan atje.

Në vitin 1997, ishte në plan që programet e Korpusit të Paqës në Shqiperi të shtoheshin dhe të zgjëroheshin edhe më shumë, por tragjedia e vitit 1977 në Shqipëri çoi në evakuimin e të gjithë vullnetarëve të Korpusit Amerikan të Paqës, si dhe në mbylljen e misionit të tij në Shqipëri.

Pas një mungese prej gjashtë vjetësh, vullnetarët e Korpusit te Paqës ishin ri-kethyer në Shqipëri për të filluar trajnimet për një projekt në ndihmesë të bashkive dhe për zhvillimin e projekteve për mësimin e gjuhës anglisht, si edhe për projekte të tjera të shërbimit shëndetësor e të tjera. Sipas Korpusit të Paqës, vullnetarët e këtij enti amerikan — në Shqipëri kanë punuar dhe kanë bashkrenduar gjithë aktivitetin e tyre me organizma dhe ente të qeverisë shqiptare, si dhe me USAID në Tiranë, me organizata jo qeveritare shqiptare, si due me universitete dhe me drejtorë shkollash, anë e mbanë Shqipërisë. Vullnetarët e Korpusit të Paqës në Shqipëri kanë marrë pjesë edhe në projekte siç janë planifikimi urban, zhvillimi ekonomik, zhvillimi turistik, planifikimi strategjik si edhe në promovimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike, ashtuqë që ata të kenë një zë vendimarrës, në komunitetet ku jetojnë.

Veprimtaria e vullnetarëve të suksesshëm të Korpusit Amerikan të Paqës është një kontribut me vlerë për të dy palët, pasi ndihmon në njohjen dhe mirë-kuptimin e përbashket midis popujve dhe shteteve. Le të shpresojmë që në këtë 30-vjetor të rivendosjes së marrëdhenieve midis Washingtonit dhe Tiranës, që po afrohet, vullnetarët e Korpusit të Paqës në Shqipëri, të krijojne lidhje dhe njohuri pozitive me shqiptarë e shqiptare, anë e mbanë vendit, te cilët rradhë herë kanë mundësi kontaktesh me amerikanë dhe që veprimtaria e këtyre vullnetarëve amerikanë në Shqipëri të kontribojë edhe në përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy popujve tanë ne 30-vjetorin e ri-vendosjes se marreëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.

Ambasadorja e Shteteve të bashkuara në Tiranë, Zonja Juri Kim në një mesazh urimi në twitter drejtuar vullnetarëve me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Korpusit të Paqës, thotë se ata përfaqësojnë gjërat më të mirat të Shteteve të Bashkuara dhe anasjelltas. Duke i falënderuar vullnetarët e Korpusit të Paqës për shërbimin e tyre, Ambasadorja amerikane shkruan se mezi pret këthimin e tyre në Shqipëri, pas zhdukjes së Covid-19. Ndërsa, Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Antony J. Blinken, në mesazhin e tij me rastin e 60-vjetorit të Korpusit të Paqës shprehet se, “Jam i vetdijshëm se vullnetarët e Korpusit të Paqës mezi presin të këthehen në shërbimin e tyre sa më parë që të jetë e sigurt për të bërë një gjë të tillë. Dhe kur të këthehen”, në vendet e tyre të punës, shtoi kryediplomati amerikan, “ata do të jenë ambasadorët më të mirë të vlerave Amerikane”, në botë.

By admini