”Ju me bukë, ne me gurë – Na falni diasporë”

”Ju me bukë, ne me gurë – Na falni diasporë. Kërkojmë falje në emër të banorëve që kemi mbetur akoma në këto vise por me sytë nga Ju atje. Nuk kerkojmë falje në emër të politikanëve, mos të keqkuptohemi”, ky është një ndër komentet unik që mund të lexohej në numrin e madh të komenteve të ditëve të fundit rreth mosarritjes, së paku deri tani, të një liste zgjedhore të subjekteve shqiptare në Mal të Zi.

Në kuadër të përpjekjeve për një listë të përbashkët të subjekeve politike shqiptar në Mal të Zi, me kërkesë të organizatave shqiptare në SHBA, për dy netë me radhë u mbajtën takime në platformën online Zoom. Në këto takime virtuale ishin të ftuar kryetarët e subjekteve shqiptare në Malin e Zi dhe kryetarët e shoqatave në SHBA, shkruan Ulqini Online.

Për fat të keq këto takime nuk sollën atë që dëshironin edhe shumica e shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi por në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e të gjitha shoqatave shqiptare ng këto anë që veprojnë në diasporë, kryesisht në SHBA. Pjesmarrja dhe kyçja në takime të personava me eminentë të diasporës sonë nuk u shoqërua me të njëjtin seriozitet dhe përgjegjësi nga përfaqsësues të subjekteve politike këtu në vendlindje. Rezultati deri tani dihet edhe pse përfaqësuesit e diasporës akoma nuk janë dorëzuar dhe akoma shpresojnë në një mrekulli deri me datën 4 gusht, datë kur edhe dorëzohen listat zgjedhore.

Numri i deputetëve të ardhshëm shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi përveç se dallon nga sasia, në rastin e listës së përbashkët dallon edhe nga cilësia. Një listë e përbashkët me platformë të qartë politike mund të prodhojë edhe ndryshime cilësore në shumë sektorë në qytetet ku jetojnë shqiptarët. Rritja e indeksit të zhvillimit të qyteteve ku jetojnë shqiptarët, rritja e të ardhurave për një banor, zvogëlimi i papunësisë, ndikimi në rritjen e cilësisë në arsim, politikat në sistemin shëndetsor, thithje të investimeve dhe lehtësime byrokratike për përfaqësuesit dhe afaristët tanë në mërgim mund të ishin vetëm disa nga pikat ku do të mund të përqendroheshin deputetët tanë.