Aleanca Shqiptare mbështet fuqishëm sponsorimin e Malit të Zi Rezolutës së re të OKB-së për Srebrenicën. Këtë e shohim të domosdoshme jo si kompensim për veprimet e pamatura dhe padakorduara politike të përfaqësuesve të shumicës gjatë ditëve të kaluara e as si test sinqeriteti apo test për rrugën e drejtë, por si një akt njerëzor e civilizues dhe kuptim i thellë e pasojave të agresionit të papërmbajtur dhe dhunës etnike, kështu thuhet në një kumtesë për opinion të Dr. Ilir Çapuni, deputet i Aleancës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi.
Duke sponsorizuar rezolutën e re të OKB-së, Mali i Zi tregon përkushtimin e tij për nderimin e kujtesës së viktimave, për të promovuar të vërtetën dhe pajtimin dhe për të parandaluar që këto krimet të ndodhin përsëri.
Të qënit sponsor i një rezolute të këtillë, Mali i Zi dhe administrata e tij do të ketë mundësinë që, duke ftuar shtete të tjera të përkrahin këtë Rezolutë, të fortësojë bindjet e veta në mbrojtjen e vlerave të të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe paqes, jo vetëm në Ballkan por edhe në gjithë botën.
Kjo do të tregojë dhe dëshmojë qartë se distancohet nga politikat katastrofike të viteve 90-ta shekullit të kaluar dhe se me të vërtetë tregon ndjesi për viktimat e pafajshme, rreshtohet përkrah demokracive të zhvilluara botërore që dënuan gjenocidin në Srebrenicë dhe se politikat e brendshme dhe të jashtme të Malit të Zi janë vërtet në përputhje me integrimin euroatlantik, përfundon kumtesa për opinion e Dr. Ilir Çapuni, deputet i Aleancës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi.