Filmi dokumentar “Në teh të erës”, i autorit Haxhi Shabani, kushtuar poetit, letrarit, studiuesit dhe profesorit universitar Basri Çapriqi është shfaqur premierë në kino “Armata” në Prishtinë, me rastin e Ditës së Librit dhe të Drejtave të Autorit. Ky aktivitet u organizua nga ambasada e Malit të Zi në Kosovë dhe drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.

Historia e poetit të detit – siç njihej ndryshe Basri Çapriqi nga qarqet letrare dhe intelektuale të Prishtinës, është rrëfyer nga perspektiva e gazetarit shumëvjeçar, Haxhi Shabani nga Ulqini, i cili përmes dokumentarit 60 minutësh e ka prezantuar opusin poetik, intelektual dhe studimor të Basri Çapriqit.
Në filmin dokumentar “Në teh të erës”, është folur për inspirimin e Çapriqit nga deti, ulliri dhe kalaja e Ulqinit, treguar nga familjarët, miqtë, kolegët dhe studiuesit e veprës së tij.
“Rrugëtimi letrar, poetik dhe studimor i Basri Çapriqit ka nisur në Prishtinë, ku ai është mishëruar thellë me simbolikën dhe misteret e letërsisë, duke u shndërruar në poetin simbol të letërsisë moderne shqipe”, tha në fjalën e tij përshëndetëse i ngarkuari me punë në ambasadën e Malit të Zi në Prishtinë, z. Bernard Çobaj.
Sipas Çobajt dokumentari i Haxhi Shabanit pasqyron figurën e plotë të Çapriqit si poet, studiues i letërsisë, profesor universitar, publicist, themelues dhe drejtues i shoqatave letrare, por edhe aspektin e tij njerëzor. “Qëllimi i artit është t’i jap jetës formë, thoshte Shakespeare, ndërsa Basriu e ka shkri jetën e vet në art duke i dhënë formë artistike, dhe qoftë i përhershëm kujtimi për të”, tha Çobaj para të pranishmëve në sallën e kino “Armata” duke falënderuar për pjesëmarrje Bulëzën dhe Bindin, fëmijët e Basri Çapriqit.
“Aktiviteti i sontëm në mënyrën më të mirë e përmbyll një sërë aktivitetesh që rrisin vlerën e shkëmbimit të ndërsjelltë kulturor ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës”, deklaroi Çobaj. Ai e
falënderoi për organizimin e përbashkët drejtoreshën për kulturë të Prishtinës, znj. Sibel Halimi.
“Jo rastësisht e kemi zgjedhur poetin Basri Ҁapriqi për ta shënuar 23 prillin – Ditën Ndërkombëtare të Autorit dhe të të drejtave autoriale. Ҁapriqi, ky poet modern që na iku aq i ri, aq i talentuar, i solli poezisë frymë të fuqishme në motive, figura, gjuhë eksplicite letrare dhe ndikim”, tha para të pranishmëve, drejtoresha për kulturë në Komunën e Prishtinës”, tha Halimi.
Ajo shtoi se “po e kujtojmë poetin që i këndoi lirisë së Kosovës dhe njeriun që ishte rreshtuar në rezistencën rugoviane kundër së keqes, poetin që i këndoi njeriut tradicional që po hynte në modernitet pikërisht përmes vetënjohjes në jo-dhunë dhe luftës për liri”.
Në premierën e filmit dokumentar “Në teh të erës”, kanë qenë të pranishëm familjarë të Basri Çapriqit, përfaqësues të korit diplomatik në Prishtinë, profesorë nga Fakulteti i Filologjisë në UP, përfaqësues të PEN Qendrës së Kosovës, regjisori i filmit dokumentar, dr. Haxhi Shabani, kryetari i “Art Club-Ulqin”, Ismet Kallaba, dhe përfaqësues nga diaspora e Malit të Zi në Kosovë.

Filmi dokumentar “Në teh të erës” është realizuar me mbështetjen financiare të Fondacionit Trojet Tona.

By admini