FOTOGRAFIA SI SHQETËSIM DHE BINDJE

Nga ekspozita “Trevat shqiptare në Malin e Zi përmes fotografisë”

(Shqiptarët në Malin e Zi – ID e dëbuar)

(Përshtypje nga ekspozita me fotografi “Trevat shqiptare në Malin e Zi përmes fotografisë”, mbajtur në Ulqin, më 27.11.2019, në nder të ditës së flamurit kombëtar)

Argëzon SULEJMANI


  1. Nga një vegim, nga një fotografi kanë rrjedhur kryeveprat më të mëdha njerëzore e kulturore.

Më lejoni që këtë vështrim ta nisë me një përpjekje prozaike, meqenëse e besoj në atë cilësi edhe më është besuar analiza mbi këtë ekspozitë.

Rrëfimi quhet: Personi I. D. (lexo: aī di:)
Personi I.D. shpallet në kërkim, sepse në ekspozitën e datës 27 dhjetor në Ulqin, shihet në një maje bjeshke, gjetkë nën Rumi, veshur pa rend për gjininë – me një fustanellë dhe, me shtagën drejtuar qiellit që nënkupton kërcënimin ndaj Perëndisë. Si i tillë, gufojnë radiot e televizionet, ky prishës i rendit dhe qetësisë gjinore e botërore duhet të marrë dënimin e merituar njerëzor dhe shejtnor. Edhe ambasadat gjegjëse që, në vendin tonë përfaqësojnë shkabën simbolike të personit I.D., pajtohen me këtë vendim, raportojnë gazetat dhe portalet ditore, duke u mbrojtur në heshtje, në yshtje, në prajtje dhe, duke aluduar që personi I.D. ka keqpërdorur një vepër të Kadaresë me titullin “Shkaba”, ku kryepersonazhi kërkon arratisjen e fluturimin tej grilave komuniste përmes këtij simboli arbnor. Ka dashur të ikë prej këtij nënqielli të bekuar, pëshpërisin në gogësitje e sipër diplomatët, tek hanë me gishta darkën e qëlluar. Nuk merret vesh se në cilën gjuhë i çokasin gotat shkelqësitë, por për t’i thyer, i thyejnë në shqip.

Ngrejmë perdet.

Irfan Domnori(I.D.), sa do që u dënua, u dëbua dhe u privua të jetë me neve në këtë mbrëmje, ai prapë së prapë ia doli. Në pjesën qëndrore të ekspozitës qëndron personi I.D. në disa mijë metra lartësi, mbi të gjithë e mbi gjithçka baltore, me ballin drejtuar neve e flamurin drejtuar qiejve.
Mund të thuhet që është realizuar ana tjetër e shkabës së Kadaresë dhe njeriu e shpendi janë marrë vesh që ta përkrahin, ta ndihmojnë e të mos e hanë njëri-tjetrin, sepse ka lindur një kohë e re: kohë që thirret në lirinë e qiellit,
kohë që thirret në kultin e diellit.

Portat e Evropës, për shqiptarët dhe ballkanasit, nuk janë të kyçura nga jashtë por nga brenda, do të thonte së fundmi Kadare.


  1. Fotografia dhe poezia lundrojnë në të njëjtat ujëra, sidomos kohëve të fundit dhe sidomos vendeve tona. Avancimi i teknologjisë ka ndikuar që rrufeshëm të bombardohemi me imazhe dhe vargje. Kjo klimë kaotike ka ndikuar që autori të humbë vëmendjen dhe veçanarisht profesionistët të nëpërkëmben. Nëse themi që secili që di shkrim-lexim mund të botojë, kemi thënë që secili që ka një aparat fotografik mund të ekspozojë. Pajtohemi që, secili mund dhe duhet të shkruajë dhe pajtohemi që secili mund dhe duhet të fotografojë. Borges do të thonte: “libri në dorën e një të pangrituri është si arma në dorën e një fëmije”.
    Në pjesën më të mirë, kjo ekspozitë reflekton pasion e profesionalizëm, kurse përçon dashuri e liri. Ky edhe është qëllimi i ekspozitave artistike që në këtë rast ka kryesisht natyrë fotoreportere dhe kartografike. Mbase ka ardhur koha që punët e mira duhet medoemos t’i shënojmë e botojmë. Pavarësisht për çka dominohemi të jemi të prirur, nevojitet që t’i shfrytëzojmë së shumti mundësitë e kohës dhe teknologjisë, ashtu që vepra të tilla e si këto t’i shënojmë duke i ekspozuar dhe pse jo botuar e studiuar në vëllime të veçanta. Një shembull i mirë është botimi i katalogut fotoreportazh “Udhëtim nëpër kështjellat ilire në Malin e Zi” i Gazmend Çitakut, ashtu si kjo natë me të gjitha vlerat e saj jo vetëm artistike.

Fotografia ka nurin e vet në qerthullin artistik. Letërsia komunikon vëllazërisht me artet pamore. Ndodhe që, shkrimtarë të njohur nuk plotësohen dot vetëm me rrëfimin, siç ndodhë që të tjerë të bëjnë përshkrime detajiste, biles shumë dimenzionale që, e vënë në siklet vetë fotografinë.
Kështu, Ulqini dhe Tivari me rrethinë përçohen artistikisht e gati vizualisht përmes veprave të Mehmet Krajës e Basri Çapriqit, tutje Buna ka krijuar si shtrat të saj ndërmjet kopertinat e autorit vendas Asllan Bisha, kurse deti dhe detaria valëzojnë brigjeve të krijimtarisë së Hajro Ulqinakut.

Megjithatë, shkrimtarë të njohur janë dorëzuar karshi fotografisë. Ky është një dorëzim artistik, pa flamuj të bardhë e të kuq, pa prishje rendi e qetësie. Sepse, milicia është e “pa metaforë” për nga letërsia.
Shkrimtari, në këtë rast, është turk dhe, ai kur ka dhënë e stërdhënë thuajse gjithçka për vendin e tij, duke u vlerësuar madje me çmimin Nobel për letërsi, rreket t’i jepet në një vëllim veç fotografisë. Fotografon nga tarraca e tij gati 10.000 fotografi dhe ia beson botuesit që do të përzgjedhë për botim vetëm 467 prej tyre. Fotografitë e tij, ashtu siç romanet e novelat habisin e bindin botën. Nobelisti për letërsi arrin një tjetër kulminacion përmes fotografisë. Shkojmë në shujtjen e kureshtjes. Bëhet fjalë për imazhe nga qyteti i Stambollit, konkretisht nga ballkoni i autorit. Vepra quhet “Ballkoni” dhe emëruesi i gjithë kësaj është shkrimtari i rrallë, nobelisti Orhan Pamuk.


  1. Në pyetjen se, cilat janë pritshmëritë nga një vepër artistike, piktori i njohur dhe specialisti i arteve figurative, Lucian Freudi, u përgjigj: “pres të më habisë, të më shqetësojë, të më joshë, të më bindë”.

Shumë ndjesi apo cilësime në një vend që, veç një artist i nivelit të rrallë, mund të gjejë t’i bëjë bashkë. Sa do që do të doja që, këto përçime t’i rrekeshin poezisë apo në tërësi letërsisë, duhet ta pranoj që, këto më së miri dhe më së afërti u rrijnë veprave të artit pamor. Ashtu edhe kjo ekspozitë e sontme, pa asnjë dyshim, përcjellë ngjyra habie, shqetësimi, joshjeje, bindjeje me të gjitha nuansat e tyre.

Habitemi: habitemi nga mrekullitë me të cilat bashkëjetojmë ditë për ditë, sidomos kur këto raportohen përmes imazherisë. A nuk është një mrekulli toka dhe qielli ynë? Nga kjo ekspozitë veçohen këndvështrimet mbi Liqenin e Shkodrës, Shasit, bjeshkën e Rumisë, vargmalet e Malësisë, detin e qiellin si lëvozhga të tyre hyjnore.

Shqetësohemi: pa dyshim që shqetësohemi me raportin e zhdrejtë: njeriu ynë – toka jonë; në shumë hapësira tona etnike mungon njeriu ynë, kurse në të tjera pjesë ku ky është i pranishëm, toka, rrjedha e historia është përskajuar. Këso brengash na përçojnë gurët dhe e kaluara e tokës sonë: shtëpia muze e Dedë Gjo’ Lulit, bedenat e Oso Kukës, kisha e Shën Mërisë, mulliri në Millë, ura harkore e Klleznës, krojet e Ali Pashë Gucisë, ublat në Krajë, muranat e Plavës e Rozhajës, etj.

Joshemi: joshemi nga gjithçka që mund të shohim sonte të ekspozuar dhe, e cila është sall një miniaturë e pasurive tona të paçmueshme dhe të pamatshme, e refleksioneve të gjithanshme dhe të pa ana. Së paku mua, si sfond përcjellës, gjatë gjithë ekspozitës së këtyre fotografive, më ka mikluar poema e Naim Frashërit “Bagëti e buqësia”:
“O malet e Shqipërisë!
E ju o lisat e gjatë,
Fushat e gjera me lule,
q’u kam nër mënt dit’ e natë” (…).
E bukura natyrë e tokës sonë ka lindur të bukurin njeri, me të bukurat veshje, me të bukurat nota e këngë që i gjeni të ndalsuara e përjetësuara në këtë ekspozitë.

Bindemi: bindemi dhe nga kuadrot e fotografëve të sontëm që duhet të rrisim vetëdijen intelektuale e kombëtare për pasuritë tona burimore, trashëgimore e njerëzore. Në zhargonin medicinar, plisi, fustanella, çiftelia e sharkia, etj. tregojnë që, populli ynë ka prirje që në një të ardhme të afërt të vuajë pareza apo paraliza gjymtyrësh, për të mos thënë amputime të të njëjtave. Andaj, të bindemi e të reflektojmë sa nuk është shumë vonë, sepse ne, ka kohë që nuk jemi në kohë.

Tutje, ju lë nën mbretërinë e këtyre imazheve përrallore. Ju lë të habiteni. Ju lë të shqetësoheni. Ju lë të josheni. Dhe ju lë të bindeni: të bindeni gjatë e më gjatë, të bindeni thellë e më thellë, të bindeni fort e më fort.